Si asnjëherë tjetër, gazsjellësit kanë marrë një rëndësi strategjike të paprecedentë, me konseguenca politike, gjeoekonomike, gjeopolitike, deri tek ato ushtarake. Dhe shembulli më sinjifikativ është gazsjellësi Nord Stream-2.
Nord Steam-2, që do t’i bashkohet Nord Stream-1, të ndërtuar në vitin 2011, u nis si një projekt industrial-ekonomik dhe përfundoi në mes të një lufte gjeopolitike të paprecedent.
Ky projekt, me një vlerë investimi prej 11 miliard dollarë i Gaspromit rus me 4 kompani europiane, me një kapacitet vjetor 55 miliard metër kub, do të transportojë gazin rus direkt nga Rusia në Gjermani, nëpërmjet Detit Balltik, duke anashkaluar rrugën tokësore. Deri tani është ndërtuar 25% dhe janë prodhuar gjithë tubot me një vlerë mbi 5 miliard euro. Është parashikuar të futet në punë në fund të 2019.
Bashkimi Europian është sot praktikisht ekonomia më e madhe e botës, me një GDP prej 18,5 triliard dollarë dhe një popullsi prej 510 milion banorë. Kjo ekonomi gjigande ka nevojë për lëndë të para në sasi kolosale, në mënyrë që të ruajë rritjen e saj ekonomike dhe stabilitetin e saj social.
Foto e marrë nga faqja zyrtare e Nord Stream 2
Dhe siç dihet, motori i zhvillimit ekonomik të çdo ekonomie ose “zemra” e saj është energjia. Siguria energjetike është prioriteti absolut i çdo qeverie, pasi vënia e saj në diskutim do të thotë prishja e gjithë ekuilibrave ekonomikë, me pasoja shkatërrimtare për gjithë stabilitetin politik dhe social.
Por siç dihet, Europa nuk është autosuficente për burimet energjetike, dhe kjo e detyron të adaptojë një politike që ta lejojë të sigurojë atë duke qenë shumë vulnerabël nga gjithë ndryshimet e flukseve energjetike në botë, që varen edhe nga një sërë faktorësh politikë, gjeostrategjikë dhe ushtarakë.
Aktualisht Europa e siguron energjinë e saj të nevojshme me naftë, gaz, qymyr, atomikë, hidro dhe energji të ndryshme të rinovueshme.
Duke qenë se Europa është shumë e ndjeshme ndaj problemit të ambientit, prodhimi i energjisë nga qymyri po reduktohet kudo masivisht dhe s’ka të ardhme. Po kështu, për shkak të pasojave të Cernobilit dhe Fukushimës, edhe energjia atomike nuk është shumë e pëlqyeshme, për shkak të rrezikut nga problemet e sigurisë. Madje shteti më i fuqishëm, Gjermania, ka vendosur që brenda vitit 2022 ta ndërpresë prodhimin e energjisë atomike. Prodhimi i energjisë diellore dhe nga hidrocentralet nuk është në sasinë e duhur në raport me kërkesat kolosale, kështu që ngelet prodhimi nga nafta dhe gazi.
Nga të gjithë burimet, ai me konvenienti është gazi natyror, pasi ka përdorim të shumëfishtë, është më pak ndotës dhe është më ekonomik. Por gazi ka një vështirësi në raport me naftën që mund të importohet nga çdo vend. Për gazin duhet të përdoren gazsjellësat ose për gazin e lëngshëm LNG duhen impiante gazifikimi, që kushtojnë shumë.
Por nga të gjthë studimet e fundit, ai që ka prespektivën më të madhe, të paktën deri në vitet 50 të këtij shekulli, është gazi natyror, që për Europën parashikohet të rritet 30 % konsumi deri në vitin 2025 dhe të dyfishohet deri në vitin 2050.
Foto e marrë nga The National Interest
Prandaj sigurimi i gazit të nevojshëm është një objektiv prioritar dhe çdo politikë duhet t’i nënshtrohet këtij synimi.
Por për shkak të kësaj rëndësie, gazi është vendosur në qendër edhe të luftës gjeopolitike, dhe shumë veprime, bile dhe disa luftëra që po zhvilluhen sot, janë të lidhura pikërisht me flukset energjetike dhe në vecanti për gazin.
Rëndësinë strategjike të gazit e dinë shumë mirë si prodhuesit, ashtu edhe konsumatorët, dhe shpesh përdoret si një armë politike për të ndikuar në vendimmarrje të ndryshme.
Europa konsumon 527 miliard mëtër kub gaz në vit, të cilat sigurohen nga tre drejtime: nga burimet e Detit të Veriut, nga vendet e Afrikës Veriore, Algjeri, Libi dhe nga Rusia. Pikërisht gazi rus është në qendër të të gjithë luftës gjeopolitike.
Furnizimi me gaz nga Rusia për vitin 2018 kaloi shifrën rekord prej 200 miliard metër kub. Në diferencë nga burimet e tjera, që kanë tendencë uljeje gazi, ka mundësi shumë të mëdha për tu rritur për shkak të rezervave gjigande që ka zbuluar Rusia.
Dhe mbi të gjitha, që nga viti 1967, kur Bashkimi Sovjetik i atëhershëm filloi eksportin e gazit drejt Gjermanisë, furnizimi ka qenë i sigurtë dhe pa probleme.
Por rritja e furnizimit me gaz nga Rusia rrit varësinë ndaj saj dhe BE e konsideron atë një vend të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm edhe për shkak të fuqisë së jashtëzakonshme ushtarake.
Mundësia teorike që në një moment krize Putini mund të ndërpresë furnizimin i shqetëson europianët dhe prandaj mundohen të diversifikojnë burimet, por kjo është shumë e vështirë aktualisht.
Foto e marrë nga Economics.unian.info
Kaq e madhe është varësia nga gazi rus, saqë sanksionet që u vendosën ndaj Russisë për shkak të problemit të Krimesë, më shumë dëmtuan Europën sesa vetë Rusinë, për shkak se produkti kryesor i eksportit rus, gazi dhe nafta jo vetëm që nuk ishte objekt sankionesh, por edh eksporti drejt Europës u rrit 23% në 2 vitet e fundit duke rritur të ardhurat e Rusisë.
Të gjitha përpjekjet për të anashkaluar gazin rus deri tani kanë qënë pa rezultat, përkundrazi po ndodh e kundërta. Rritja e varësisë nga gazi rus është shumë e rrezikshme për BE, por është shumë vështirë të gjendet alternativa ndaj tij, sidomos kur prodhimi i gazit nga Deti i Veriut dhe Groningenit në Hollandë është në rënie shqetësuese.
Problemi i gazit rus ditët e fundit ka marrë përmasat e një konflikti të hapur, si midis SHBA dhe Gjermanisë, ashtu dhe midis vendeve të Europes Lindore dhe Gjermanisë. Arsyet janë gjeoenergjetike, politike dhe ekonomike.
Deri në vitin 2025, do të ndërtohen disa gazsjellësa gjigand, që do të ndryshojnë rrjedhjen e flukseve energjetike, dhe të gjithë vendet po shikojnë mundësinë që të mos mbeten jashte kësaj loje. Vendburimi më i madh i botës për gaz ndodhet në Yamal, në veri të Rusisë, me një potencë rezervash në shifrat stratosferike të 26 triliard metër kub. Rusia është në një ekspasion gjeoenergjetik të fuqishëm dhe do të ndërtojë deri në fund të 2023 pesë gazsjellësa gigandë. Në Azi do të jetë Power of Siberia dhe Altaj, që do të çojë gazin për 30 vitet e ardhshme në Kinë në një marrëveshje me vlerë 400 miliard dollarë duke shfrytëzuar Yamalin. Po kështu po projektohet ndërtimi i gazsjellësit Sahalin-Kore e Jugut dhe Sahalin-Hokaido-Japoni. Madje para disa ditësh, Rusia nisi bisedimet me Indinë për ndërtimim e gazsjellësit Yamal, Kinë, Pakistan, Indi.
Nga ana tjetër, për Europën Rusia ka marrë vendimin që nga fundi 2019, do të ndërpresë tranzitin me Ukrainën, duke i hequr kësaj 3 miliard dollarë në vit nga e drejta e tranzitit, dhe gazin në Europë do ta eksportojë në dy porta hyrëse. Porta e hyrjes për Europën Veriore dhe Qendrore do të jetë në Gjermani, duke ndërtuar gazsjellësin Nord Stream 2 prej 55 miliard metër kub, dhe së bashku me Nord Stream 1 që është në punë, do të arrijë në 110 miliard metër kub në vit. Kurse porta hyrëse për Europën Jugore do të jetë Turqia, ku ka filluar ndërtimin e dy degëzimeve të Turkish Stream ku do të tranzitojë 63 miliard metër kub.
Foto e marrë nga The Moscow Times
Kuptohet irritimi i gjithë vendeve të Europës Lindore me Gjermaninë nga kjo strategji, që i lë jashtë tranzitit, duke humbur miliarda dollarë.
Me këto lëvizje Rusia kërcënon Europën se në qoftë se do të pengohet Nord Stream-2, do të synojë tregun aziatik dhe kjo e ka bërë Gjermaninë shumë aktive, duke mos marrë në konsideratë kundërshtimet e Ukrainës dhe vendeve të Europës Lindore.
Por pikërisht këtu kanë hyrë fuqishëm SHBA, të cilët kanë 2 synime. Në radhë të parë të mos lejojnë rritjen e peshës dhe varësinë ndaj gazit rus të Europës, duke rritur buxhetin e saj federal.
Dhe së dyti të shesin gazin e tyre të lëngshëm si alternativë.
Në këtë konflikti të ri midis Gjermanisë dhe SHBA ka disa probleme.
Së pari, Gjermania nuk dëshiron të lejojë Rusinë të zhvendosë flukset energjetike të Yamalit drej Azizë, duke vënë në rrezik furnizimin me gaz të Gjermanisë dhe Europës për 30 vitet e ardhshme. Futja në punë në fillim të këtij dhjetori të gasjellësit Power of Siberia, që do të transportojë 38 miliard metër kub drejt Kinës, e vendos Rusinë në pozita të favorshme gjeoenergjetike. Alternativa e LNG nuk është shumë ekonomike, dhe një furnizim alternativ nga Lindja e Mesme, që është si gjithmonë në tym e flakë, nuk ka garanci.
Së dyti, të importosh gaz të lëngshëm LNG nga Amerika kushton 30% më shtenjtë se gazi rus, dhe kërkon investime gjigande për ndërtimin e gazifikatorëve, ku secili nga këta kushton rreth 1 miliard dollarë. Gazi i lëngshëm LNG do të rriste kostot për ekonominë gjermane, sidomos për atë të prodhimit të makinave dhe kimike, duke humbur kompetetivitet dhe duke rrezikuar eksportet gjermane, me pasoja për rritjen ekonomike dhe uljen e punësimit, dhe me problemet sociale që do të lindin. Gjermania nuk do të ndjekë shembullin e Polonisë, e cila ndërtoi impiantin e gazifikimit, për rreth 800 milione dollare për të importuar LNG nga Katari, dhe po i rezulton 30% më i shtrenjtë se gazi rus, që kalon në Poloni nëpërmjet gazsjellësit Yamal-Europa, dhe tani është në dyshim vazhdimi i mëtejshëm i këtij importi. Natyrisht që importimi i gazit LNG mund të përdoret nga Europa në rast të marrëdhënieve në krizë politike me Rusinë.
Së treti, Gjermania mbas ndërtimit të Nord Stream-2 do të marrë në dorë distribuimin e 110 miliard metër kub të gazit rus dhe ta shpërndajë në gjithë Europën Veriore dhe Qendrore deri në Angli. Dhe këtu nuk ka vetëm përfitime politike, por në radhë të parë bëhet fjalë për miliarda dollarë në vit për 30 vitet e ardhshme, dhe biznesi gjerman nuk mund të lejojë që politika t’i heqë nga dora një rasti të tillë të artë.
Foto e marrë nga The Economist
Gjermania e sotme ështe liderja e pranuar nga gjithë Europa, dhe nuk është më ajo e Luftës së Ftohtë, por ndihet më e fortë se kurrë, dhe nuk pranon të kondicionohet në vendimmarrjen e saj. Po t’i shtosh këtu edhe marrëdhëniet konfliktuale me Trump, bëhet e qartë se ajo do të shikojë në radhë të parë interesat e saj ekonomike dhe duket e vendosur se do ta ndërtojë gazsjellësin Nord Stream 2.
Gjermania ka kuptuar në këtë moment se interesat ekonomike duhet të prevalojnë mbi ato politike, pasi shumë shembuj tregojnë se pozicionimi i gabuar kushton.
Kështu është rasti i Bullgarisë. Bullgaria 80% të furnizimit me gaz, e merr nga Rusia nëpërmjet Ukrainës dhe Rumanisë, dhe në 2019 ky kalim do të ndërpritet. Rusia kishte rënë dakord, madje kishin nisur dhe punimet për South Strem, që do të kalonte nga Deti i Zi në Bullgari, Serbi, Hungari, Austri, drejt Italsë së Veriut, për 60 miliard mëtër kub, dhe jo vetëm që do t’i siguronte gazin për nevojat e veta, por do të merrte çdo vit 500 milionë dollarë për tranzitin, dhe do të punësoheshin mijëra vetë. Mbasi Bullgaria iu bashkua vendimit politik për të mos lejuar këtë kalim, Rusia e zhvendosi gazsjellësin 200 km në jug, në Turqinë europiane, dhe tani Bullgaria është në një siklet të madh për furnizimet mbas 2019, kur do ndërpritet tranziti ukrainas.
Bullgaria humbi shansin që të ishte ajo që të shpërndante gjithë gazin rus në Europën julindore. Ajo ndihet keq tani kur shikon se si motivet e njëjta politike që anulluan South Stream nuk vlejnë për Nord Stream-2, pasi Gjermania nuk mund të lejojë t’i ikë nga duart një shans i tillë. Kjo dëshmon edhe moskohezionin brenda BE, kur vjen puna për interesat e shteteve të veçanta.
Pastaj këtu është edhe rasti i Ukrainës, që është në një pozicion që duhet mirëkuptuar. Ukraina refuzon të blejë gaz nga Rusia, lejon tranzitin e gazit rus drejt Sllovakisë për në Europë (sot 40% e gazit rus tranzitohet nëpërmjet Ukrainës) dhe pastaj në mënyrë reversibile e rimerr nga Sllovakia, me një çmim 30% më të lartë se po ta merrte direkt nga rusët.
Natyrisht këtu mbizotërojnë arsyet politike, pasi Rusia konsiderohet vend agresor mbas gllabërimit të Krimesë dhe luftimeve në Donbas, por kjo lloj sjelljeje nuk mund të vazhdojë pa fund, pasi ndihma bujare ekonomike që po jep Europa nuk do të jetë pa fund.
Lëvizjet në skakierën gjeoenergjetike janë bërë më aktive se kurrë, pasi po asistohet në një ndryshim të flukseve energjetike që nuk është parë në 50 vitet e fundit. Pavarësisht predikimeve politike kur vjen puna për përfitme ekonomike gjithsecili shikon afaret e tij.
Pozicionimet në këtë skakierë nuk janë më mundësi të pafundme. Në qoftë se për shkak të veprimeve politike të gabuara ngelesh jashtë loje, kjo do të kushtojë për 20-30 vitet e ardhshme mbi kostot ekonomike, kompetitivitetin dhe zhvillimin tënd ekonomik, dhe në qoftë se bie në një pozicion të vdekur nuk mund të dalësh dot më, pasi në gjeoenergjetikë, treni që ikën nuk kthehet më.
Kjo shpjegon mungesën e kortezisë dhe acarimin në marëdhëniet e Gjermanisë me SHBA në njërën anë, ashtu dhe me Poloninë dhe gjithë vendeve të Europës Lindore nga ana tjetër.
Foto e marrë nga RFE/RL
Gjermania ka vendosur që për sigurinë e saj energjetike të mos pyesë as aleatët dhe as miqtë e saj, dhe për këtë arsye ajo po e mbështet Nord Stream-2.
Që ky gasjellës ka marrë një ngarkesë gjeopolitike, e tregon edhe deklarata e kryeministrit të Bavarisë Markus Soder, që deklaronte para dy ditësh se në qoftë se Gjermania e merr gazin rus nëpërmjet Ukrainës, qoftë edhe në sasi më të mëdha nuk ka problem. Por në qoftë se ajo e merr direkt nga Rusia nëpërmjet Balltikut, atëherë të gjithë flasin për rrezikun e gazit rus.
Pra, duket qartë që miliarda euro për tranzitin, tashmë do t’iu hiqen vendeve të Europës Lindore, dhe do t’i kalojnë kompanive gjermane. Kjo do të krijonte një gropë financiare për rreth 3 miliard dollarë në vit për Ukrainën e dështuar, që nuk ka dëshirë ta mbushin as SHBA dhe as BE.
Prandaj Nord Stream-2 merr gjithë ato ngarkesa gjeopolitike.
Vetëm Merkel dhe Putin e konsiderojnë këtë projekt thjesht ekonomik, dhe është e kuptueshme përse.
Por në fund të fundit, politika nuk bëhet për politikë, por gjithmonë për ekonominë, edhe kur flitet për të kalojnë në plan të dytë gjithë deklaratat përpara masmedive për vlerat, aleancat, parimet, etj, etj.