MENU
klinika

Kreditimi në vend

Sejko: Masa konkrete për gjallërim!

24.07.2019 - 14:55

Gjatë ditës së sotme, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka zhvilluar një takim me anëtarët e Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave (SHSHB), të kryesuar nga Kryetari i saj, z. Silvio Pedrazzi.

Takimi u zhvillua në kuadër të dialogut mes Bankës së Shqipërisë dhe aktorëve të sektorit bankar.

Dialogu është i fokusuar tek çështjet që lidhen me aktivitetin dhe rolin e sektorit bankar në ekonomi.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko u ndal në zhvillimet kryesore ekonomike në vend në gjysmën e parë të vitit, dhe veçanërisht në ecurinë e sektorit bankar, ku theksoi se të dhënat e fundit tregojnë një përmirësim të aktivitetit të këtij sektori në drejtim të kredidhënies, si dhe në uljen e kredive me probleme.

Kryetari i SHSHB-së, z. Pedrazzi, nga ana e tij, njohu Guvernatorin Sejko me punën e deritanishme të shoqatës për krijimin e Byrosë Kombëtare të Kredisë.

Krijimi dhe vënia në funksionim e Byrosë Kombëtare të Kredisë është një vlerë e shtuar për sektorin bankar, falë rolit që do të luajë në vlerësimin e kredimarrësve sipas nivelit të rrezikut.

Duke vlerësuar rëndësinë e këtij projekti, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë do të japë mbështetjen e saj të plotë për realizimin dhe funksionimin e këtij projekti të ndërmarrë nga Shoqata Shqiptare e Bankave.

Një tjetër çështje më rëndësi e trajtuar gjatë takimit ishte rregullorja “Për trajtimin jashtëgjyqësor nga bankat, të kredimarrësve në vështirësi financiare” – miratuar së fundmi në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës dhe e quajtur ndryshe “Qasja e Tiranës” – e cila është hartuar në kuadër të plotësimit të angazhimeve të marra nga Banka e Shqipërisë në Planin Ndërinstitucional të Masave për Reduktimin e Kredive me Probleme.

Qëllimi i kësaj rregulloreje është lehtësimi i rimëkëmbjes financiare të kredimarrësve të mëdhenj në vonesë, të cilët kanë ekspozim në më shumë se një bankë, dhe parashikon ngritjen e një platforme të përbashkët midis bankave për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme për kredimarrësin.

Drejtuesit e Shoqatës Shqiptare të Bankave u shprehën mjaft optimistë për miratimin e kësaj rregulloreje dhe efektet pozitive që pritet të japë në reduktimin e kredive me probleme.

Në vijim të takimit të zhvilluar në muajin maj për gjallërimin e kreditimit në vend, Guvernatori Sejko i njohu të pranishmit me hapat e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë për hartimin e një plani konkret masash, që synon përmirësimin e sasisë dhe të cilësisë së kreditimit.

Guvernatori Sejko u shpreh se kreditimi është një proces me rëndësi të ndërsjellët për të gjitha palët, ku një përqasje sa më aktive ndaj tij do të mundësojë një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, jo vetëm për industrinë bankare, por dhe për ekonominë e vendit.

Në këtë drejtim, Guvernatori theksoi rëndësinë e vënies në jetë të një plani masash, synimi i të cilit është të rigjallërojë procesin e kreditimit të shëndetshëm në vend.

Ky plan masash i hartuar tashmë nga Banka e Shqipërisë iu është dërguar për konsultim bankave tregtare në vend. Përfaqësuesit e SHSHB-së, nga ana e tyre, mbështetën hartimin dhe zbatimin e këtij plani, i cili do të shërbejë si një platformë ku të gjithë aktorët e tregut pritet të japin kontributin e tyre për të nxitur procesin e kreditimit.

Një tjetër çështje e trajtuar gjatë takimit ishte dhe projektligji “Për shërbimet e pagesave” dhe risitë që ai do të sjellë në tregun bankar. Guvernatori Sejko theksoi se me miratimin e këtij projektligji do të krijohen kushtet e favorshme për promovimin e risive teknologjike, si dhe do të rritet konkurrenca në treg.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi, u diskutua edhe mbi iniciativat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për krijimin e një sistemi për shlyerjen e pagesave në euro brenda vendit, i cili do të mundësojë uljen e kostove për konsumatorët, si dhe procesimin e këtyre pagesave brenda një kohe sa më të shkurtër.