MENU
klinika

Profil/ Albert Kamy

“Një lider dhe një popull, një mësues dhe miliona skllevër”

14.10.2019 - 17:35

      Shkrimtar, filozof e gazetar francez, Albert Kamy do të fitonte çmimin “Nobel” në letërsi, në vitin 1957.

Është i njohur për stilin karakteristik të shkrimit dhe me tematikat e veprave të tij. I gjithë opusi letrar i tij bazohet në idenë absurde të ekzistencës së njeriut.

Albert Kamy lindi në vitin 1913, në një familje tepër të thjeshtë, e shumë i vogël mbeti jetim, pa mundur ta njihte fytyrën e atit të tij të vrarë në llogoret e Luftës së Parë Botërore. Nëna e tij, Catherine Sintès, me origjinë spanjolle dhe analfabete, punonte në shtëpitë e botës që të mbante me bukë dy fëmijët e saj, Lucienin dhe Albertin. Kamyja kishte një dashuri të jashtëzakonshme për nënën e tij gjysmë të shurdhët, edhe pse ajo s’dinte të lexonte.

Ishte i sëmurë nga turbekulozi që në adoleshencë e kjo sëmundje do ta ndiqte Albertin dhe në rininë e tij, duke e penguar më vonë për të patur një jetë si gjithë të tjerët. Pasioni i tij ishte gazetaria, e filloi që në Algjeri, përmes Alger Republicain, Ce Soir e gazeta e tjera, duke vazhduar më pas me gazetën Combat në Francë. Ardhja në Francë do të përbënte një etapë vendimtare të jetës së tij letrare.

Albert Kamy nuk do ta braktiste kurrë gazetarinë, profesionin e tij të parë. Aq më tepër gjatë luftës, kur jeta klandestine e shtyu atë drejt shtypit klandestin për të pohuar të vërtetën e asaj lufte, pasi në ndeshjen e madhe midis robërisë dhe lirisë, të vërtetës dhe demagogjisë, ishte në fakt lufta për triumfin e së vërtetës.

Filozofia e tij e njohur si filozofi e absurdit trajtohet përgjithësisht tek eseu i tij “Miti i Sizifit” dhe novela “I Huaji”. “Miti i Sizifit” i vendosur në projektin kamyzian nuk është vetëm një e dhënë nga mitologjia. Përmes Kamys, Sizifi bëhet personazhi kyç i filozofisë së tij e njohur si filozofi e absurdit. Kur Kamy tregon mitin për Sizifin, të cilin perënditë e kishin dënuar që ta ngrisë e rrokullis një shkëmb pandërprerë, ai me ketë na tregon se ky nuk është fati tragjik vetëm i Sizifit, por i gjithë njerëzimit.

Në një mënyrë apo tjetër ne të gjithë jemi, vuajmë dhe ndajmë fatin e Sizifit. Të gjithë jemi të dënuar sikurse Sizifi: hedhemi në botë, jetojmë dhe në fund që të gjithë vdesim. Pra, në fund të gjithë e ndajmë të njëjtin fat: vdekjen. Ky pranim, apo tundim, mes të përjetshmes dhe të fundmës na zbulon absurdin. Si ballafaqim i njeriut me botën, absurdi është vetëdija e njeriut për veten dhe situatën e tij ekzistenciale. Kjo vetëdije është veçse pranim i një fati që e ndajmë të gjithë: vetëdijesimi për faktin se nuk jemi të përjetshëm.

Të qenit në absurd, është të jetosh pa shpresë, pa të ardhme dhe pa qëllime.

Njeriu aburd për Kamyn është njeriu i pashpresë. Shpresa në ekzistencializmin e Kamys trajtohet si kategori religjioze dhe prandaj kuintesenca e saj është një jetë joautentike. Derisa të jetuarit në absurd është para së gjithash të jetuarit pa shpresën; pra të jetuarit në të tashmën. Sipas Kamys njëriu që jeton me shpresë jeton në të ardhmen: Njeriu absurd është njeriu i vetëdijshëm se bota nuk mund të shpjegohet. Prandaj Sartre në një ese për Kamyn thotë që “njeriu absurd nuk e shpjegon botën por vetëm e përshkruan atë”.

“I huaji” është romani i tij i parë dhe është botuar më 1942. Është një vepër që koncentrohet në aspektet më negative të njeriut. Një vepër që simbolizon absurditetin e jetës. Efekti i absurdit hiperbolizohet qëllimisht për të krijuar një atmosferë sa më të zymtë brenda veprës.

Ndër veprat e fundit të shkruara janë “Murtaja” dhe “Rebeli”. Te “Murtaja”, për të vetmen herë Kamyja fokusohet në anët pozitive të njeriut. Prapë i qaset temës së preferuar të absurdit ku tregon se njeriu nuk mund ta pranojë mungesën e shpresës pa luftuar. Narratori këtu tregon përpjekjen e tij për ta luftuar sëmundjen që po përhapet. Tregon për sfidat njerëzore kundër vuajtjes dhe të ligës si sfidat kryesore të njeriut.

Kurse “Rebeli” është një tjetër ese me qasje filozofike dhe politike. Kjo vepër tregon që njeriu nuk duhet ta durojë të paarsyeshmen e botës dhe në të njëjtën kohë të bëjë dallime mes nocioneve “revoltë” dhe “revolucion”. Këtu mbështet idenë që qëllimi nuk mund ta arsyetojë metodën.

Në vitin 1957 Kamy mori çmimin Nobel në Letërsi pasi ishte nominuar dy herë (më 1949 dhe 1950). Sipas akademisë ai shpërblehet për veprat të cilat me zell ndriçojnë sado pak problemet e ndërgjegjes njerëzore.

Kamy ndërroi jetë në 4 Janar të vitit 1960, në një aksident me makinë.Atë ditë humbi jetën Albert Kamy, filozofi i famshëm dhe shkrimtari më i madh i botës, pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë mendimet e tij, shpesh konsideruar të çuditshme vlejnë shumë.

Disa nga aforizmat e tij më të famshme janë:
-Mos ec pas meje. Mund të të mos drejtoj dot. Mos ec para meje. Mund të të mos ndjek dot. Thjesht ec përkrah meje dhe ji miku im.
– Vjeshta është një pranverë e dytë, ku çdo lule është një gjethe.
– Një shtyp i lirë, natyrisht, mund të jetë i mirë ose i keq, por, në mënyrën më të sigurtë, pa liri shtypi nuk do të jetë gjë tjetër veçse i keq.
– Një ndërgjegje fajtore ka nevojë të rrëfehet. Një vepër arti është një rrëfesë.
– Një njeri pa etikë është një bishë e humbur në këtë botë.
– Liria nuk është gjë tjetër veçse një shans për të qenë më mirë.
– Ai që dëshpërohet nga gjendja njerëzore është burracak, por ai që shpreson për të është budalla.
– Një lider dhe një popull, një mësues dhe miliona skllevër.
– Ata që iu mungon guximi mund të gjejnë gjithmonë një filozofi për ta justifikuar atë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Portretet që kapërcejnë kohën

Një filozof për çdo artist

“Të gjymtuar, lipset ta shohim si një vepër të plotë”

“Njeriu i revoltuar” i Kamy: Revoltohem, prandaj jemi!


Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB