Paul Pogba ndodhet në Japoni, atje ku po zhvillon një tur me sponsorin e tij, “Adidas”, teksa të gjithë mediet gëlojnë në lajme rreth të ardhmes së tij.
Pak ditë më parë mesfushori francez tha se po shikon për një sfidë të re në karrierën e tij.
Prej kohësh Zinedine Zidane e ka kërkuar tek Real Madrid, por afrimi i Sarrit tek Juventus ka bërë që klubi italian ta kthejë në prioritet 26-vjeçarin, për ta rikthyer në Torino me fanellën bardhezi.
Drejtori sportiv, Fabio Paratici është takuar me drejtuesit e United kur ishte në Londër për të mbyllur nënshkrimin me Sarrin dhe Pogba është prioriteti i tyre i madh në këtë merkato.
Për të ndezur më shumë këto zëra ka menduar vetë francezi, i cili ka publikuar një “story” në Instagram, teksa një tifoz japonez mban në duar dy fanella me emrin e tij: Njëra është ajo me numrin 6 tek Manchester United dhe tjera me numrin 10, që dikur mbante veshur tek Juventus.
Kaq ka mjaftuar dhe tifozët e Juventusit kanë filluar ta marrin si sinjal se Pogba dëshiron të kthehet tek “Zonja e Vjetër”.