Polonia nuk ka gjasa të largohet nga Bashkimi Europian edhe nëse partia qeverisëse Ligji dhe Drejtësia (PiS) rizgjidhet këtë vit, tha në një intervistë Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetës polake Rzeczpospolita nëse do të ketë një “Polexit” pas zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në vjeshtë në Poloni, Juncker tha: “Jo”.
“Polonia është me ne (me Bashkimin Evropian), sepse kemi vlera të përbashkëta,” tha Juncker.
Ai mohoi pretendimet se kishte injoruar interesat e vendeve të Evropës Qendrore, ndërsa ishte në detyrë. “Si mund të pohoni se unë jam kundër Evropës Qendrore? Kam bërë gjithçka që munda që këto vende të bashkohen me zonën e euros në bazë të arritjeve të tyre, “tha ai.
“Por është e vërtetë që gjatë mandatit tim kam vizituar Poloninë vetëm një herë. Kjo nuk është e mjaftueshme. ”
Ai tha se nuk është takuar me Jarosław Kaczyński, udhëheqësin e partisë Ligj dhe drejtësis(PiS), që nga samiti i NATO-s në Helsinki në 2005, dhe kjo për shkak se Kaczyński “nuk u përgjigj kurrë kërkesës time për një takim”. “Asnjë mundësi tjetër për të folur me Jarosław Kaczyński nuk është paraqitur, pavarësisht kërkesave të mia”, tha Juncker.
Midis parashikimeve të një rritjeje të politikanëve euroskeptikë në Bruksel pas zgjedhjeve të ardhshme të Parlamentit Europian, Juncker tha: “Do të jetë ndryshe. Megjithatë, unë gjithashtu besoj se në këto zgjedhje, ata që nxisin nacionalizëm do të paguajnë çmimin për të “.
Ndër të tjerash, Juncker tha se Viktor Orbán “ka qenë gjithmonë një hero,” duke deklaruar se ai ka respekt për kryeministrin hungarez.
“Unë e kam njohur atë që nga gjysma e dytë e viteve ’90, kur ai u bë kryeministër. Më parë e admirova për guximin që tregoi kur ushtria sovjetike ishte ende e vendosur në Hungari, “tha Juncker. “Për mua, ai gjithmonë ka qenë një hero. Unë gjithashtu kam një marrëdhënie të mirë personale me të. Dhe unë jam i sigurtë se ai do të thotë të njëjtën gjë për mua, “tha Juncker.
Juncker ka mbrojtur vazhdimisht politikat e Brukselit mbi Europën Qendrore për shkak të shkeljeve të sundimit të ligjit kundër Hungarisë dhe Polonisë.
“Sundimi i ligjit është themeli i BE,” tha ai. “Kohë pas kohe, vende të caktuara lejojnë një shkallë mosbindjeje, varësisht se kush ndodh të jetë në pushtet dhe në fazën e ciklit politik ku janë. “Por unë jam i bindur se brenda pak vitesh, këto çështje nuk do të na shqetësojnë më”, tha ai.