MENU
klinika

Programi i rindërtimit/ "Buxheti 2020, vendim i duhur"

FMN: Rritja ekonomike do t’i kthehet nivelit potencial

15.02.2020 - 13:08

Shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Jan Kees Martijn, deklaroi se raporti i vlerësimit të nevojave pas tërmetit të 26 nëntorit të kaluar përbën një element të rëndësishëm për konferencën e donatorëve që do të mbahet më 17 shkurt, në Bruksel.

Në një intervistë për një nga mediat në vend, Martijn tha se raporti do të orientojë vlerësimin nga donatorët të nevojave për fonde për të ndihmuar financimin e kostove të Rimëkëmbjes.

“Raporti i vlerësimit të nevojave pas fatkeqësisë i publikuar disa ditë më parë është përgatitur bashkërisht nga autoritetet shqiptare, Bashkimi Europian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore dhe bazohet në një metodologji të përbashkët që zbatohet për vendet e prekura nga fatkeqësitë natyrore. Ky vlerësim do të jetë një element i rëndësishëm për Konferencën e Donatorëve në 17 shkurt në Bruksel.

Ai do të orientojë vlerësimin nga donatorët të nevojave për fonde për të ndihmuar financimin e kostove të rimëkëmbjes. Është e rëndësishme që Shqipëria të sigurojë mbështetje ndërkombëtare për të lehtësuar barrën, por do të na duhet të presim konferencën për të mësuar angazhimet që do të ndërmarrin donatorët dhe se në çfarë forme do të jetë mbështetja e tyre. Koha dhe madhësia e disbursimeve faktike do të bëhet e qartë vetëm gradualisht pas konferences”, shprehet Martijn.

Më tej, përfaqësuesi i FMN-së, thotë se qeveria mori vendimin e duhur kur amendoi buxhetin e vitit 2020 për të akomoduar shpenzime më të larta për të lehtësuar pasojat e tërmetit.

“Autoritetet gjithashtu kanë krijuar struktura të posaçme për të menaxhuar projektin e rindërtimit. Është e rëndësishme që këto struktura të kenë një mandat të qartë dhe të veprojnë me përgjegjshmëri dhe transparencë. Një tjetër prioritet do të jetë që ato të zbatojnë standardet e menaxhimit të financave publike në menaxhimin e fondeve si të brendshme apo të financimeve nga donatorët si dhe zbatimi i standardeve të ndërtimit, për të siguruar që rindërtimi do jetë cilësor, pa kosto të tepërta dhe që do t’i japë prioritet njerëzve më në nevojë, si dhe do të marrë në konsideratë çfarë do të bëjë sektori privat për të siguruar rikuperimin më të shpejtë të mundshëm. Së fundmi, ne do të këshillonim kundër dhënies së përjashtimeve të reja apo masave lehtësuese tatimore që e bëjnë sistemin e taksave më të ndërlikuar dhe më të vështirë për t’u administruar”, thotë Martijn.

Për shefin e misionit të FMN-së në Shqipëri, se pavarësisht ndikimit në ekonomi të tërmetit, presim që në afatin e mesëm rritja ekonomike do t’i kthehet nivelit të saj potencial prej rreth 3.7%.

“Fatkeqësisht, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi humbje jetësh dhe dëme të rënda që shkuan në rreth 7% të PBB-së, siç u dokumentua nga raporti i vlerësimit të dëmeve. Tërmeti ndërpreu aktivitetin në një nga zonat më ekonomikisht dinamike të Shqipërisë dhe ne gjithashtu presim që do të ketë një ndikim të përkohshëm në uljen e turizmit. Si rezultat ne mendojmë që tërmeti uli rritjen në fund të vitit 2019 dhe do të ketë ndikim edhe ne 2020.

Në jemi tani në procesin e vlerësimi të ndikimit në ulje tek rritja si dhe ndikimit kompensues nga programi i pritshëm i rindërtimit dhe duhet t’i kemi parashikimet tona të rifreskuara në fillim të pranverës. Ne presim që në afatin e mesëm rritja ekonomike do t’i kthehet nivelit të saj potencial prej rreth 3.7%”, deklaori Martijn.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rindërtimi, investimet dhe rritja ekonomike

‘Themelet’ mbi të cilat u ngrit buxheti 2020