As në ditën e Krishtlindjeve nuk munguan përleshjet midis policisë dhe protestuesve pro-demokracisë në Hong-Kong.
Policia përdori gaz lotësjellës kundër demonstruesve që u mblodhën përsëri në disa sheshe.
Protestat e fundit filluan në prag të Krishtlindjes, me policët që luftuan aktivistët që po hidhnin bomba benzinë.
Udhëheqësja e Hong-Kongut Carrie Lam tha që shumë banorë dhe turistë ishin ankuar sepse festa e Krishtlindjes ishte shkatërruar nga “një grup rebelësh të pamatur dhe egoistë”.
“Akte të tilla të paligjshme jo vetëm që e kanë ftohur gjendjen festive, por gjithashtu kanë prekur negativisht bizneset lokale,” tha ajo në një postim në Facebook të mërkurën.
Protestat filluan në qershor, duke kundërshtuar një projekt-ligj që do të lejonte ekstradimin e të dyshuarve në territorin e Kinës.
Projekt-ligji u tërhoq më vonë, por demonstratat që atëherë kanë evoluar në një lëvizje më të gjerë duke kërkuar hetime për brutalitetin e policisë dhe reformën demokratike.
Protestat, të cilat ishin kryesisht paqësore javët e fundit, janë bërë disi agresive së fundmi.
Të mërkurën qindra aktivistë marshuan nëpër qendra tregtare, me parulla të tilla si “Çlironi Hong-Kongun! Revolucioni i kohërave tona!”.
Hong-Kongu ishte një koloni britanike deri në vitin 1997, pas së cilës kaloi nën kontrollin e Kinës, me marrëveshjen “një vend, dy sisteme”.
Sipas marrëveshjes, Hong-Kongu pritet të ketë një shkallë të lartë të autonomisë nga Kina kontinentale, dhe banorët gëzojnë më shumë liri sesa ata në kontinent.
Përkthyer dhe përshtatur nga BBC/ konica.al