Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka akuzuar Iranin për përdorim të “dhunës” dhe ndërprerje të qasjes në internet për të penguar përkujtimin e atyre që u vranë gjatë protestave kundër ngritjes së cmimit të naftës, në muajin nëntor.
“Iranianët kanë të drejtë të përkujtojnë 1,500 viktimat e masakruara nga Khamenei gjatë protestave në Iran”, tha Pompeo në një postim në Twitter, duke akuzuar drejtëpërsëdrejti liderin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Sipas mediave lokale, qasja në internet është ndërprerë që nga 25 dhjetori në disa pjesë të Iranit, para përkujtimit të viktimave më 26 dhjetor.
Autoritetet kanë arrestuar disa persona në Karaj, vendin ku u varrosën viktimat ëë u vranë 40 ditë më parë.
“Regjimi i frikësohet qytetarëve të vet dhe ka rikthyer dhunën si dhe ka ndërprerë qasjen në internet”, shtoi Pompeo në Twitter.
SHBA-ja kishte thënë më herët se autoritetet iraniane kanë vrarë më shumë se 1,000 persona në protestat e nëntorit.
Tehrani ka kundërshtuar këto shifra, por duke mos dhënë një numër të saktë të viktimave.