Tërmeti i 26 nëntorit arriti të shkaktonte jo pak pasoja të dhimbshme në vendin tonë.
Gjendja e jashtëzakonshme e krijuar prej tij bëri që Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural të shtyjë me një muaj afatin e aplikimit, deri më 15 janar 2020, për thirrjen e dytë të programit IPARD. Kujtojmë se në këtë program janë investuar 57.6 milion euro, vetëm në mbështetje të agrobiznesit dhe fermerëve.
“Ka pasur një fluks aplikimesh dhe duke u nisur nga problematika e thirrjes së parë, këtë radhë janë bërë disa lehtësira, në mënyrë që subjektet ta kenë më të thjeshtë përthithjen e fondeve”– sipas AZHBR-së.
Aplikantët kanë më shumë kohë për të plotësuar dokumentacionin shtesë që kërkohet nga AZHBR në 15 ditë pune dhe janë përfshirë si të lejuara kontratat e huapërdorjes ose kontratat pa kundërshpërblim për marrjen në përdorim të një pasurie, si dhe u është dhënë mundësi për të aplikuar për rikonstruksionin e thertoreve.
- Është parashikuar financimi i tre masave në thirrjen e dytë:
-Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit.
-Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore;
-Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore;
Financimi fillon me një minimum prej 10 mijë eurosh dhe maksimum deri në 2 milionë euro. Përqindja e mbështetjes me fonde publike arrin deri në 70 për qind të totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.
Aplikimet kanë filluar tashmë që prej datës 30 Tetor, por për çdo aplikim që mbërrin pas datës 15 Janar 2020 zyrat qëndrore AZHBR ka vendosur ta refuzojë.