MENU
klinika

Editoriali i The New York Times

I pavdekshmi Putin!

19.01.2020 - 17:21

Autokratët e vjetër rrallë japin dorëheqjen.

Kështu që kur Vladimir Putin hodhi propozime për disa ndryshime në Kushtetutën ruse të mërkurën e kaluar, e ndjekur menjëherë nga dorëheqja e të gjithë qeverisë, mendohej se presidenti, i cili është 67 vjeç, po krijonte rrethanat për të zgjatur “mbretërimin” e tij 20-vjeçar përpara përfundimit të mandatit të tij aktual në 2024.

Herën e fundit që Putin kërkoi të zgjatur qëndrimin e tij në pushtet, rusët dolën në rrugë të indinjuar.

Kështu që kësaj radhe, duke i befasuar të gjithë, presidenti i nisi manovrat katër vjet përpara,  duke i bërë të gjithë mjaftueshëm konfuzë për të bërë rezistencë.

Ajo që ai propozoi ishte: t’i jepte dhomës së ulët të Parlamentit më shumë fuqi për të zgjedhur ministrat e kabinetit, përfshirë kryeministrin, të gjithë të cilët aktualisht propozohen nga presidenti; të ndalojë një president që të shërbejë më shumë se dy mandate në përgjithësi; dhe t’i jepte disa “dhëmbë” Këshillit të Shtetit, që aktualisht është pa dhëmbë.

Putin emëroi si kryeministër dikë që nuk e njihte askush, Mikhail Mishustin, deri tani kryetari i autoritetit tatimor. Mishustin nuk është konsideruar asnjëherë kërcënim për Putinin, dhe ai di shumë sekrete që mund të ndihmojnë shefin e tij nëse dikush nga elita merr pushtetin.

Masat bënë që të sugjeroheshin disa skenarë. Më bindëse ishte që Putin do të mbante kontrollin përmes Këshillit Shtetëror të sapofuqizuar.

Pasardhësi i tij si president do të kishte shumë pak fuqi, dhe kështu Putin do të kishte prapë fuqi të konsiderueshme.

Avantazhi i këtij sistemi do të ishte që, Putin mund të fajësonte kryeministrin për çdo mangësi, dhe gjithashtu Parlamentin për emërimin e kryeministrit.

Pavarësisht se cili është qëllimi përfundimtar, Putin ka autoritetin dhe popullaritetin për të përfunduar ndryshimet kushtetuese përmes një referendumi, pa ndonjë rezistencë të rrezikshme, dhe ka gjithë kohën e mjafueshme për të planifikuar veprimin e tij të ardhshëm.

Për Perëndimin kjo do të thotë se nuk do të ketë ndryshime në politikë deri në vitin 2024, dhe ndoshta shumë pak pas tij.

Përkthyer dhe përshtatur nga The New York Times/ konica.al