E ardhmja flet për të, por debutimi nuk ishte i mirë. Mick Schumacher, djali i Michael Schumacher, ka debutuar në Botërorin e Formula 2.
Në garën e zhvilluar të shtunën në Bahrein është renditur në vendin e tetë. Për pasojë, piloti 20-vjeçar gjerman e nisi garën e sprintit ditën e diel nga vija e parë, por pa sukses, pasi u rendit në vendin e gjashtë.
Kjo garë e parë sezonale e Botërorit të Formula 2 u fitua nga piloti italian Luca Ghiotto, duke marrë edhe kreun e renditjes. Ndërsa Mick Schumacher grumbulloi 8 pikë pas garës së parë sezonale, duke mos arritur atë që pritej.
Këtë javë, Mick, që në F2 garon me makinën Prema, do të testojë në pistën e Bahrein fillimisht makinën Ferrari (më 2 prill) dhe më pas atë Alfa Romeo (më 3 prill). Gara e radhës së Botërorit të Formula 2 është në Azerbajxhan.