Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të monitorimit të sigurisë konsumatore, ka bërë me dije se është konstatuar një produkt i cili nuk përmbush standardet në treg dhe që është i dëmshëm.
“Njoftimi i kategorisë ALERT ndërkombëtar , në portalin RASFF (RAPID ALERT SYSTEM FOR FOOD AND FEED) me numër notifikimi 394243, për produkt “Filxhan me fibra bambuje”, të cilët pas kontrollit laboratorik të kryer nga ana e autoriteteve të ushqimit, Qipro, ka rezultuar se paraqet nivel të lartë të migrimit të melaminës mbi normën e lejuar, duke paraqitur risk serioz me ndikim në shëndetin e njeriut.”- njofton ISHMT, i cili shton se tashmë është ndaluar shitja e këtij produkti.
PËRSHKRIMI I PRODUKTIT:
Emri i produktit: FILXHAN ME FIBRA BAMBUJE
Emri i produktit në etiketë: BAMBOO FIBER MUG
Numri i artikullit: ZF-004M
Pamja e jashtme e produktit: 8.5 cm, 450 ml
Kategoria e produktit: MATERIAL NË KONTAKT ME USHQIMIN
Barkodi: 0491316000035
“Konsumatorët që kanë blerë këtë produkt nuk duhet ta përdorin pasi është i rrezikshëm dhe ta kthejnë pranë pikës së shitjes ku e kanë blerë. “-njofton më tej ISHMT.
Inspektoriati thekson se ka ndërmarrë një fushatë të rëndësishme në kuadër të garantimit të cilësisë dhe evidentimit e heqjes nga tregu të të gjithë produkteve pa standardin e duhur.
Sakaq, Inspektoriati njofton se kanë nisur bashkëpunimin me Doganat, me qëllimin për të identifikuar produktet jo në konformitet, me mbështetjen e projektit “Humelica”.
Ky bashkëpunim ka për qëllim rritjen e efiçencës së bashkëpunimit midis dy institucioneve për të ndaluar vendosjen në treg të produkteve jo të sigurta, që nuk plotësojnë kriteret ligjore të detyrueshme sipas Legjislacionit në fuqi.