MENU
klinika

Ndalimi i përshkallëzimit ushtarak

Macron: Do të bëjmë gjithçka për konfliktin SHBA-Iran

27.06.2019 - 10:27

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka premtuar se do të angazhohet më shumë gjatë ditëve të ardhshme për të “parandaluar një përshkallëzim ushtarak” midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ne do të bëjmë gjithçka” në mënyrë që “askush të mos bëjë asgjë të pariparueshme”, u tha Macron gazetarëve në ditën e dytë të vizitës së tij në Japoni.

“Është jetike sot që të gjitha palët të zbusin tensionet,” shtoi ai.

Presidenti francez ka sqaruar se nesër, në samitin e 20-të të G20, ai do të diskutojë me Presidentin e SHBA Donald Trump dhe shtoi se “do të bëjë gjithçka për të shmangur një përshkallëzim ushtarak”.

Trump nga ana e tij, foli të mërkurën rreth mundësisë së një lufte me Iranin “që nuk do të zgjasë shumë kohë”, deklaratë kjo që u mor si një paralajmërim për Teheranin.

Për Macron, gjithashtu me rëndësi është mmbajtja nën presion e Iranit, kryesisht nga vendet evropiane që kanë nënshkruar marrëveshjen ndërkombëtare për programin bërthamor të Iranit në 2015.

“Bisedova me Presidentin iranian, Hassan Rohani, të martën dhe i thashë atij se çdo tërheqje nga marrëveshja bërthamore do të ishte e gabuar,” shpjegoi ai.

Presidenti francez deklaroi gjithashtu se bazuar në informatat që disponojnë autoritetet franceze, rrëzimi i avionit ushtarak amerikan pa pilot nga Irani me 20 qershor ndodhi në hapësirën ajrore ndërkombëtare dhe jo në hapësirën ajrore iraniane, siç pretendon Teherani,

Ndërkohë sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikolai Patrousef, tha të martën se droni u rrëzua hapësirën ajrore iraniane.

“Unë kam informacion nga Ministria e Mbrojtjes ruse, sipas të cilave avioni ishte në hapësirën ajrore iraniane,” tha Patrushev. “Nuk kemi parë dëshmi për të kundërtën,” shtoi ai.

Presidenti francez ritheksoi se Parisi dhe Uashingtoni ndajnë “të njëjtin objektiv strategjik”, pamundësimin e Iranit për të zotëruar armë bërthamore.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Trump kërkon të nisë bisedimet

Marrëdhëniet SHBA-Iran po përmirësohen