Taksa e ndikimit në infrastrukturë është zëri kryesor i të ardhurave për pushtetin vendor. Bashkia e Tiranës ka mundur të mbledhë nga kjo taksë mbi 2, 4 milirdë lekë në 9 muajt e parë të vitit 2018. Ndërsa gjitha bashkitë në të gjithë vendin të marra së bashku kanë mbledhur 3. 7 milirdë lekë.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë aplikohet mbi ndërtimet e reja dhe është 5 % e vlerës së investimit. Taksën e ndikimit në infrastrukturë e paguajnë edhe personat që kanë ndërtuar pa leje dhe janë në process legalizimi.
Ndërkohë për 3-mujorin e fundit të vitit të shkuar dhe gjatë tre-mujorit të parë të këtij viti Bashkia Tiranë pritet të rrisë të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, për shkak të rrijes së ndjeshme të numrit të lejeve të ndërtimit.
Në tremujorin e katërt të 2018-ës janë miratuar gjithsej, për të gjithë territorin e vendit 360 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 211 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2017, duke shënuar një rritje prej 70,6 %.
Të dhënat janë bërë të ditura nga INSTAT sipas të cilit mësohet se totali i lejeve të dhëna peshën më të madhe e zë kryeqyteti me 120 të tilla. Ndërkohë në rang vendi gjatë vitit 2018 janë miratuar gjithsej 1.194 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 819 leje të miratuara në vitin 2017, duke shënuar një rritje prej 45,8 %.
“Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja në tremujorin e katërt 2018 është rreth 618.219 m 2,nga rreth 197.130m2, miratuar në tremujorin e katërt 2017, duke shënuar një rritje me rreth 3 herë. Gjatë vitit 2018, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është rreth 1.442.783 m2, nga rreth 868.534 m2, miratuar në vitin 2017, duke shënuar një rritje prej 66,1 %”, thuhet në raportin e INSTAT.
Investimet
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në tremujorin e katërt 2018 është 22,1 miliardë lekë, nga 9,7 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2017.
Ky tregues në tremujorin e katërt 2018, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u rrit me rreth 2,3 herë. Pjesa më e madhe investimeve është përqendruar në Tiranë, pra 1/3 të gjithë parave të investuara në ndërtim në tre muajt e fundit të vitit të shkuar. Gjatë vitit 2018, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 59 miliardë lekë.