MENU
klinika

Nga: Luan Rama

Valeri Larbo: Një shpresë e madhe për Shqipërinë tonë! 

11.06.2019 - 11:18

Valeri Larbo (Valery Larbaud), një nga emrat e shënuar të letërsisë dhe kritikës franceze të viteve 20’-30’ të shekullit XX si dhe një nga përkthyesit më në zë të letërsisë anglosaksone, veçanërisht të James Joyce, (Uliksi), apo Faulkner, nuk do ta kishte pikëtakuar Shqipërinë nëse miku i tij i adoleshencës dhe i rinisë, Marcel Ray, nuk do të ishte caktuar për të përfaqësuar Francën në Legatën Franceze në Tiranë, në vitet 1934-1935. Në traditën diplomatike franceze, shpesh ishin shkrimtarë dhe njerëz të letrave që dërgoheshin si misionarë në vende të ndryshme të botës: të tillë kishin qënë nga Lamartine apo Stendhal, duke vazhduar më pas me Paul Claudel, Paul Morand, nobelistin e mëvonshëm Saint-John Perse, (Alexis Leger) apo Raman Gary, etj. Marcel Ray kishte qënë gazetar i Figaro-së e më pas drejtues i gazetës Le Petit Journal dhe i Europe Nouvelle, duke u bërë i njohur dhe nëpërmjet kritikës së tij letrare. Më vonë, pasi u angazhua në Quai d’Orsay, ai u dërgua në disa misione diplomatike gjersa zbarkoi në Shqipëri, ku siç i shkruante Larbaud-së, «Tirana është e rëndësishme nga ana diplomatike». Marcel Ray, poliglot dhe dikur profesor i gjermanishtes, jetonte në Tiranë me librat e Baudelaire dhe Rimbaud, studionte Horacin, shkruante kritikë dhe në korrespondencën e tij me Larbaud, e botuar prej kohësh nga Gallimard në dy volume, i shkruante mikut të tij dhe për Shqipërinë. Madje guxonte të shkruante dhe gjëra që ministrin grek në Tiranë, po t’i lexonte ato letra, do ta detyronin të bënte një protestë diplomatike kundër përfaqësuesit francez. «Po ju zbuloj një sekret të tmerrshëm, – i shkruante Ray, më 15 shkurt 1935. – Uliksi është shqiptar.

 

 

 

 

 

 

Po kështu Penelopa dhe pretendentët e saj e me rradhë, si dhe rritësi i derrave Eumé. Ata ishin të gjithë ilirianë, d.m.th. shqiptarë. Itaka është një ishull i Ilirisë: ata përdornin deri vonë barka homerike për të shkuar atje, kërkonin kaproj, merrnin misër, fiq dhe femra që i mbartnin në ije për ti sjellë në brigjet kontinentale që më vonë do të quheshin Santi Quaranta, (Saranda), Vlora, Durrësi (më ndje për sa i përket misrit pasi «gran turco» më duket se është importuar në fakt nga Anadolli, që nga koha e Kryqëzatave)… Po të ishte gjallë Victor Berard, (studjues i Ballkanit e veçanërisht i Greqisë antike, L.R.), të cilin e pashë duke dhënë shpirt në Cavalaire, do t’i jepja dyshimin më të tmerrshëm, d.m.th. që shumë prijësa të Luftës së Trojës ishin shqiptarë po aq sa dhe Uliksi. Tregimet homerike tregojnë në fakt zakone shumë të afërta që unë kam fatin t’i vëzhgoj, dhe duhet të kujtoheni i dashur se në kohë e Turqisë, përgjegjësitë e mëdha të Perandorisë ishin në duart e shqiptarëve, të cilët u vendosën në të gjithë Orientin mesdhetar për të qeverisur dhe fituar, ashtu si baskët në Amerikën latine, apo skocezët në rrjetin e anijeve me avull… Ti e kupton se në këto brigje ke dëshirë të ëndërrosh. Letrës po i bashkangjis stemën e «Maison Royal», (Oborri Mbretnuër), me imazhin e përkrenares së Skënderbeut me një kokë sorkadheje, apo dhije e egër besoj.  Këtë pamje do ta vë në veturë kur të vish në kështjellën e Krujës, ku lindi mbrojtësi i kësaj përkrenareje. Faqe interesante mbi Krujën dhe Shqipërinë do të gjesh në një roman të Wells, The Research Magnificent, e vitit 1915…”

Në ditët e para të qershorit, të vitit 1935, pas një udhëtimi në brigjet e Italisë, nga Brindizi, Valery Larbaud zbarkon në Durrës, ku pritet nga miku i tij ministri Ray, në rolin e ambasadorit. Larbaud ishte një udhëtar i njohur e me sqimë, paratë, në sajë të trashëgimisë së të atit, i cili kishte qënë pronar i ujrave të pasura të Vichy-së, nuk i mungonin që të njihte botën. Po kështu dhe gjuhët e shumta që njihte. Ai i kishte parë brigjet shqiptare të jugut, ato të Sarandës gjatë një udhëtimi në vitin 1903, por këtë tokë ai nuk e kishte shkelur. Kurioziteti kishte qënë i madh dhe në letrat e tij dërguar mikut të vet gjatë viteve 1934-1935, ai i shkruante me dashuri për “Shqipërinë e dashur”. “Ky vënd, që nga rilindja e tij më është bërë një vënd simpatik. I dua të mirën. Do të doja të isha një Barnabooth[1] për t’i sjellë këtij vëndi çdo gjë kulturore, materiale, intelektuale. Eshtë një Europë e sapo zbuluar, siç është dhe Australia e zbuluar vonë nga ne”.

Larbaud mund ta kishte kryqëzuar ndoshta në Tiranë fotografin e ri francez Willy Ronis, që më vonë do të bëhej një nga yjet e fotografisë botërore. Mund të kishte kryqëzuar dhe gazetarin Roger Vailland, të cilin Shqipëria do ta frymëzonte të shkruante një roman. Larbaud ishte nga ata shkrimtarë-udhëtarë që mbanin shënime në ditaret e tyre të udhëtimit, shënime që u botuan nën titullin italisht ”La Settimana Albanese”. Syrit të tij nuk do t’i shpëtonte asgjë, as lejlekët që sheh fushave gjatë rrugës drejt Tiranës, tipat e fshatarëve, fushat e mbjella, rruga me gurë të thyer, madje dhe detaje që sot të bëjnë të qeshësh, siç ishte dhe pamja e dy xhandarëve që kishte parë të ecnin paqësisht rrugës në Tiranë, duke mbajtur të kapur me njëri tjetrin gishtat e vegjël të duarve në shenjë miqësie, që në Perëndim do të ishte shenjë pederastie (këtë do ta trashëgonin burrat shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX-të, me krahun futur njëri tjetrit, ndryshe nga rusët që parapëlqenin të putheshin në buzë, për të treguar miqësinë e fortë). Më 27 qershor, pasi zbret në Durrës, makina do ta çojë në Tiranë, ku pamjet e para janë ato të hyrjes në qytet me një hangar të avacionit “të kamufluar si një anije lufte”.

 

Tirana, me aromën e një «bruneje të bukur»…

 

 

Eshtë interesant mënyra se si e ka parë dhe si e ka përshkruar Tiranën ky poet, shkrimtar, kritik e përkthyes shumë i njohur. «Lagjet e shpërndara e larg njëra tjetrës, – shkruan ai, – e bëjnë Tiranën një qytet tepër të shtrirë për një popullsi të vogël që ka. Që lart nga rruga e Elbasanit, Tirana duket si një qytet shumë i madh, i zhytur në gjelbërim. Kjo më kujton qytete si Leamington dhe Aix-les-Bains. Por duke depërtuar në të, ne zbulojmë se është njëherësh një qytet i vjetër, por dhe evropian, siç janë zakonisht qytetet termale… Legata më e bukur është ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duket sikur e kanë sjellë ashtu të gatshme nga një ekspozitë e arteve dekorative, por kopshti me pemët që zgjaten, e fiksojnë në atë peizazh, çka duket tashmë e sigurt se nuk do ta lëvizin më.» Që të nesërmen e mbërritjes në Tiranë dhe sistemimit në një nga apartamentet e ambasadës, që gjëndej në «Bulevardin Musolini», ai viziton dy xhamitë e vjetra të qëndrës së qytetit e padyshim pazarin dhe kafenetë përreth, e sigurisht kafenetë ku luhej bixhoz, apo «Kursalin» e famshëm që sot nuk ekziston më. Afresket dekorative dhe motivet floreale të xhamive i japin një ndjesi të këndshme, ndryshe nga blloku prej betoni i «ministrive» të sapo ndërtuara nga një sipërmarës italian, ku jo larg ai shquan një kazino ushtrake dhe një kafene italiane «con giardino». «… Pranë Xhamisë së Vjetër thirra një karrocë për të shkuar në Postë. Karrocieri i ri, një djalosh i bukur me pantallonat e fryra dhe me një rrip të kuq që e bënte trupin e tij elegant, dhe me një qeleshe të bardhë në kokë, nuk dinte veçse një fjalë në frëngjisht: “sigurisht”, që për të do të thoshte “po” dhe ai bënte sikur e kuptonte italishten time. Fjalën “posta” ai ek uptoi, por pasi ndalova në një kafene, në një kopësht midis rrugës “Nëna Mbretëreshë” dhe Bulevardit Musolini, kur doja t’i thoja se doja të shkoja në Legatë, ai nuk guxoi më të thoishte “sigurisht”. Por pranë tij, ai kishte një çunak 13-14 vjeçar, i cili dukej që kuptonte italisht dhe aim ë shërbeu me një sjellje të matur dhe respektuese, si sjellja e një interpreti”. Si të ishte një Proust,  atij i bën përshtypje aroma që nderet nëpër qytet, një përzjerje lulesh, qiparizësh e bari. «Një aromë që nuk është si e Korfuzit, por e ngjashme, shpërndahet nëpër gjithë Tiranën»… Madje, në fund të udhëtimit të tij, ai i jep Tiranës një lloj sensualiteti, e habitshme për atë epokë, por me sa duket e vërtetë në një farë mase. «Eshtë një aromë karakteristike e Shqipërisë, të paktën në verë, por njerëzit që banojnë aty janë mësuar dhe prandaj nuk e ndjejnë. Mund të thuhet: aroma e një bruneje të re e të bukur që del nga një banjë shumë e nxehtë…».

Por le t’i kthehemi «javës së tij shqiptare», «la settimana albanese». «… Në këtë lëvizje kaleidoskopike në rrethinat e pazarit, ne shkuam në «Tennis Club», një vënd takimi i diplomatëve, oficerëve e instruktorëve. Lojtarët e «brixh»-it ishin në kafazin e tyre me grila. Ne ishim 6-7 persona, ulur në kolltukët përballë dy fushave tenisi; zonjusha Micura, zonjusha shqiptare, profesoreshë në Liceun e Vajzave të Tiranës, erdhi ndërkohë pranë nesh. Ajo na thotë gjëra interesante për zonën e Shkodrës dhe të Pukës, duke na përkthyer gjithashtu programin e filmave në kinematë e qytetit. Kështu ne mësuam për një trupë teatrale amatorësh të qytetit, e cila vinte në skenë drama në shqip, veçanërisht komedi me siparë që ngriheshin në skenë.”  Në Tiranë, Larbaud habitet me modernitetin e ri të grave shqiptare, kur pikëtakon dhe zonjën Vrioni: “Për tu shënuar është vizita këtë mëngjes në Legatë e zonjës Vrioni. Gjithë studimet ajo i ka bërë në Paris dhe ka jetuar në Romë. Që nga martesa e saj, prej pesë vjetësh jeton në një pallat-kështjellë, një ndërtesë orientale e Beratit, dhe me vajzën e saj çdo verë shkon në plazhin e Durrësit. Flet një frëngjishte korrekte, vishet mirë dhe dëshrion të rishohë Parisin dhe Romën. Sapo doli nga permanenti, ku kishte kaluar nja katër orë. Nuk pranoi ftesën e Marceli-it, i cili iu lut të qëndronte për drekë në Legatë. Kishte lënë një takim me një mike dhe në mbrëmje duhej të kthehej në Durrës. Vrionasit janë një nga familjet më të vjetra e të shquara shqiptare, e barabartë në finsikëri e fuqi si dhe ajo e mbretit…”

Një tjetër ndalesë rrugëve të Tiranës, kësaj rradhe në librarinë «Argus», «më e madhja e dy librarive që janë në Tiranë, (tjetra është gazetë-librari, pak a shumë e rëndësishme). Libra në frëngjisht, italisht, shqip, disa revista e gazeta gjermane”… Marcel-i më tregon një tjetër librari: atë të Lumo Skëndos, e ish diplomatit shqiptar, i cili më pas u bë librar. Disa botues të Parisit shtypin fleta reklame me emrin e tij… Pijmë një birrë japoneze, çka duket se i bën konkurencë serioze birrës së Korçës. Në hyrje të “Rrugës Mbretnore”, Larbaud dhe ministri francez që e shoqëron si gidë nëpër qytet, marrin një karrocë për të shkuar në “Club de Tennis”, duke kryqëzuar rrugës fëmijët e shkollave me uniforma, këta “piccoli albanesi” siç i quan ai, “të veshur e të disiplinuar si “piccole italiane”. Në “Club Tennis” mblidhen përgjithësisht diplomatët dhe gratë e tyre, duke krijuar një atmosferë dialogjesh nga më të çuditëshmet, pasi atje kryqëzohen frëngishtja, italishtja, idioma shqipe, anglishtja apo gjermanishtja, por siç pikas Larbaud, “frëngishtja dhe italishtja janë gjuhët më të përdorura”. “Ishte gjithashtu dhe një vajzë e re, një mësuese e liceut të vajzave të Tiranës, e cila kishte studjuar në Vienë. E kush mund ta pandehte shqiptare? Ajo ruante diçka nga universitetet gjermane. Në fillim e kujtova si një franceze, pasi fliste një frëngjishte idiomatike dhe se italishtja e saj kishte një lloj theksi të lehtë, të pa përcaktueshëm…”

Ishte zonjusha Micura. Vallë cila të ketë qënë kjo vajzë moderne, që si dhe shumë vajza të tjera të asaj kohe studjonin në Itali, Francë, Austri… “Para se të shkojmë me makina në «Tennis Club», ne vizituam Muze-Bibliotekën e qytetit. Muzeu përbëhet nga disa skulptura greke, romane, bizantine, që vijnë nga gërmimet e Durrësit dhe të Apollonisë. Një bazoreliev paraqet një personazh që disa arkeologë e konsiderojnë si Herkuli që po mbyt Python-in. Marcel mendon se mund të jetë një Priape. Ka një shqiponjë të mrekullueshme bizantine, e njëtë me atë të koleksionit e Bude, që është adoptuar në koleksionin e teksteve greko-bizantine. Eshtë e një madhështie dhe perfeksioni që e ngrenë atë mbi çdo lloj epoke. Kati i parë përbën një sallë ku duken armë, midis të cilave një kaskë e Skënderbeut dhe shpatat e tij, ose shpata të epokës së tij, në një vitrinë janë coha dhe kukulla me kostume kombëtare të krahinave të ndryshme. Biblioteka ka dy salla që zbukurohen nga librat e vendosur. Në njërën janë librat shqiptarë apo ata që i referohen shqipërisë. Hobhouse është atje, i lidhur në një volum të vetëm. Po kështu dhe fotografia e librit më të vjetër shqiptar të njohur deri më sot, një Meshar, origjinali i të cilit është në Vatikan. Bibliotekari më tregoi gjithashtu dhe nje botim të vitit 1632, përkthimin post-mortum të Chalcondyle nga Blaise de Vigenère (një lidhje midis Shqipërisë dhe Bourbonnais, midis Tiranës dhe Saint-Pourçain-sur-Sioule. Salla tjetër ka librat që u jepen lexuesve, libra letrarë, shkencorë, pedagogjikë, manuale shkollore. Shumica, në mos të gjitha janë libra të hduruar. Librat më të mirë janë të dhuruar nga Gjeramnia, një seri e klasikëve gjermanë në një botim modern, mjaft praktik dhe të lidhur. Po kështu disa botime italiane, franceze, angleze, dhe në gjuhën greko-moderne. Të paktë janë libra në gjuhën latine. Një numur i madh lexuesish, duke patur parasysh ngushtësinë e sallave. Nga dritarja e pasme e bibliotekës duket mjaft mirë rrethimi dhe ndërtesat e Pallatit Mbretëror, godina më të mëdha e ambreux, por më pak piktoreske, dhe pjesa tjetër më pak e vjetër sesa ishte Pallati Princor i Cetinjes në 1903-1904… Bisedova gjatë me bibliotekarin, zotin S. Kolea, i cili më lejoi të vështroja nga afër librin e Chalcondyle të Blaise de Vigenère (1632), për të cilin mendoj të dërgoj një shënim të hskurtër në Shoqërinë e Emulacionit të Bourdonnais. Zoti Kolea më ftoi të merrnim një kafe turke që ishte shumë e mirë, madje më e mirë se ajo e Korfuzit. Por kuptova se kisha harruar dhe një sallë tjetër të bibliotekës, atë ku ai më priti dhe që ka fjalorë, enciklopedi dhe vepra referencash. Ai mendon se enciklopeditë janë librat më të nevojshme për bibliotekat e vogla dhe këto lloj librash do të dëshironte më shumë që qeveritë e huaja ti dhuronin Bibliotekës Kombëtare Shqiptare. Revista e vetme franceze që çmohet këtu është Revista e Dy Botëve (Revue des Deux Mondes).

 

 

 

 

 

Ardhmëria shqiptare

 

 

Valery Larbaud dhe Marcel Ray e kishin lexuar me ëndje e simpati Këngën e Child Harold të lord Bajronit. Ishte një referencë e fuqishme, siç kishte qënë që në kohën e vet Bajronit për të gjithë ata që ndërmerrnin udhët drejt Shqipërisë dhe Epirit në jug të saj. «Bashkë me Marcel-in, ne diskutuam rreth itinerarit të Bajronit në Shqipëri, sipas shënimeve të Këngës së II-të të Child Harold dhe sipas hartës së re zyrtare të rrugëve të Shqipërisë që ne kishim në duar. Duket se Tepelena është pika e fundit e udhëtimit të tij në veri, megjithëse ai ka përshkuar shumë rrugë e shtigje që janë në jug të Tepelenës si dhe gjithë zona e jugut, e cila është e banuar nga shumica shqiptare. Pas këtyre shënimeve, duke lexuar Stanzas du Canto II, tingëllojnë në mënyrë shumë pompoze, por klasiçizmi i tepruar, pasioni e habitë, ky klasiçizëm që ishte Romantizmi, ka një karakter të madh profetik dhe një «avenir që shihet në brymën e viteve» që i përshtatet këtij vëndi që ne shohim këtu, duhej të kishte pra «Rruga Bajron» dhe «Rruga Hobhouse» në të gjitha qytetet shqiptare, veçanërisht tek irredentistët në Greqi e Jugosllavi. Meritat e Bajronit dhe të Hobhouse janë të mëdha: nuk mjaftonte vetëm të kishe para për të udhëtuar. Duhej një lloj kurajo morale e fizike dhe sy artisti.  Për të patur nga ky udhëtim një ide të qartë për Shqipërinë e ardhme në Evropë, duhej të ishe një Bajron dhe «fino a certo punto», Hobhouse. Lavdia që kanë dy diplomatët francezë, “Rruga d’Estournelles de Constant” dhe “Rruga Godart”, që kanë mbështetur pavarësinë e Shqipërisë në rregullimet që u bënë në vitin 1920, vjen nga Bajroni e Hobhouse… Fakti që dy nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë shqiptarë (çka përbën lulen e bukur të aristokracisë, pra artet), janë dy françeskanë, të jep siguri për të ardhmen. Kjo i jep një avantazh Romës. Por megjithatë, kjo mund të shkaktojë një emulacion pozitiv tek kleri musliman. Por është gjithashtu dhe uniteti i gjuhës. Nuk arrij ta përcaktoj (madje as Marcel Ray) se deri ku  gegërishtja ndryshon nga toskërishtja. Duket se gazetat në Tiranë, si Besa, lexohen e kuptohen në të gjithë vëndin. Ortografi i gjuhës së njësuar duket se është fiksuar dhe kjo është llogjike, pasi është e lehtë për të mësuar dhe për ta përdorur. Drejtuesi i Bibliotekës Kombëtare S. Kolea, u ka thënë shumë njerëzve se ka një Leksik të madh shqiptar prej 40.000 fjalësh. Lidhja e fortë që kanë shqiptarët me gjuhën e tyre (edhe pse kjo na e komplikon punën me karrocierët ne Tiranë) është një shenjë e mirë… Për momentin, politika shqiptare qëndron në kërkimin e parave për të zhvilluar vendin. Ata luajnë duke kundërvënë Italinë kundër Jugosllavisë dhe e kundërta, sipas rrethanave. Dhe këtë mund ta bëjnë. Mbreti që mban gjithçka në dorë si një diktator, e praktikon këtë lloj loje duke bërë kujdes në lëshimin e konçesioneve që kanë të bëjnë në fakt me pavarësinë e Shqipërisë… Disa ministra shqiptarë janë të korruptuar, pro-jugosllavë apo pro-italianë, dhe personalisht të interesuar për veten e tyre në kurriz të Shqipërisë. Kohët e fundit ishte një skandal me duhanin. Ishte vetë ministri që e bënte kontrabandën. Çështjen e mbyllën, por ministrin e hoqën. Përdorimi i bakshishit turk nuk është diçka që i përket vetëm të kaluarës. Mbreti ka admirim dhe besim tek Anglia, Franca dhe Gjermania. Duhet shënuar se ai e përjashton në këtë kuadër Italinë, duke e parëatë si një fqinj dhe pushtues të afërm. Por admirimi i tij i kushtohet në veçanti mjeteve teknike, zhvillimit të shkencave të aplikuara… Por për Artet, përfshi dhe letërsinë, as që bëhet fjalëToleranca fetare, ku Islami dhe Kristianizmi këtu nuk janë armiqësuar dhe shkojnë mirë mes tyre, më shtyn të hyj në meshën e Kishës ortodokse. Mjaftonte të bëja kryqin. Dhe unë i bëj pyetje vetes se nëse skizmës do t’i jepej fundi, me siguri do të dëgjoja me të njëjtën kënaqësi meshën latine apo greke. Dhe kjo do të ishte një diçka tejet e bukur dhe ndoshta progres në kulturën e kristianizmit, nëse Dy Gjuhët do mund të përhapeshin në të gjithë botë”.

Në Tiranë, Larbaud njihet dhe me arkeologun francez Léon Rey, i cili tashmë, siç do të shkruante dhe në ditarin e tij, ishte bërë një nga shërbyesit më në zë të çështjes shqiptare jashtë vëndit, veçanërisht në Francë, pra një lloj “ambasadori”. Madje, Rey i kishte folur dhe për projektin e një filmi propagandistik dhe njohës mbi Shqipërinë, për realizimin e të cilit i duhej dhe një financim nga qeveria shqiptare. Por përpjekjet e tij, duket se shkuan kot, pasi ai film nuk do të realizohej kurrë. “Çështja e filmit shqiptar, – shkruan Larbaud, – duket në rrugë jo të mbarë. Jo vetëm që paratë mungojnë, por ka dhe kundërshti rreth tij. Duket se drejtuesit në Tiranë nuk guxojnë ende që t’ia tregojnë botës Shqipërinë. U dashka të pritet që të realizohet «plani pesëvjeçar» i reformave nga mbreti. Megjithatë mua më duket se mund të tregohen rrugët dhe peizazhet, xhamitë më të bukura, disa kisha ortodokse e katolike, gërmimet arkeologjike dhe rezultatet e tyre, pastaj, në një mënyrë më anekdotike, punët bujqësore, një seri pamjesh, qytetet kryesore, ushtria dhe mbreti, disa festa popullore të zgjedhura mirë e të përgatitura, rreshtat e shkollarëve dhe gjithçka tjetër, pa këmbëngulur mbi proçesin e «oksidentalizmit» dhe as mbi anët jo të mira e koloniale që kanë mbetur nga orientalizmi turk. «Ata nuk duan që të shihen në film njerëz të rreckosur», por këto pamje mund të lihen mënjanë. Një skenë si ajo që pamë, e një fushe me grurë pranë Elbasanit, do të ishte një pamje e bukur dhe do të tregonte «Shqipërinë e punës» nën një dritë të favorshme dhe të vërtetë. «Shqipëria dembele» do të lihej kështu jashtë kuadri, si provizore, e kaluar, e panevojshme. Kjo do të ishte veç një gënjeshtër në kohë, nëse mund ta quanim kështu. Mundet, dhe unë do ta doja me gjithë zemër që për dhjetë vjet, Shqipëria t’i ketë flakur këto lecka dhe që Tirana kaotike, e drobitur dhe gjysmë koloniale (Bari është ende i tillë e kolonial, në 3-4% të tij), në gjysmë perëndimore, siç do të shkruaj më poshtë, çdo ka do të ishte në një interes retrospektiv për një të ri shqiptar, i cili nuk e ka njohur Shqipërinë e mëparshme, apo që e ka parë në fëmijërinë e vet dhe harruar atë para një realiteti krejt të ndryshëm, ku do të kalonte adoleshencën e vet. Të gjitha rrugët do të jenë të asfaltuara, pa patur nevojë të shkatërrohen rrugët e vogla e të vjetra; lagjet do të bashkohen me njëra-tjetrën; topografia do të jetë e rregullt, lumi i Lanës do të rregullohet e kanalizohet; pemët do të rriten, aveny Zog e bulevardi Musolini, gjatë gjithë gjatësisë së tyre, do të kenë buzë tyre shtëpi të mëdha e të mira, vila dhe kopshte të bukura; i riu shqiptar, i kthyer nga studimet jashtë, do të gjejë përsëri në vendin e tij një Muze të Antikiteteve shqiptare që do ta shohë veçse në Tiranë ; do të shohë një Bibliotekë Kombëtare, ku mund të lexojë vepra mbi historinë e vëndit të tij dhe gjithnjë e më shumë tërë veprat e shkruara çdo vit për Shqipërinë. Letërsia në gjuhën shqipe do të behet e njohur në Europë dhe autorët do të përkthehen në gjuhët e mëdha të Qytetërimit. Do të ketë një Teatër Mbretëror, një sallë koncertesh, do të flitet për ndërtimin e një Muzeu të Pikturës Shqiptare. Trupi Dipolmatik do të formojë, me aristokracinë shqiptare, një shoqëri liberale të hapët, elegante, me interes për veprimtaritë kulturore, ku njerëzit e kësaj shoqërie do të kalojnë lirshëm në rrugë, pa u vunë re, ku do t’i bëjnë vetë pazaret në qytet, ku do të shkojnë në këmbë në bankat e tyre, apo Postë, Pazar, etj. Progreset e bëra gjatë dhjetë, pesëmbëdhjetë, apo më shumë vite të Pavarësisë do lejojnë të shpresohet për një progres të tillë në një periudhë të re dhjetvjeçare. Nga Londra dhe Parisi, agjencitë turistike do të dërgojnë turistë amerikanë, të cilët do ta gjejnë këtë kënd të kontinentit mjaft piktoresk, të hijshëm, dhe pa barbarizëm. Disa shkrimtarë anglezë, francezë, gjermanë … do të vijnë këtu, që në një vetmi të këndshme të shkruajnë libra që nuk mund t’i shkruajnë në rrëmujën e një qyteti të madh; pra do të jenë fillimet e një rindërtimi e pastrimi të madh, ndërtime dhe pastrimi i plehrave, kërkimet arkeologjike të italianëve, gërmimet e francezëve, Liceu i Korçës, përpjekjet e shumta dhe devocioni i shqiptarëve që kanë studjuar jashtë, përpjekjet e ministrave të ndërgjegjshëm si dhe përpjekjet e vetë mbretit Zog. Me shëmbullin e tyre, rol do të luajë dhe trupi diplomatik, pa folur për mjetet që do t’i jepen këtij shteti të ri me rekomandimin e ministrave të jashtëm të shumë vëndeve të mëdha, apo gjysmë të mëdhaDuket se një ditë, Shqipëria do të jetë një vënd turistik dhe pushimi, për sezonin dimëror në disa vënde si dhe për verën, në disa vënde të tjera dhe se një pjesë e burimeve buxhetore të shtetit do të vijnë nga udhëtarët e huaj, ashtu si në Zvicër apo Itali. Meqënëse për perëndimorët udhëtimi do të jetë më i shtrenjtë se sa do të vlente për të shkuar në Zvicër, atëherë këtu do të vijnë njerëz me më shumë para dhe po kështu dhe artistë e njerëz të kultivuar të cilët do të preferojnë të harxhojnë më shumë dhe të pushojnë mes një vëndi më me pak njerëz dhe më pak i organizuar në drejtim të shfrytëzimit turistik… Një ministri e Turizmit me zotin Bonsignor në krye, me fondet e agjencive të udhëtimit do mund të bënte më shumë në këtë drejtim. Dhe atëherë do të ketë një periudhë të gjatë kur do të mundemi që nga Londra, Berlini, Milano, të shkojmë për pushime në Shqipëri, ku të kemi vila pushimi në pranverë, etj.

 

 

 

 

 

Jeta e oborrit dhe e diplomatëve

 

 

Nga Tirana, Larbaud kërkon të njihet me vëndet përreth, duke vizituar Petrelën, duke ndërmarrë një udhëtim drejt Elbasanit, për tu njohur me qytetin e vjetër dhe tepër interesant. Mbrëmjet në Tiranë janë të këndshme dhe Marcel-i mundohet ta njohë me personazhet e jetës diplomatike, me oborrin mbretëror dhe ministrat e qeverisë, dhe ai befasohet se si tre fëmijët e njërit prej ministrave ishin frankofonë dhe të rinj me dije e njohje evropiane. «Audiencë e Marcel Ray-it në Pallatin Mbretëror. Etiketa e do që të jetë me xhaketë, me një kapele të lartë, kravatë të zezë e të bardhë (meqë oborri është në zi). Mbreti e mbajti një orë e gjysmë. Çështjet kryesore që diskutuan ishin çështja e drejtorit dhe profesorëve të liceut Francez të Korçës, të funksionarëve shqiptarë dhe rrezikut të shkurtimit të fondeve, si dhe ajo e mundësive që të bashkohen në një muze të vetëm arkeologjik në Vlorë, gjetjet e Apollonisë. Mbreti u tregua plot dëshirë dhe madje donte të përqëndronte në Tiranë të gjitha gjetjet arkeologjike: Apollonia, Butrinti (të zbuluara prej italianëve, ku deri tani kanë gjetur vepra arti shumë të bukura), si dhe ato të Durrësit, nëqoftëse do mund të ndërmerreshin gërmime (Zoti Leon Rey kishte bërë sondazhe, por kishte terrene që duheshin shpopulluar dhe sipas mendimit të tij, pjesa më interesante e qytetit antik ishte mbuluar nga dheu. Por mbreti rregullon gjithçka, siç thonë këtu, meqë ai emëron gjer dhe kaporalët e ushtrisë…” Larbaud shkruan se «zonja Cermak, gruaja e ministrit të Çekosllovakisë ka namin se është femra më e bukur e trupit diplomatik në Tiranë, por unë do t’ia jepja këtë medalje zonjës P… të legatës jugosllave, një bjonde e madhe dhe e bëshme, me sytë gri në jeshile të kthjellët e që të vështrojnë drejtpërdrejt, por me një lloj rezerve, disi hijerënde e me ndroje, por që ka hijeshi e forcë. Por biseda me zonjën Cermak është shumë e këndshme për vetë naivitetin e saj natyral. Dhe kjo të kujton ato italiane për të cilat shkruan zonja Mme. De Staël dhe Stendhal. Ajo është romane dhe e rritur në «Dorothée», ashtu si dhe Mariuccia (ato u habitën që në bordin e anijes «Srbin», ishin të vetmet italiane që kishin qënë bashkënxënëse. Për zonjën P… Suzanne Ray thotë se edhe duke e parë të veshur në mënyrë perëndimore, mund ta imagjinosh fare mirë me kostumin popullor të grave sërbe nëpër festa, çka është një mendim i drejtë i saj. »

Vizita e zotit Xavier de Courville, drejtor i Liceut Francez të Korçës dhe gruas së tij, zonjës Cassadeus, të cilët drekuan në Legatë. Xavier de Courville ka qënë themeluesi i La Petite Scène. Ai ka 500 nxënës, të gjithë shqiptarë, dhe mësimi jepet në frëngjisht gjer në «baccaulereat», pra diplomën e fundit të studimeve të shkollës së mesme. Personeli pothuaj është i gjithi francez, por i mjaftueshëm. Korça ngjan më provinciale dhe më pak koloniale se Tirana. Por zyrtarët e saj, ajo botë e vogël zyrtare, jeton më vete dhe e mbyllët, siç ndodh dhe me rrethin diplomatik në Tiranë. Me një fjalë, jeta urbane është më e pakët se në Tiranë. Megjithatë, meqë 500 nxënësit nuk i përkasin të gjithë kësaj «bote të vogël», pasi shumica janë fëmijë të popullit, ata kanë një influencë indirekte mbi jetën sociale, ndryshe nga izolimi i tmerrshëm dhe i detyruar i botës zyrtare të Tiranës. Profesorët janë më afër Shqipërisë sesa trupi diplomatik, apo mbreti e qeveria që janë larg këtyre qëndrave nevralgjike.

 

 

«Një shpresë e madhe për Shqipërinë tonë

 

 

Pas një jave në Shqipëri, Valery Larbaud e lë Tiranën në orën gjashtë të pasdites. Marcel-i, i zënë me punë diplomatike, nuk mund ta shoqërojë gjer në Durrës. Rrugës, duke marrë drejt Durrësit, ai kapërcen Erzenin, Shijakun dhe ndërkohë, rrugës, vëzhgon fshatarët me kostumet e tyre kombëtare dhe i kujtohet historia që i kishin treguar ato ditë në Tiranë mbi ministrin e ambasadës gjermane, i cili, kur kishte ardhur për të dorëzuar letrat kredenciale, kishte shkuar pastaj dhe në Shkodër, bashkë me gruan e tij ishin veshur me kostumin kombëtar shqiptar. “Thonë se kishte marrë me qera dhe një gomar dhe hipur mbi të shkonte i shoqëruar nga ministresha, e cila ecte në këmbë pas tij, me qëllim që të ndiqte zakonet shqiptare. Kjo vizitë kishte shkaktuar një suprizë të madhe me ca të qeshura. Madje thuhet se të veshur kështu, ata kishin qënë dhe në Tiranë e Durrës, për të përshëndetur ministrin e Anglisë, ndërkohë që gruaja e bënte rrugën gjithnjë në këmbë. Së fundi thuhet se kur kishte qënë tek fisnikët shqiptarë, e zonja e shtëpisë, sapo i kishte parë, nuk i kishte njohur dhe i kishte thënë me zë të lartë pastrueses në frëngjisht “Ju kam thënë që s’duhet t’i shoh këta lypës të më hyjnë në shtëpi”. Njeriu që ma tha këtë anekdotë e kishte të dëgjuar. Mundet që në origjinë të kësaj historie karikaturale të ketë patur një ngjarje që lidhet me kostumet e këtij diplomati dhe gruas së tij në fillimet e qëndrimit të tyre në Shqipëri”.

Në Durrës, ai i hipi anijes “Srbin” që vinte nga Athina. Duke u larguar, Larbaud  vështronte gjirin e Durrësit, kodrën, vilën mbretërore lart saj, plazhin nën kodër në anën veri-perëndimore, ku siç shkruan ai, “është një kënaqësi e madhe e grave shqiptare të cilat burrat e tyre nuk i marrin nëpër udhëtime”. “Aty ka veç kabina dhe tenda, përveç mbretit që ka një “bungalow” të ç’montueshme. Asnjë kafene, asnjë restorant, madje as hotel. Ushqimet i sjellin me veturë nga Durrësi, të kënaqur që i sjellin gjer në plazh… Ajo çka shihet në veriun shqiptar nga deti është gjelbërimi dhe se toka duhet të jetë mjaft pjellore. Në bregun e Malit të Zi është një shkreti e tmerrëshme, ndërkohë që Shqipëria na duket si një kopësht plot hije, si një park i mrekullueshëm. Dhe tani i them vetes se përse nuk i përfilla dhe aq dy “agjentët” e Bajronit në Shqipëri: D’Estrournelles de Constant dhe Justin Godart. Marcel-i kishte vendosur në dhomën tonë librin Shqipëria e vitit 1921 të Justin Godart me parathënien e D’Estournelles de Constant. I lexova shkrimet e këtyre njerëzve të mënçur dhe shërbyes të zellshëm të pavarësisë shqiptare dhe mu dukën të mrekullueshme. Eshtë diçka për tu përgëzuar që ata krijuan një traditë «shqiptarofilie» në diplomacinë e politikën franceze.

Në momentin që «Srbin» merrte tutje në det, unë ndjeva dhe njëherë aromën e këndëshme që kisha ndjerë sapo kisha mbërritur në Tiranë… »

Pasi ndalon në Tivar, Raguzë, Spalato, Shebenik e Zara, ai shkon më së fundi drejt brigjeve italiane. «Shqipëria, qëllimi kryesor i këtij udhëtimi, më ka mbetur në mëndje. Nuk rresht së krahasuari peizazhin e saj me ato të këtyre vëndeve që po përshkoj. Veçse në Zara ne pamë spektaklin e një toke pjellore dhe të gjelbëruar. Brigjet malazeze dhe dalmate ishin si shkretëtira në krahasim me brigjet shqiptare, të paktën nga Durrësi e deri në Ulqin. Që nga Abbazzia dhe tani ne po ecim në krah të Istrisë dhe gjejmë kështu po atë pamje të Shqipërisë. Një shpresë e madhe për Shqipërinë tonë!» Më 16 korrik, nga Legata franceze në Tiranë, Marcel Ray i shkruante Larbaud-së: «Ah sikur të ishe pardje në krahun tim të djathtë, ndërkohë që prisja për ceremoninë e festës së 14 korrikut rreth 80 apo 120 vizitorë. Dhe ti, ashtu si unë, do u kishe dhënë duart gjithë atyre njerëzve dhe do kishe dëgjuar mesazhin me urimet dërguar në mënyrë të veçantë nga mbreti, mesazh i përcjellë nga Lion de Ghilardi,  i veshur me uniformën e tij plotë dekorata, çka ishte një favor i veçantë që shkaktoi jo pak komente. Erdhën gjithashtu pjesa më e madhe e ministrave, drejtues të lartë të Oborrit mbretëror dhe të Ushtrisë, funksionarë të lartë dhe arqipeshkvi ortodoks, dy peshkopët katolikë dhe kreu i Bektashinjve i shoqëruar nga dy adjutantët e tij, i cili mbante një kapele jeshile dhe të bardhë, me 12 shenja, në kujtim të 12 imamëve. Gjithë këta miq të ndritur duket se e shijuan shmpanjën, «fois gras» dhe të tjera ushqime që u zhdukën menjëherë. Pastaj me çka mbeti, sajuam një «lunch» për Trupin Diplomatik. Mikesha juaj, zonjusha Micura, e veshur me një fustan ngjyrë qielli të lehtë, ishte e shqetësuar për udhëtimin tuaj, madje më pyetën dhe persona të tjerë, të cilët i takuat në Shqipëri. Zoti Kolea që nënshkruan «Koleja» nuk guxoi ta linte « qytetin e librave » dhe më kërkoi ndjesë me dy fjalë…»

Në 10 tetor të vitit 1935, në prag të largimit të tij nga Shqipëria, Marcel Ray i shkruan përsëri mikut të tij Larbaud: «… Ja ku jam përsëri në Tiranë, i veshur me një kostum të bardhë lini në këtë vapë të madhe që ende vazhdon prej disa ditësh. Qyteti është mbushur ngado nga flamujt kuq e zi për ditëlindjen e mbretit. Në sheshin e ministrive, grupe puntorësh «skipëtars» punojnë ngadalë për të transformuar një kanal të hapur që ju e njihni tashmë në një “Circo Agonale” me shkallë të gjelbëruara dhe shatërvane. “Bulevardi Musolini» është zbukuruar me disa shtëpi të reja. Drita e tetorit është më e bukur dhe më e këndshme se ajo e qershorit… Po pres përgjigje rreth kërkesës sime për tu pritur nga mbreti. Besoj se me keqardhje do ta lë Shqipërinë, duke i bërë përshëndetjet këto dhjetë-dymbëdhjetë ditë… » Kjo është letra e fundit e ministrit francez Marcel Ray ka shkruar nga Shqipëria. Ditari (Journal), i ribotuar së fundi nga «Gallimard», na njeh jo vetëm me një nga intelektualët e njohur francezë të viteve 20’-30’ që u pasionua aq shumë nga Shqipëria, por dhe me një përshkrim simpatik të një Tirane që dikur spikaste nga gjelbërimi, me dëshirën për tu kthyer në një qytet perëndimor. Mjerisht, fill pas udhëtimit nga Shqipëria, Larbaud u sëmur dhe u paralizua, çka bëri të shuhet dhe ëndrra e tij për tu rikthyer në Shqipëri, siç dhe kishte premtuar. Megjithatë, «la settimana albanese», shënimet e këtij poeti e përkthyesi mjaft të njohur, mbetën mesazhe dashamirëse të një humanisti që i shikonte shqiptarët si pjestarë të së njëjtës familje… asaj të Evropës.

 

 

Luan Rama

 

[1] Emri i personazhit dhe librit më të njohur të tij, që është si të thuash «alterego» e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Francezë e shqiptarë - njëqind vjet pas luftës

100 vite nga Lufta e I Botërore në Shqipëri

Pushteti me aromë gruaje

Agnes Varda – art pa komercializëm


Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB