Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban vepron vazhdimisht jashtë konsensusit demokratik-humanist. Me të nuk duhet të bashkëpunohet.
Ç’qëndrim mban ndaj së drejtës? Vitet e fundit kjo është bërë një çështje thelbësore politike në Europë. E për këtë ka një arsye të fortë: Pothuajse në të gjitha vendet europiano-lindore të BE-së në pushtet marrin pjesë të ashtuquajturit populistë ose ekstremistë të djathtë, si në Hungari e Poloni, ku madje ato dominojnë si forcë politike. Në Austri dhe në Itali ato kanë qenë pjesë e koalicionbeve qeveritare, në shumë vende europiano-perëndimore të BE-së këto forca po forcohen duke u spostuar drejt politikës së qendrës.
Në Gjermani çështja, nëse demokratët duhet ose mund të bashkëpunojnë me ekstremistët e djathtë, është tashmë tema e ditës, pasi shkaktoi aktualisth edhe tërmetin më të fortë politik gjatë viteve të fundit – si të thuash një çarje të digës, një thyerje tabuje dhe kapërcimin e vijës së kuqe, sikurse etiketohen këto zhvillime në titujt e kryeartikujve. Shkak u bë mbështetja taktike e partisë AfD, të konsideruar si ekstremiste e djathtë për zgjedhjen e kryeministrit të landit të Tyringisë – një rast precedent në rrethana ende të pa zbardhura plotësisht.
Deri tani në Gjermani mbizotëronte një konsensus i qëndrueshëm, që në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë bashkëpunim me partinë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD). Rasti precedent në Erfurt i zhyti në krizë të thellë kryesisht kristiandemokratët (CDU) – kryetarja CDU-së Annegret Kramp-Karrenbauer deklaroi dorëheqjen si kryetare e partisë dhe si kandidate e ardhshme për postin e kancelares.
Përtej konsensusit demokratik?
Në kulmin e këtij tërmeti politik të hënën (10.02) qendroi për një vizitë të shkurtër në Berlin kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili u takua me kancelaren Angela Merkel. Koha kur u zhvillua kjo vizitë ishte sa e rastësishme aq edhe çuditshme: Ndërsa Annegret Kramp-Karrenbauer deklaroi dorëheqjen, sepse në parti nuk mund të vinte nën kontroll degën e landit në Tyringi, që synonte bashkëpunim me AfD-në, kancelarja priti një politikan, i cili i përket krahut edhe më ekstrem se AfD. Një person, që ndaj të cilit në Gjermani me shumë gjasë do të hetohej e madje vrojtohej prej mbrojtjes kushtetuese për shkak të dyshimeve për nxitje të urrejtjes në popull.
Kjo tingëllon e fortë dhe e ekzagjeruar. Megjithatë Viktor Orbán shprehimisht pranon demokracinë dhe e përcakton veten vazhdimisht si konservator të spektrit kristiandemokrat. Deri tani Orban nuk ka bërë ndonjë shkelje të hapur kushtetuese, gjatë reformimit të Hungarisë ai i përmbahet formalisht ligjit. Sidoqoftë sa më shumë ta ndjekësh Orbanin në veprimtarinë e tij të së përditshme, aq më shumë përshfaq ai imazhin e një politikani, që me vetëdije vazhdimisht e gjtihnjë e më shpesh vepron përtej konsensusit demokratik.
Ai prej kohësh përfaqëson pozicione folkloriko-etnike, si p.sh. kur thekson si vlera bashkuese bashkësinë popullore të të gjithë hungarezëve në “atdheun e gjakut” (një fjalim i Orbánit më 2012), krishtërimin, familjen dhe “lirinë hungareze” – çfarëdo qoftë ajo. Ai nxit ksenofobinë, kur etiketon vazhdimisht si imazh të armikut të rinjtë e rrezikshëm migrantë islamistë dhe bën fjalë për “fluksin e ndjellur në mënyrë të oganizuar të migrantëve”, i cili po shkatërron kulturën kristiane europiane. Orbán përdor narrativën e ekstremizmit të djathtë – ai bën fjalë për “botën-e pushtetit nën rrogoz” dhe “shkëmbimin e popullsisë” në Europë. Kur ai kritikon ekseset e kapitalizmit modern të financave ose në fushatat kundër miliarderit nga SHBA-ja George Soros, vazhdimisht përdor steriotipe antisemitiste. E vazhdimisht Orbáni apelon me reminishenca anti ciganëve, kur në veprimtari të romëve thotë, se në Hungari të gjithë duhet të punojnë dhe se nuk mund të jetohet prej ndihmës sociale dhe kriminalitetit.
Orbán e ka quajtur regjentin hungarez Miklós Horthy të periudhës midis luftrave, që ka qenë bashkëpërgjegjës për deportimin dhe asgjësimin e qindra mijëra hebrejve, një “burrë shteti”. Orbán disa herë është angazhuar për rivendosjen e dënimit me vdekje dhe madje justifikoi më 2017 një rast ekstrem të vetëgjyqësisë në fshatin hungarez, Öcsény: Asokohe një sipërmarrës nga ky rajon donte t’i dhuronte një familjeje refugjatësh që kishte fituar të drejtën e azilimit disa ditëpushime në fshat, si rrjedhojë atij ia shpuan gomat e makinës – Orbán konsideroi se në këtë rast “nuk kishte asgjë për t’u dënuar”.
“Ndjenja e shëndoshë popullore” – Si e kupton Orbani shtetin ligjor
Së fundi kryeministri hungarez flet në mënyrë eksplicite edhe kundër shtetit ligjor të pakufizuar – duke kërkuar, që të mos zbatohen vendime gjyqësore në fuqi, në rast se ato janë në kundërshtim me ndjenjën e shëndoshë popullore. Në këtë rast bëhet fjalë për zhdëmtimin e të burgosurve për shkak të kushteve jo humane të burgimit dhe për zhdëmtimin e fëmijëve të romëve për shkak segregacionit në shkollë. Lidhur me këtë temë qeveria hungareze do të mbajë në ditët e ardhëshme një të ashtuquajtur “pyetësor kombëtar”, që zakonisht harmonizon me fushatata të mëdha propagandisktike të qeverive.
Angela Merkel duhet ta dijë në vija të përgjithshme se cilat janë qendrimet e Orbánit. Kancelarja dhe kryeministri hungarez kanë raporte jashtëzakonisht të vështira dhe të distancuara. Megjithatë të dyja partitë e tyre – janë të paktën ende përkohësisht – të bashkuara në grupin e partive poopullore europiane (EPP). Fidesz nuk është përjashtuar nga EPP, por mbetet tani për tani një anëtare e suspenduar. Merkel vazhdon të bisedojë me Orbánin, edhe me qëllimin që të mos e detyrojë kryeministrin hungarez të zhvendoset drejt aleancave të tjera partiake.
Sidoqoftë një gjë duhet ta ketë të qartë kancelarja: Viktor Orbán pavarësisht lëshimeve të herë pas hershme për arsye taktike nuk do të tërhiqet nga nxitja e urrejtjes dhe ndezja e atmosferës shoqërore në Hungari dhe në rajon. Nëse ai, si edhe së fundi, ve në pikëpyetje një ndër ligjet më të shenjta të shtetit ligjor, pra zbatimin e vendimeve gjyqësore në fuqi, atëherë kjo do të thotë se ai parimisht shpreh gatishmërinë për të vënë në pikëpyetje të gjitha vlerat demokratike. Në këtë mënyrë kemi të bëjmë me shkelje kushtetuese dhe kësisoj hapjen e portës arbitrariteti shtetëror. Si rrjedhojë, me një njeri të tillë dhe partinë e tij nuk duhet të ketë një rrugë të përbashkët politike në EPP as edhe në forma të tjera. Gjithçka tjetër do të ishte si një thyerje tabuje.
Nga Deutsche Welle