Presidenti francez Emmanuel Macron ka shkruar një letër për britanikët me rastin e Brexit duke kërkuar të japë siguri se Franca do të jetë akoma shtëpi për shumë britanikë në Francë.
Letra u publikua në mëngjesin pas Brexitit, duke vazhduar fjalët që ai foli në fjalimin e ditës së Brexitit nga Elysée. Në fjalimin, që e postoi edhe në Facebook, ai tha: “Unë dua t’u them të gjithë britanikëve që jetojnë në Francë, se nesër në mëngjes gjërat nuk do të ndryshojnë për ta. Ata janë sot në shtëpi në Francë ashtu siç do të jenë nesër ”. “Për fat të keq” do të ketë disa pasoja praktike për “ata që nuk kanë kërkuar kombësi franceze”, tha ai.
Megjithatë ai tha që këto pasoja do të “zvogëlohen shumë”, për shkak të Marrëveshjes së Tërheqjes.
Asgjë praktike nuk do të ndryshonte nga 1 shkurt, tha ai, për shkak të periudhës së tranzicionit, shtoi ai. “Ju nuk do të zgjoheni nesër me rregulla ndryshe për jetën tuaj të përditshme.” Sidoqoftë “nuk do të jetë njësoj si marrëdhënia që kemi pasur për dekada. Askush nuk mund të jetë jashtë dhe brenda në të njëjtën kohë”, shkroi Emmanuel Macron.
Presidenti gjithashtu shkroi sekjo ishte një “zgjedhje demokratike që Franca e ka respektuar gjithmonë”, por se ai ndihej “i trishtuar me këtë largim”. Ai shkroi: “Unë po mendoj për qindra mijëra qytetarë francezë në Britani të Madhe dhe qytetarë britanikë në Francë, të cilët po pyesin për të drejtat e tyre dhe të ardhmen e tyre: Unë i siguroj se ne do t’i mbrojmë ata.”
Ai tha: “Të dashur miq britanikë, ju po largoheni nga Bashkimi Evropian, por nuk po largoheni nga Evropa. As nuk po shkëputeni nga Franca as miqësia e njerëzve të saj”.
Në letrën e tij Macron e quajti këtë veprim “një tronditje për evropianët” dhe tha se “Mbretëria e Bashkuar ka qenë një lojtar kryesor në projektin Evropian”.
Megjithatë, ai shtoi se largimi i Mbretërisë së Bashkuar ishte një tronditje e domosdoshme, e cila i bëri thirrje BE-së “të kuptojë arsyet për të dhe të mësojë nga ajo …. ” Presidenti zbuloi gjithashtu planet për ndërtimin e “një kapitulli të ri midis dy vendeve tona”, dhe tha se ai do të shkonte në Londër në qershor të këtij viti.