Mbretëresha e Anglisë ka pranuar kërkesën e qeverisë për pezullimin e Parlamentit deri më 14 tetor, vetëm disa javë përpara afatit të Brexit.
Kjo do të thotë që deputetët nuk kanë kohë të miratojnë ndonjë ligj që mund të ndalojë kryeministrin të largojë Britaninë e Madhe nga BE pa një marrëveshje më 31 tetor.
Ideja e mbylljes së Parlamentit, ka shkaktuar polemikë, me kritikët që thonë se kjo do t’i ndalojë deputetët të jenë në gjendje të luajnë rolin e tyre demokratik në procesin e Brexit.
Laura Kuenssberg, e BBC, tha që vetëm një numër i vogël i ministrave të qeverisë kishin dijeni për planin para shpalljes së tij dhe se do të shkaktonte në mënyrë të pashmangshme një konflikt gjigant.
Johnson thotë se dëshiron të largohet nga BE më 31 tetor me një marrëveshje, por ai është i gatshëm të largohet edhe pa një të tillë, duke respektuar afatin.
Ky qëndrim ka bërë që një numër i deputetëve të opozitës të bëhen bashkë, të përpiqen të bllokojnë një marrëveshje të mundshme, dhe të martën ata njoftuan se kishin ndërmend të përdorin procesin parlamentar për ta bërë këtë.
Kryetari i Dhomës së Komuneve, John Bercow e cilësoi si “një absurditet kushtetues” veprimin e kryeministrit dhe tha se qëllimi i qartë i kësaj mase është “të ndalet debati në Parlament në prag të Brexitit dhe të pengohet puna e legjislativit në detyrën e tij për t’i dhënë formë kursit të vendit”.
Nënkryetari i Laburistëve Tom Watson postoi në Twitter se masa ishte një “sulm skandaloz ndaj demokracisë “. Ministri i Parë i Skocisë, Nicola Sturgeon tha se deputetët duhet të mblidhen për të ndaluar planin javën tjetër.