MENU
klinika

Ç'ndodhi në samitin e Londrës?

Pse Turqia kërkon t’i prishë planet NATOS?

10.12.2019 - 18:48

Ankaraja nuk ka hequr dorë nga synimet e saj për të penguar vendimet përfundimtare në lidhje me planin e mbrojtjes të Polonisë dhe shteteve baltike të NATO-s.

Siç raportoi EURACTIV nga samiti i Londrës javën e kaluar, Turqia kishte kërcënuar të pengonte një marrëveshje të NATO-s për mbrojtjen e Polonisë dhe shteteve baltike, veçse nëse aleanca binte dakord t’i konsideronte luftëtarët kurdë sirianë si terroristë.

Ankaraja e sheh YPG, degën kryesore të Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA, si një grup terrorist të lidhur me kryengritësit kurdë, dhe është zemëruar nga mbështetja që aleatët e saj të NATO-s i kanë dhënë militisë në luftimin e militantëve të Shtetit Islamik në Siri.

Presidenti polak Andrzej Duda tha të martën (3 dhjetor) se pret një zgjidhje gjatë mbledhjes dy-ditore të NATO-s në Londër pasi Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kërcënoi të refuzonte planet ushtarake për Poloninë dhe shtetet e Balltikut.

Përfundimisht, pas takimit në Londër, u njoftua se Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka rënë dakord të miratojë planin e mbrojtjes.

Megjithëse nuk ishte e qartë pse Erdogan hoqi dorë nga kërkesa pas bisedimeve të së mërkurës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg konfirmoi për gazetarët se nuk kishte pasur asnjë diskutim për milicinë kurde gjatë seancës që mund të kishte ndryshuar qëndrimin e tij, ndërsa burimet thanë se kishte pasur një takim të paplanifikuar midis Erdogan dhe Trump.

Sidoqoftë, duke folur para gazetarëve pas samitit, Erdogan tha që aleatët e NATO-s nuk duhet të braktisin Turqinë në luftën e saj kundër terrorizmit pasi ai miratoi planin Poloni-Baltik me kërkesë të drejtuesve të Francës, Gjermanisë, Polonisë dhe me insistimin e Stoltenberg.

Dy ditë më vonë, gjatë një vizite në Itali, Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu tha se qëndrimi i Ankarasë për këtë çështje nuk ka ndryshuar.

Çavuşoğlu deklaroi se Turqia ranë dakord të kalojë në “fazën tjetër të marrëveshjeve”, por absolutisht nuk ra dakord për asnjë marrëveshje në lidhje me aprovimin e vetë planit të mbrojtjes, duke theksuar se “nuk ka kompromis”.

Gjatë samitit të javës së kaluar në NATO, njoftimi provokoi një reagim nga vendet anëtare të Evropës Lindore, të cilët tashmë janë të shqetësuar për angazhimin e disa prej aleatëve të tyre të NATO-s për mbrojtjen e tyre pas komenteve të Macron.

Udhëheqësit e Evropës Perëndimore duket se po humbasin durimin me Turqinë, për të cilën ata thonë se nën Erdogan po rrëshqet më tej në autoritarizëm.

Në muajt e fundit, shumë aleatë dhe zyrtarë të NATO-s vazhdimisht shprehin shqetësime për zhvendosjen e Turqisë brenda aleancës, veçanërisht pas blerjes së sistemit të mbrojtjes raketore S-400 ruse nga Ankaraja.

Sipas një zyrtari të lartë të agjencisë ruse të bashkëpunimit ushtarak, të cituar nga Interfax, Rusia dhe Turqia po punojnë për një kontratë për furnizimin e një serie të re të sistemeve ruse anti-ajrore dhe raketore S-400 ruse, me Moskën që shpreson të përfundojë marrëveshjen në gjysmën e parë të vitit 2020.

Përkthyer dhe përshtatur nga Euractiv/ konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Editorial i Wall Street Journal

Erdogan duhet të vuajë meqë zgjodhi Putinin