MENU
klinika

Rezultatet e sondazheve

Britania voton sot/ Kush do të jetë kryeministri?

12.12.2019 - 09:23

Britania zgjedh sot qeverinë e re, për herë të dytë qëkur Mbretëria e Bashkuar votoi për Brexit-in, apo daljen nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri aktual, Boris Johnson, është zotuar se do ta përfundojë procesin, megjithëse ai është zvarritur me vite për shkak të mospajtimeve të thella politike mbi kushtet e divorcit.

Ende nuk dihet saktë se kur do të ndodhë, edhe pse 31 janari është caktuar si datë e mundshme.

Udhëheqësi i Partisë opozitare Laburiste, Jeremy Corbyn, nuk pajtohet me qëndrimin e Johnsonit se Brexit-i duhet të kryhet me ose pa marrëveshje.

Dhe ai, në qendër të fushatës së tij ka pasur kujdesin shëndetësor. Corbyn e ka portretizuar veten si mbrojtës të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit dhe është zotuar se do të rrisë shpenzimet për të.

Votuesit zgjedhin një përfaqësues nga qarku i tyre lokal. Në total, 650 ligjvënës, një nga secili qark, do të zgjidhen anëtarë të Parlamentit, i cili vendos për ligjet dhe politikat e vendit.

Partia Konservatore (e Johnsonit) dhe ajo Laburiste janë më të mëdhatë, ndërsa në garë janë edhe disa parti më të vogla. Nëse njëra parti fiton më shumë se gjysmën e vendeve në Parlament, ajo do të formojë qeverinë dhe lideri i saj do të bëhet kryeministër.

Kur kryeministrja Theresa May i  thirri zgjedhjet e përgjithshme më 2017, dhe sondazhet tregonin se ajo do të fitonte. Por, gjërat nuk shkuan sipas planeve.

Këtë herë, Sondazhet kombëtare tregojnë se Partia Konservatore ka përparësi.

Kështu ka treguar edhe një anketë e kryer nga kompania e respektuar, YouGov, megjithëse analistët paralajmërojnë se të gjitha këto nuk janë të sigurta.

Qytetarët që duan të qëndrojnë në Bashkimin Evropian, janë të ndarë midis disa partive, ndërsa ata pro Brexit-it duket se janë të bashkuar kryesisht pas Konservatorëve.