Më në fund Loredana ka reaguar personalisht në lidhje me ngjarjen e dy ditëve të fundit.
Lajmet rreth arrestimit të reperes shqiptare, Loredana, morën vëmendjen e të gjithë mediave gjatë ditëve të fundit.
Në profilin e saj në Instagram ajo njofton se do të jetë në një konferencë shtypi me avokatët për të sqaruar njëherë e mirë çështjen që u bë kaq e bujshme.
Pasi lajmi se Loredana është arrestuar mbrëmjen e së martës u shpërnda kudo, reagimet kanë qenë të shumta dhe disa janë pozicionuar në krahun mbrojtës të reperes, e disa të tjerë kanë dalë kundër saj.
Rikujtojmë se mbi të rëndojnë akuzat se ka mashtruar dhe kërcënuar një çift zviceran duke i zhvatur rreth një milion franga së bashku me të vëllanë.
Duket se ngjarjet fatkeqe për Loredanën vazhdojnë, pasi të tjera lajme kanë dalë në dritë nga gazeta zviceriane ‘Blick’.
Mediat zviceriane raportojnë se reperja shqiptarja kishte pretenduar tek çifti zviceran se ishte një avokate me emrin Anna Landmann, 29 vjeç dhe se ishte vajza jashtë martesore e avokatit të njohur Valentin Landmann. Ajo kishte pretenduar se ishte avokate dhe do t’i ndihmonte ata.
Por Landmann ka vendosur që të ngrejë padi kundër Loredanës për keqpërdorimin e mbiemrit të tij dhe të ish gruas së tij Anna Landmann, që dikur kishte punuar në zyrën e avokatit.
“Nuk isha aspak i lumtur kur dëgjova për lajmin. Ky është një abuzim absurd me emrin tim. Nuk kam të bëj me ngjarjen dhe nuk kam asnjë vajzë të jashtëligjshme. Gjithçka është gënjeshtër”, ka thënë Landmann për mediat.
Në një postim të fundit u bë me dije se konferenca shtyhet për në orën 14:00 dhe do të mbahet në qytetin e Prishtinës.