Partizani nuk arriti të fitonte dot ne transfertën e Kastriotit.
“Të kuqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 55-të, me anë të Mensah, që shfrytëzoi një top të ardhur në zonë pas një goditjeje dënimi.
Reagimi i krutanëve ishte i menjëhershëm, pasi në minutën e 57’, Shehu gjuajti, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke rikthyer baraspeshën.
Gjërat u komplikuan edhe më shumë për Partizanin, pasi Lum Rexhepi mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën për më shumë se 30 minuta, me një lojtar më pak. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, ku pavarsisht përpjekjeve te Kastriotit për të kaluar në avantazh, portieri Hoxha reagoi në mënyrën e duhur.
Barazimi i shërben më shumë Partizanit që ngelet i pashqetësuar me kampionatin thuajse të siguruar ndërsa Kastrioti rrezikon seriozisht rënien nëse Tirana dhe Luftëtari marrin rezultate pozitive.
Laçi u rikthye te suksesi, pasi mposhti Skënderbeun me rezultatin minimal 1-0, falë një goli të shënuar nga shkodrani Ndriçim Shtubina, në pjesën e parë të takimit.
Në përballjen direkte për një vend në Europë, ishin bardhezinjtë që festuan në fund, duke marrë 3 pikët në një sfidë, ku korçarët bënë mjaft mirë, por gjetën përballë një portier si Gentjan Selmani, që ishte i pakalueshëm.
Gardiani i kurbinasve, përveç pritjeve të shumta shpëtimtare, arriti të ndalë edhe një 11-metërsh, të cilin e fitoi Vangjeli dhe e ekzekutoi Dejvi Bregu.
Me këtë fitore, Laçi parakalon Skënderbeun në renditje dhe shkon në vendin e pestë, në kuotën e 44 pikëve, një më shumë se skuadra korçare.