Ka qenë një ditë speciale për djaloshin 10 vjecar Santi Vata. Ai është vizituar nga dy lojtarët e kombëtares kuqezi, Bekim Balaj dhe Odise Rosi, në Spitalin e Traumës.
Vata ndodhet i shtruar dhe po merr ndihmën e duhur mjekësore, pasi u lëndua gjatë tërmetit fatal të 26 nëntorit. Një fanellë kuqezi, me emrin e tij mbrapa, ka qenë “qershia mbi tortë” e kësaj vizite, që ia ka bërë këtë të shtunë të veçantë 10-vjeçarit.
Ka qenë FSHF-ja, ajo që ka bërë me dije gjithçka, përmes faqes së vet në internet, teksa shkruan: “Vogëlushi 10-vjeçar, Santi Vata, ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Tërmeti që goditi vendin tonë, fatkeqësisht e la të lënduar si dhe dëmtoi rëndë shtëpinë e tij. Një surpizë për të ishte vizita që FSHF organizoi për këtë tifoz të vogël e të zjarrtë të kombëtares.
Futbollistët e kombëtares sonë, Bekim Balaj dhe Odise Roshi, erdhën posaçërisht në Tiranë për ta takuar Santin dhe për t’iu gjendur pranë në këtë moment të vështirë.
Balaj dhe Roshi i kanë dhuruar tifozit të vogël një fanellë të kombëtares me emrin e vogëlushit, me numrin 10, me rmat e tyre, si dhe një top.
Dy djemtë e suksesshëm të kombëtares i kanë dhënë kurajo dhe forcë Santit dhe i kanë premtuar se do ta marrin në “Air Albania Stadium” në një nga ndeshjet e ardhshme të përfaqësueses sonë.”
“Jemi përfshirë në mënyrë aktive, që nga dita e parë si futbollistë të kombëtares, së bashku edhe më shumë familjarë, miq e kolegët tanë futbollistë të kombësive të ndryshme, në klubet ku jemi të angazhuar, që të ndihmojmë në këtë fatkeqësi” – tha Bekim Balaj.