Kryeministri britanik Boris Johnson tha se ai “kishte gabuar” për Rusinë dhe se ai nuk beson më se është e mundur të “rregullohen” marrëdhëniet me Moskën, pasi ka shumë dallime mes dy vendeve.
“Ajo për të cilën kam ndryshuar vërtet mendim është nëse është e mundur të rregullohen marrëdhëniet me Rusinë,” i tha kryeministri revistës britanike Spectator, në një artikull të botuar në 23 dhjetor.
“Unë me të vërtetë kam menduar se mund ti rregullojmë marrëdhëniet me Rusinë. Se është një vend i shkëlqyer me të cilin luftuam kundër fashizmit,” u përgjigj ai pasi u pyet nga revista “Kur ke ndryshuar mendim” për diçka.
“Ishte shumë, shumë zhgënjyese që gabova,” tha Johnson, i cili ishte sekretari i jashtëm i Britanisë nga 2016 deri në 2018 dhe u bë kryeministènë korrik 2019.
Komentet vijnë pasi Johnson më 21 dhjetor tha gjatë një vizite në Estoni se ai shpresonte të përmirësonte marrëdhëniet me Rusinë, por që të dy kombet kishin “probleme të tmerrshme”.
Johnson foli për këto në një intervistë me ERR të Estonisë, ndërkohë që ishte duke vizituar 850 ushtarë britanikë që shërbenin në vendin baltik për të kundërshtuar atë që Perëndimi e sheh si agresion nga Rusia pas aneksimit të Gadishullit të Krimesë të Ukrainës dhe mbështetjes për separatistët në lindje.
Në intervistë, Johnson tha se “Unë, si shumë njerëz në Evropën Perëndimore, gjithmonë shpresoj se mund të kemi marrëdhënie më të mira me Rusinë. Gjithmonë shpresoj”.
“Ne duam të kemi marrëdhënie më të mira tregtare, duam të kemi më shumë tregti, por gjithnjë është kaq zhgënjyese sepse kemi probleme të tmerrshme,” shtoi ai.
Johnson përmendi incidentin në qytetin anglez të Salisbury në të cilin ish-agjenti i dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia, u gjetën pa ndjenja më 4 mars 2018.
Më vonë u zbulua se ata ishin helmuar ndaj Novichok, një agjent nervor ushtarak i krijuar nga sovjetikët dhe Britania dhe Perëndimi fajësuan Moskën për sulmin. Rusia mohoi përfshirjen.
Përkthyer dhe përshtatur nga Radio Free Liberty