Qeveria propozon ndrysheme në ligjin për administrimin e parave të sekuestruara që kanë origjinë nga aktivitete kriminale.
Janë propozuar ndryshime në ligjin ekzistues, për të ndihmuar në administrimin e procesit. Ndryshimet kryesore lidhen me shtimin e kompetencëva për shitjen e pasurive të luajtshme, të cilat prishen, amortizohen apo u bie vlera shpejt, që në fazën e sekuestrimit, duke mos pritur vendimin përfundimtar të konfiskimit.
“Përdorimi i kësaj procedure do të bënte që vlera e realizuar nga shitja e pasurisë të ruhej në një llogari bankare të veçantë, e në rast revokimi të sekuestrimit, t’i kthehej pronarit të ligjshëm, ndërsa, në rast konfiskimi, të kalonte në buxhetin e shtetit.
Shitja e parakohshme e këtyre pasurive të sekuestruara do të sillte një përfitim për të gjithë, pasi jo vetëm ruhet vlera momentale e pasurisë së luajtshme (autoveturë, pajisje teknologjike dhe IT, gjë e gjallë etj .), vlerë e cila do të humbte fare, në qoftë se këto pasuri do të mbaheshin deri në përfundim të afateve procedurale gjyqësore, por edhe shkurton ndjeshëm shpenzimet e Agjencisë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre.”– thuhet në relacion.
Në realcionin që shoqëron ndryshimet ligjore thuhet se “ekziston një trend në rritje sipas të cilit juridiksionet duhet të krijojnë një zyrë qendrore kombëtare të administrimit të pasurive si nevojë për të administruar pasuritë”e vështira”, si p.sh.: kafshët, kompanitë, fondet e besimit dhe pasuritë e paluajtshme hipotekore, qoftë për rastet e brendshme, por edhe nisur nga kërkesat e shumta të institucioneve ndërkombëtare gjithnjë në rritje.
Pa akte normative, mekanizma të përshtatshëm, struktura dhe bashkëveprim mes tyre, sekuestrimi dhe konfiskimi janë një proces i paplotësuar dhe joefektiv.
Ashtu si në shumë aspekte të procesit të rikuperimit të pasurive, Shqipëria është strukturuar mirë lidhur me administrimin e pasurive, megjithëse nevojiten zhvillime të mëtejshme për të maksimizuar ekzistencën e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”-thuhet në shpjegimin e ndryshimeve të ligjit.
Projektligji “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara” synon në radhë të parë, ngritjen e një niveli më të lartë të të gjithë procesit aktual të administrimit të pasurive, duke vendosur në themele ligjore procedurën që ndjek Agjencia, që nga momenti i parë i ekzekutimit të vendimit të sekuestros, me marrjen në dorëzim të pasurive që do të administrohen, duke vijuar më pas me menaxhimin e tyre, sipas mënyrave dhe formave specifike në varësi të llojit të pasurisë e duke mbyllur qarkun e administrimit, me anë të procesit të destinimit përfundimtar të pasurive që konfiskohen.
Një objektiv tjetër, i shpjeguar në relacion, është ai i përfshirjes së të gjitha pasurive që sekuestrohen dhe konfiskohen (si në procesin penal, ashtu edhe në atë parandalues) në fushën e veprimit të AAPSK-së, duke e përqendruar administrimin e të gjitha pasurive me prejardhje të paligjshme në një institucion të vetëm.
Sipas ndryshimeve të parashikuara, Kryeadministratori, me kërkesë të administratorit të pasurisë, mund të autorizojë, sipas nevojës, ndihmën e specialistëve të fushave të ndryshme apo të personave të tjerë, të cilët shpërblehen për punën e bërë brenda kufijve të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave dalë për këtë qëllim. Në rastet e menaxhimit të drejtpërdrejtë zbatohen të gjitha procedurat ligjore në fuqi për funksionimin e një veprimtarie ekonomike në Republikën e Shqipërisë. Në rastet e dhënies me qira të pasurive të sekuestruara, kryeadministratori ngre komisionin për vlerësimin e çmimit të tregut. Nëse është e pamundur dhënia me qira me çmimin e tregut, me propozimin e administratorit të pasurisë së sekuestruar, çmimi i qirasë mund të negociohet nga kryeadministratori.
Në nenin 20 përcaktohet se pasuritë e luajtshme transportohen dhe ruhen në mjediset e caktuara nga Agjencia, përveç rasteve kur këto pasuri janë pjesë e veprimtarisë së një biznesi apo kur ato shërbejnë për dhënien e pasurisë me qira. Pasuritë e luajtshme në formë të mjeteve monetare, investohen në bono thesari ose depozitohen në llogari bankare të caktuara, për të cilat vendos kryeadministratori.
Kriteret e përzgjedhjes së bankave ku do të depozitohen mjetet monetare përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.