Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut gjatë mbledhjes së ditës së sotme shqyrtoi projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.
“Thelbi i këtij projektligji është t’u japë një mundësi qytetarëve për të rivlerësuar pasuritë e patundshme, pronën e tyre me vlerën historike prej 3%. Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka propozuar që kjo vlerë të ulet në 2%.
Ky projektligj do t’u japë mundësinë rreth 60 mijë familjeve të përfitojnë dhe gjithashtu është edhe një përfitim për buxhetin e shtetit. Mendojmë që për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve tanë por edhe grupeve të interesit, shtrirja e periudhës së rivlerësimit të jetë 30 gusht 2020 po edhe mundësia e zgjatjes së kësaj periudhe deri më 30 shtator 2020 është një tjetër propozim në mënyrë që të përfitojnë edhe emigrantët të cilët gjatë kësaj periudhe kthehen në shtëpitë e tyre.
Mendoj që ky projektligj duhet të prekë edhe qytetarët që janë në proces legalizimi por kjo i takon ligjvënësit të vendosë”– u shpreh Ahmetaj.
“Ky propozim është një risi pozitive për shtimin e të ardhurave duke pasur parasysh faktin se edhe në të shkuarën ky projektligj ka pasur një interes të madh së pari nga qytetarët por edhe për buxhetin e shtetit. Ky projektligj është i domosdoshëm e duhet të realizohet”– tha relatori i këtij projektligji, Bashkim Fino.
Pas diskutimeve anëtarët e komisionit miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” e vendosën t’ia përcjellin atë komisionit përgjegjës dhe seancës plenare.