MENU
klinika

Nga The Hill

Koronavirusi, një “alarm zgjimi” për Putinin

08.03.2020 - 19:15

Për shkak të koronavirusit, rritja ekonomike e Rusisë këtë vit mund të bjerë në 1.2 përqind, më e ulët edhe se rritja 1.3 përqind e vitit të kaluar, sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Përkeqësimi i standardit të jetesës i ka frikësuar rusët. Rusia ka aftësinë të bëjë më mirë.

Disa politika ekonomike janë të jashtëzakonshme. Politika e kujdesshme e Bankës Qendrore dhe kufizimi fiskal kanë ulur inflacionin gjatë vitit në 2.42 përqind dhe kanë eleminuar borxhin e jashtëm neto. Vitin e kaluar qeveria pati një tepricë buxheti.

Nëse Rusia do të ishte një anëtar i Eurozonës, mund të ishte performuesi më i mirë makroekonomik i zonës.

Atëherë, pse ekonomia po “ngec”? Shkaktarët janë pengesat strukturore dhe tensionet gjeopolitike.

Së pari, shteti kontrollon një pjesë të madhe të ekonomisë, dhe kompanitë në pronësi të shtetit priren të jenë më pak produktive sesa biznesi privat. Shërbimi Federal Monopol i Rusisë thotë se para krizës financiare të vitit 1998, pjesa e shtetit në ekonomi ishte rreth 25 përqind e PBB-së, por deri në 2017-18 mund të jetë rritur në 60-70 përqind të PBB-së.

Një problem i dytë janë pengesat në veprimtarinë e biznesit. Sipas Udhëzuesit Global të Pronave, midis vendeve në Evropë, vetëm në Ukrainë dhe Bosnje dhe Hercegovinë janë të drejtat pronësore më pak të respektuara. Rusia renditet sipër tyre.

Një faktor i tretë strukturor është gjeopolitika.

Tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit mbi Ukrainën, Sirinë, ndërhyrjet në zgjedhje dhe çështje të tjera kanë bërë që investitorët të perceptojnë rreziqe më të larta politike.

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se sanksionet perëndimore zbrisin 0.2 përqind nga rritja e PBB-së çdo vit. Disa kompani shqetësohen për rrezikun e sanksioneve të ardhshme dhe nuk pranojnë të ndërmarrin angazhime të reja.

Së katërti, Rusia ka imponuar një shtrëngim të konsiderueshëm të buxhetit, një masë e kujdesshme në një klimë të pasigurt ekonomike, por një që ka prekur kërkesën e përgjithshme.

Në një sondazh të Levada Center vitin e kaluar, 75 përqind e të anketuarve e konsideruan Rusinë si një superfuqi.

Në fushën ushtarake kjo është e vërtetë. Në sferën ekonomike, PBB-ja e Rusisë është më pak se ajo e Kanadasë, gjysma e Gjermanisë dhe një e treta e Japonisë. Gjermania dhe Japonia janë ndoshta fuqi të mëdha por jo superfuqi. Edhe në fushën ushtarake, Rusia rrezikon të tejkalohet. Midis të gjitha vendeve, ajo renditet e teta në shpenzimet ushtarake, ose më pak se një e katërta e shpenzimeve të Kinës.

Një ekonomi më e fortë duhet të jetë tërheqëse si për liberalët ekonomikë ashtu edhe për entuziastët e fuqive të mëdha.

Stanjacioni ekonomik mund të dëmtojë si imazhin, ashtu edhe pozicionin global të Rusisë.

Sidoqoftë, reforma të thella mund të kërkohen për të arritur nivele më të larta të rritjes ekonomike.

Nëse miratohen, reformat përsëri mund të “rigjallërojnë” ekonominë dhe standardet e jetesës. Mund të forcojnë sundimin e ligjit, të drejtat e pronës dhe mbrojtjen e investitorëve dhe të rrisin konkurrencën.

Rusia mund të privatizojë më shumë ekonominë dhe të lejojë biznesin privat të konkurrojë në mënyrë më efektive me ndërmarrjet shtetërore. Një rol më i vogël qeveritar në fusha të tilla si energjia dhe industria e rëndë mund të rrisin konkurrencën dhe të zvogëlojnë mundësitë për korrupsion.

Në frontin gjeopolitik, Perëndimi mund të zvogëlojë ose eliminojë sanksionet e sektorit financiar nëse përfundon lufta e Donbas.

Më shumë reforma e më pak tensione gjeopolitike mund të ndihmojnë Rusinë të zhvillojë edhe më shumë potencialin e saj.

Pavarësisht nëse koronavirusi sjell dëm të konsiderueshëm në ekonomi, investitorët shpresojnë që kjo të jetë një thirrje zgjimi për Kremlin.

William Courtney është një bashkëpunëtor në korporatën jofitimprurëse, jopartiake RAND, dhe një ish-ambasador i SHBA në Kazakistan dhe Gjeorgji.

Përkthyer dhe përshtatur nga The Hill/ Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Koronavirusi mbyll kufijtë e shteteve...

Evropa heq dorë nga “Marrëveshja e Shengenit”?