MENU
klinika

"Receta e mamit"

Darkë për 10 minuta, rizoto me pesto rukole

08.03.2020 - 10:17

Përbërësit për 4-5 persona

  • 360 g oriz Carnaroli
  • 300 g rukola
  • 2 kunguj të vegjël
  • 100 g djathë Parmigiano i grirë
  • 30 g fara pishe, arra ose bajame
  • 1 qepë e vogël
  • 1 thelb hudhër
  • 1 lugë gjalpë
  • 1 gotë verë të bardhë
  • lëng perimesh i valuar
  • vaj ulliri, kripë, piper.

Përgatitja

Në një tenxhere, skuqim qepën e grirë hollë, me gjalpin. Pa marrë akoma ngjyrë, shtojmë orizin, të cilin e skuqim për 2-3 minuta. E shuajmë me verë dhe kur kjo të ketë avulluar, shtojmë një garuzhdë lëng perimesh. E lëmë orizin të ziejë duke shtuar lëng të valuar sipasnevojës në momentin kur ka shteruar lëngu që kemi hedhur më parë. Ndërkohë, në një tigan me pak
vaj ulliri skuqim kungujt e prerë në rrathë të hollë me hudhrën e shtypur. Këtë të fundit, e heqim kur të ketë marrë ngjyrë, ndërsa kungujt i lëmë në zjarr për 10 minuta afërsisht ose derisa të shohim që janë zbutur.

I spërkatim me kripë e piper dhe i lëmë mënjanë. Rukolën, të larë, e përvëlojmë në një tenxhere me ujë të valuar me kripë, për 1 minutë. Nëse doni që ajo të ruajë ngjyrën e bukur jeshile, pasi ta hiqni nga uji i valuar, hidheni direkt në një tas me ujë të ftohtë me akull. Pas pak minutash, e kullojmë. Në mikser, hedhim rukolën, kungujt, djathin, farat e pishës pak kripë e piper. I grijmë duke shtuar vaj ulliri pjesë-pjesë, duke e rrjedhur derisa të përftojmë një salcë kremoze (mund të shtoni pak lëng të valuar nëse nuk doni të shtoni shumë vaj). Heqim nga zjarri orizin e zier dhe e përziejmë me kujdes me peston, me lugë druri. E lëmë të pushojë 2 minuta dhe më pas e shërbejmë.

Ju bëftë mirë!