MENU
klinika

Kap shifrën 22.7 miliardë lekë

Sektori i bujqësisë kryeson eksportet

17.09.2019 - 15:03

Sektori i bujqësisë kryesoi eksportet shqiptare gjatë 8 mujorit të vitit 2019.

INSTAT publikoi treguesit e “Tregtisë me Jashtë” ku vihet re se eksportet bujqësore vijuan trendin e rritjes pozitive të qëndrueshme. Sipas INSTAT, eksportet e grupit të produkteve “Ushqime, pije, duhan”, shënuan rritje me 15% gjatë periudhës Janar – Gusht 2019.

Në vlerë këto eksporte arritën shifrën e 22.7 miliardë lekëve.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, prodhimi bujqësor vendas po ndjek rritjen e vazhdueshme dhe krahas kësaj edhe eksportet po njohin zgjerim progresiv.

Investimet kryesisht në prodhimin në sera që siguron prodhim bujqësor përtej sezonit dhe rritja e standardeve për këto produkte ka rritur eksportet dhe të ardhurat në familjet fermere, por edhe në ekonominë e përgjithshme.

Ekspertët shprehen se, politikat lehtësuese fiskale por edhe mbështetja me fonde përmes programeve të ndryshme ka rritur interesin e fermerëve për shtrimin e sipërfaqeve të mbjella me produkte bujqësore.

Ndërsa vetë fermerët po bëjnë edhe zgjedhjen për kulturat që preferojnë të kultivojnë më shumë, të cilat janë më të kërkuara edhe në tregjet e huaja, prej të cilave sigurojnë edhe më shumë të ardhura.

Vetëm gjatë vitit të fundit prodhimi i perimeve të freskëta në fushë u rrit me 1,24%, ndërsa gjeografia e shteteve ku eksportohet po zgjerohet në të katër kontinentet.