Autoriteti i Konkurrencës në një vendim të fundit ka saktësuar se do të mbajë nën monitorim tregun e sigurimeve për shitjen dhe administrimin e kartonit jeshil deri në shkurt të vitit të ardhshëm.
Kjo vjen në kushtet kur mes kompanive të sigurimit ka një marrëveshje bashkëpunimi të miratuar nga ky autoritet një vit më parë e cila shoqërohej me disa kushte.
Sipas Autoritetit nga ana e kompanive të sigurimit rezulton të jenë zbatuar këto kërkesa ndërkohë që duket se mes dy autoriteteve atij të Konkurrencës dhe atij për Mbikëqyrjen Financiare duket se ka qëndrime të ndryshme për disa pika të tregut.
Vendimi 2019
Autoriteti I Konkurrencës ka monitoruar mënyrën sesi ka funksionuar shitja e kartonit jeshil nga ana e kompanive të sigurimit në kushtet kur këto të fundit kanë një marrëveshje.
Kartoni jeshil është një produkt sigurimi që u shitet personave që hyjnë në territorin e Shqipërisë apo dalin jashtë saj me një automjet.
Sipas Konkurrencës kompanitë kanë respektuar siç duhet udhëzimet e dhëna nga ky autoritet dhe se AMF është njoftuar në çdo kohë për zhvillimet në këtë treg.
“Nga monitorimi i zbatimit të vendimit të Komisionit të Konkurrencës Nr. 499, date 15.2.2018 ‘Për përjashtimin nga ndalimi të marrëveshjes së lidhur midis shoqërive të sigurimit për kartonin jeshil’ rezulton se janë respektuar kushtet dhe detyrimet e vendosura për shoqëritë e sigurimit pjesë e kësaj marrëveshje. AMF si rregullator I tregut të sigurimeve, në çdo mënyrë, dhe në çdo kohë të procedurës është vënë në dijeni për këtë marrëveshje të njoftuar në AK, si dhe i është kërkuar në vazhdimësi parashtrimi i shqetësimeve për konkurrencën në këtë treg”, thuhet në vendimin e Konkurrencës.
Në vijim të kësaj AK thekson e do të vijojë të mbajë nën monitorim tregun deri në përfundim të afatit të marrëveshjes 2 vjeçare që është miratuar mes kompanive të sigurimit dhe ka marrë edhe “ok” nga Konkurrenca.
Marrëveshja e shkurtit të 2018
Në vitin 2018 kompanitë e sigurimit paraqitën një marrëveshje bashkëpunimi para autoritetit të Konkurrencës që kërkonin që të përjashtohej nga ndalimi.
Çdo marrëveshje mes kompanive që mund të kufizoje apo deformojë tregun konsiderohet si shkelje sipas ligjit ndaj në rastet kur ka të tilla bashkëpunime duhet të japë autorizim Konkurrenca.
Pasi u vlerësua kërkesa e kompanive Autoriteti i Konkurrencës e miratoi marrëveshjen në shkurt të 2018 por duke lënë disa kushte për kompanitë.
Këto kushte së pari kishin të bën me faktin që secila prej ndërmarrjeve të sigurimit, pjesë e marrëveshjes, duhet të tregtojë produktin e kartonit jeshil nëpërmjet agjentëve të saj në përputhje me dispozitat e Ligjit Nr. 52/2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” dhe polica e sigurimit duhet të përmbajë logon e ndërmarrjes që e tregton dhe bar kodin përkatës, duke shmangur koordinimin e sjelljes lidhur me ndarjen e pjesëve të tregut dhe caktimit të çmimeve mes palëve njoftuese të marrëveshjes.
Së dyti në rast të mos respektimit prej ndërmarrjeve pjesëmarrëse në marrëveshje të kushteve dhe detyrimeve, Komisioni i Konkurrencës do të ushtrojë kompetencën e tij të revokimit të këtij përjashtimi.
Së treti çdo amendim i kësaj marrëveshjeje nga palët duhet të njoftohet për përjashtim pranë Autoritetit të Konkurrencës.