Pronat që do të preken nga ndërtimi i Unazës së Re do të kompensohen. Vlera e proanve është përllogaritur në 10 milionë euro.
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Pallati me shigjeta – rrethrrotullimi “Shqiponja””.
Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë”, dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 miliardë e 224 milion e 874 mijë lekë.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, dotë përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë ndërsa shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 lekë, të përballohen nga fondet e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Shpronësimi do të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
Pronarët do të të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Afatet
Vendimi përcakton se Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, do të të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.
Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e aktit pa tarifa regjistrimi.