Zëdhënësi i OKB-së, Rheal Leblanc ka thënë se 8 mijë persona janë zhvendosur nga luftimet në zonën përreth kryeqytetit të Libisë, Tripoli.
Leblanc raportoi edhe se shumë familje mbeten të bllokuara në zonat e prekura nga konflikti”.
Më shumë se 500,000 fëmijë konsiderohen të jenë në “kërcënim të menjëhershëm”.
Të paktën 47 vetë, duke përfshirë nëntë civilë, deri tani janë vrarë, deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) të martën.
Javën e kaluar, komandanti ushtarak, Khalifa Haftar, ka nisur një ofensivë për marrjen e kontrollit të Tripolit nga Qeveria e kryeministrit Fayez al-Serraj, e cila mbështetet nga OKB-ja. Kjo qeveri e unitetit e kontrollon kryeqytetin, por autoriteti i saj nuk njihet nga një administratë paralele në lindje të Libisë.
Gjenerali Haftar është aleat i qeverisë rivale në qytetin lindor Tobruk. Kryeministri Al-Serraj e akuzoi atë për përpjekje për grushtshtet dhe tha se ushtarët e tij rebelë do të përballen me forcën.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se dhjetëra njerëz janë vrarë dhe mbi 300 janë plagosur në luftime.
OKB kishte planifikuar një konferencë tre-ditore më 14 prill në qytetin jugperëndimor të Ghadames për të diskutuar për zgjedhjet si një mjet për t’i dhënë fund krizës tetëvjeçare të vendit afrikano-verior. Por të martën, i dërguari i OKB-së për Libinë njoftoi shtyrjen e samitit.
“Ne nuk mund t’i kërkojmë njerëzve që të marrin pjesë në konferencë gjatë sulmit me armë zjarri dhe sulmeve ajrore”, tha Ghassan Salame duke u zotuar ta organizojë “sa më shpejt që të jetë e mundur”.
OKB, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Blloku i G7 kanë apeluar për një armëpushim, porHaftar, i cili e konsideron veten si armik i “ekstremizmit”, zotuar të vazhdojë ofensivën e tij derisa Libia “pastrohet” nga “terrorizmi”.
Libia është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria politike prejse sunduesi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.