Reforma në sektorin energjetik është një ndër reformat kryesore të ndërmarra nga qeveria shqiptare gjatë këtyre viteve. Nga një sektor gërryes i financave dhe buxhetit të shtetit, tanimë sektori energjetik kontribuon në ekonominë e vendit.
Sipas të dhënave niveli i humbjeve nga 45% në vitin 2013-n, zbriti në 21.7% në fund të vitit 2019, ndërsa niveli i arkëtimeve në këtë hark kohor thuajse është dyfishuar.
Referuar statistikave në vitin 2013, OSHEE arrinte të mblidhte vetëm 38 % të energjisë së konsumuar, ndërsa sot kjo shifër shënon 65% të energjisë së shpërndarë në rrjet. Edhe raporti “Doing Business 2020” vlerësoi se Shqipëria renditej mirë në furnizimin me energji elektrike.
“Shqipëria rriti besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike duke përdorur një sistem automatik të kontrollit mbikëqyrës dhe blerjes së të dhënave (SCADA) për monitorimin e ndërprerjeve dhe restaurimin e shërbimit”, thuhet në raport.
OSHEE në 5 vitet e fundit investoi në total afro 280 milionë euro, të cilat janë shtrirë në nënstacionet, rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike, kabinat, sistemin e matjes apo monitorimit. Investimet përmirësuan ndjeshëm treguesit e cilësisë së furnizimit me energji elektrike.
“Pavarësisht sfidave, OSHEE ka performuar pozitivisht në arritjen e objektivave, duke ulur më tej nivelin e humbjeve dhe rritur arkëtimet, pa cënuar shërbimin ndaj klientit”, tha OSHEE.