Kancelarja gjermane Angela Merkel ka dhënë një parashikim të rëndë të martën, duke u thënë anëtarëve të Parlamentit se 60% deri në 70% të popullsisë gjermane mund të preken nga coronavirusi.
Sipas mediumit gjerman, Bild.de, kur Merkel “hodhi” parashikimin gjatë një takimi të grupit parlamentar të partisë së saj, sallën e parlamentit e kaploi heshtja. Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, theksoi gjatë takimit se 80 për qind e të gjithë pacientëve të infektuar nuk do të kishin pothuajse asnjë simptomë.
Sipas raportimeve të mediave, Gjermania ka më shumë se 1.400 raste të COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga virusi, me dy vdekje të konfirmuara. Merkel vazhdoi t’u tregojë ligjvënësve se më shumë ngjarje dhe tubime të mëdha mund të anulohen, në varësi të ashpërsisë së shpërthimit.
Shtyrja e procedurave parlamentare është gjithashtu një mundësi, citohet të ketë thënë Merkel. Sipas Bild, Merkel nuk bëri ndonjë thirrje për masa të shpejta dhe të ashpra dhe nuk ishte më specifike, por përcaktoi mundësitë me të cilat përballet kombi në mes të shpërthimit. Ndryshe, frika nga infeksioni i rrezikshëm për jetën ka përfshirë tani kontinentin, i cili ka regjistruar më shumë se 17,000 raste dhe mbi 700 vdekje vetëm në Evropë.
Kriza e Evropës – e përqendruar në veri të Italisë, por që tani po përhapet me shpejtësi – filloi me një mori rastesh të importuara nga Kina. Italia hyri në një bllokim mbarëkombëtar të hënën në mbrëmje dhe sot regjistroi numrin e saj më të lartë vetëm një ditë me 168 vdekje. Kjo shtyu numrin e vdekjeve jashtë Kinës në më shumë se 1.000.
Kjo deklaratë vjen edhe ndërsa numri i rasteve në Spanjë u rrit në 1.622 infeksione dhe 35 vdekje pasi universitetet dhe shkollat në kryeqytetin Madrid ishin mbyllur. Në përgjithësi, në Itali, 631 njerëz kanë vdekur nga sëmundja COVID-19 e shkaktuar nga virusi dhe 10.114 janë infektuar në pak më shumë se dy javë. Mbretëria e Bashkuar regjistroi vdekjen e saj të gjashtë nga virusi sot pasi infeksionet u rritën me 61 në 382.
Në nivel global, më shumë se 114,000 njerëz janë infektuar dhe mbi 4,000 kanë vdekur nga sëmundja që prej fillimit të shpërthimit në Kinë, në dhjetor.