Autoriteti i Prokurimeve Publike, me qëllim orientimin e të gjitha autoriteteve kontraktore, njofton se, shumë ente në kuadër të ristrukturimit të Administratës Publike janë bashkuar apo janë shkrirë, sa i takon veprimeve që këto të fundit duhet të kryejnë në Sistemin e Prokurimit Publik.
“Duke qenë se këto ente kanë luajtur rolin e autoritetit kontraktor, në kuptim të Ligjit Nr. 9643/2016 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar. Ju duhet të keni në konsideratë tani që:
Për autoritetet kontraktore, të cilat kanë pushuar së ekzistuar për shkak të bashkimit, apo për shkak se funksionet e tyre janë transferuar tek një autoritet tjetër kontraktor, fillimisht duhet të merren masat e nevojshme që të gjitha procedurat e prokurimit të krijuara në SPE, të përfundojnë nëpërmjet një vendimi që mund të jetë “Përfundimi i procedurës së prokurimit dhe Arkivimi i saj ose”Anullimi i procedurës së prokurimit nëse është rasti”.
Veprimet për finalizimin e procedurave në sistem, kryhen nga nëpunësi i autorizuar i njësisë së prokurimit ose i komisionit të prokurimit me vlerë të vogël.
Pasi të përfundojë në sistem finalizimi i procedurave të prokurimit, Administratori i Sistemit, duhet të bëjë mbylljen e të gjitha llogarive të përdoruesve në rolin e njësisë së prokurimit, komisionit të hapjes dhe vlerësimit të ofertave dhe audituesit të autoritetit kontraktor.
Në përfundim të veprimeve të mësipërme, duhet të paraqitet një kërkesë pranë APP për mbylljen e llogarisë së përdoruesit në rolin e Administratorit të Sistemit.
Për autoritetet kontraktore, që për shkak të ristrukturimit të tyre apo për arsye nga më të ndryshmet kanë pësuar ndryshime në emërtimin e institucionit të tyre, duhet të dërgojnë një shkresë pranë APP, me qëllim pasqyrimin e ndryshimit të emërtimit të institucionit të tyre në SPE.
APP thekson në fund se, në kërkesën që duhet të dërgohet pranë APP, në çdo rast duhet të përcaktohet saktë emërtimi i institucionit, NIPT-i, adresa postare si dhe një numër kontakti.