MENU
klinika

Ç'ndodhi këtë herë?

Qipro, një tjetër “mollë sherri” mes Turqisë e SHBA-së

18.12.2019 - 15:45

Turqia ka paralajmëruar se masa e SHBA-së për të hequr një embargo (masë që merr një qeveri për të mos nxjerrë jashtë shtetit ose për të mos sjellë nga jashtë mallra, valuta etj).disa vjeçare të armëve mbi Qipron do të ishte një “përshkallëzim i rrezikshëm” pasi marrëdhëniet janë përkeqësuar më tej midis aleatëve të NATO-s.

Kongresi amerikan votoi të martën për t’i dhënë fund embargos në ishull, e cila u vendos në 1987 për të shmangur një garë armësh dhe për të inkurajuar zgjidhjen e konfliktit.

Qiproja është e ndarë që nga viti 1974 kur Turqia e pushtoi atë, si përgjigje ndaj një grushti shteti të krijuar nga regjimi i atëhershëm ushtarak në Athinë.

Vendimi amerikan “nuk do të ketë rezultat tjetër përveç se do të pengojë përpjekjet për një zgjidhje në ishull dhe krijimin e një përshkallëzimi të rrezikshëm”, tha ministria e jashtme turke në një deklaratë të martën.

Masa e SHBA u miratua si pjesë e një projekt-ligji të madh të shpenzimeve për mbrojtjen që kaloi të dyja dhomat e Kongresit amerikan, me presidentin Donald Trump që pritet ta nënshkruajë atë në ligj.

Marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Uashingtonit janë në një nga momentet më të këqija në historinë e kohëve të fundit.

Ekzistojnë mosmarrëveshje të shumta që shkaktojnë tensione, përfshirë mbështetjen e SHBA për milinë kurde Siriane, të shikuar nga Turqia si “terroristë”, dhe blerjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400.

Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar të vendosn sanksione të mëtejshme për marrëveshjen S-400 pasi larguan Turqinë nga programi i saj luftarak F-35 në fillim të këtij viti.

Ministria e jashtme turke premtoi të përgjigjet ndaj “iniciativave kundër Turqisë”, duke thënë: “Gjuha e kërcënimeve dhe sanksioneve nuk do ta pengojë kurrë Turqinë të ndërmarrë hapa për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare”.

Përkthyer dhe përshtatur nga Al Jazeera/ konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN