Shteti i Katarit vazhdon mbështetjen e tij për Shqipërinë me ofrimin e ndihmave për të prekurit nga tërmeti që goditi vendin më 26 nëntor 2019.
Një delegacion nga Gjysmëhëna e Kuqe e Katarit aktualisht është duke inspektuar situatën në zonat e dëmtuara për t’i ardhur në ndihmë banorëve, si dhe për të studiuar nevojat e vendit për rindërtim dhe mundësinë e zbatimit të programeve ekonomike për familjet në nevojë.
Të premten e djeshme, delegacioni i Gjysmëhënës së Kuqe Katariane në koordinim me Kryqin e Kuq Shqiptar, shpërndau ndihma dhe materiale të tjera për familjet e prekura në disa zona. Gjatë shpërndarjes ishin të pranishëm Ambasadori i Katarit z. Ali bin Hamad Al Marri, Prefekti i Durrësit z. Roland Sato, dhe Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar z. Ylli Alushi.
Ambasadori i Katarit theksoi me këtë rast se këto ndihma janë në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme që Shteti i Katarit nën direktivat e HH Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, i jep Republikës së Shqipërisë dhe popullit mik shqiptar.
“Ndihmat nga Gjysmëhëna e Kuqe Katariane në partneritet me Fondin e Katarit për Zhvillim, do ti ofrohen 700 familjeve të prekura nga tërmeti në disa zona të ndryshme, veçanërisht zonat me terren të vështirë dhe njerëzve më në nevojë”– tha ai, duke siguruar se ndihma katariane nuk do të ndalet përgjatë gjithë situatës së vështirë që po kalon vendi.
Delegacioni i Gjysmëhënës së Kuqe Katariane ndau dje sasi ndihmash në zonën e Milotit dhe Katund i Ri në Qarkun Durrës. Ndihmat përfshijnë pako ushqimore, artikuj të higjienës familjare, rroba dimërore, batanije dhe materiale të tjera. Gjysmëhëna e Kuqe Katariane vazhdon shpërndarjen e ndihmave edhe sot, dhe në ditët në vijim do të asistojë edhe disa zona të tjera të prekura.
Shteti i Katarit i qëndroi pranë Shqipërisë dhe popullit shqiptar që në ditën e parë të tërmetit, duke ofruar ndihma urgjente përmes Fondit të Katarit për Zhvillim në bashkëpunim me Qatar Charity, nën kujdesin dhe pjesëmarrjen e vetë Ambasadorit të Katarit në Shqipëri.