MENU
klinika

Koha që ai të "japë llogari"

Shpërdoroi detyrën, Salvini del para ligjit!

13.02.2020 - 14:25

Senati Italian i hoqi imunitetin ish-ministrit të brendshëm. Tani kreu i partisë ekstremiste të krahut të djathtë Lega duhet të japë llogari para gjyqit për shpërdorim detyre dhe privim lirie për 116 refugjatë.

Tani u hap rruga për një proces gjyqësor kundër ish-ministrit të Brendshëm të Italisë, Matteo Salvini, për shkak të politikës së tij të ashpër ndaj refugjatëve. Shumica e Senatit në Romë votuan për heqjen e imunitetit të Salvinit. Kreu i ekstremit të djathtë, Lega, akuzohet nga një gjykatë në Catania për “shpërdorim detyre” dhe “heqje lirie”.

“Bruno Gregoretti” e bllokuar për ditë të tëra

Në dosjen e Catanias bëhet fjalë për 131 refugjatë, të cilët, në korrikun e vitit të kaluar, Salvini i kishte mbajtur të bllokuar në bordin e anijes “Bruno Gregoretti”. Salvini dhe Lega e tij, të  cilët ndiqnin një kurs të ashpër kundër imigrantëve, e kishin refuzuar për disa ditë që anija të hynte në një port italian. Vetëm kur vendet e tjera, përfshirë Gjermaninë, kishin pranuar të merrnin refugjatët në vendet e tyre, ai lejoi që anija të hynte në bregdet.

Pas votimit, Salvini tha: “Unë mbrojta Italinë e për këtë do të shkoj në gjyq. Por kam besim të plotë te gjykata”. Kreu i opozitës shtoi se ai nuk do të dënohet, sepse kishte mbrojtur kufijtë e italisë. Salvini ishte Ministër i Brendshëm nga qershori 2018 deri në fillim të shtatorit 2019.

Në rastin se dënohet ai kërcënohet me deri 15 vjet burg. Veç kësaj, atij mund t’i pezullohet aktiviteti politik për deri në 8 vjet. Në janar, komiteti përgjegjës parlamentar votoi për heqjen e imunitetit  të Salvinit. Tani edhe senati e miratoi këtë vendim duke hapur kështu rrugën për një gjyq ndaj Salvinit.

Ende e hapur çështje e anijes “Open Arms”

Drejtësia italiane ishte përpjekur edhe në mars të 2019-ës  t’i hiqte imunitetin Salvinit për shkak të refugjatëve. Por asokohe Senati kishte votuar kundër. kësaj kërkese  Atëherë bëhej fjalë për anijen “Diciotti”, e cila ishte mbajtur e bllokuar një vit më parë. Në atë periudhë, Salvini si ministër ishte përfaqësuesi i fortë i një qeverie të përbërë nga Lega dhe “Movimento 5 Stelle”.  Në Shtator 2019 në pushtet erdhi koalicion i ri i partisë M5S me socialdemokratët, duke zëvendësuar qeverinë e vjetër. Pas votimit të fundit, Senati duhet të vendosë për rastin e një anije tjetër shpëtimi të mbajtur e bllokuar gjatë kohës së Salvinit: “Open Arms”. Se kur mund të fillojnë proceset gjyqësore, kjo nuk dihet ende./DW/