MENU
klinika

Kryesuesi i trupës gjykuese të çështjes "Tahiri"

KPK shkarkon nga detyra Ardit Mustafaj

05.03.2020 - 10:20

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra, Ardit Mustafaj, gjyqtar i gjykatës së posaçme kundër korrupsionit. Ardit Mustafaj ka qenë kryetar i trupës gjyqësore që dha vendimin për Tahirin. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e zhvilloi të martën seancën dëgjimore ndaj gjyqtarit Ardit Mustafaj, aktualisht gjyqtarë pranë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mustafaj ishte hetuar nga KPK në të tre kriteret dhe nga relatimi në seancë u mësua se atij i ishte kaluar barrë prove vetëm mbi disa dyshime të gjetura në kriterin e pasurisë, ndërsa nuk u gjet asnjë problem në dy kriteret e tjera.

Trupa që hetoi Mustafaj u kryesua nga Firdes Shuli, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar Olsi Komici, vuri në dukje se Mustafaj kishte rezultuar nga analiza financiare me diferencë negative prej më shumë se 6 milion lekësh nga viti 1996 deri në vitin 2003. Diferenca sipas KPK-së vinte pasi nuk ishin provuar burimet e ligjshme të dy huadhënësve, burimi i dhurimit nga prindërit e bashkëshortes dhe të ardhurat e kësaj të fundit nga kurset në shumën prej 850 mijë lekësh.

Mustafaj, i cili vlerësoi procesin e vetingut për dy kriteret e tjera, këmbënguli në seancë se kishte sjellë dokumente që provonin burimin e ligjshëm të të ardhurave të dy huadhënësve, të prindërve të bashkëshortes dhe po ashtu edhe të asaj vetë. Ai kërkoi që ato të konsideroheshin si burime të ligjshme dhe pretendoi se që nga viti 2003 ai rezultonte me diferenca pozitive të dukshme dhe se çdo pjesë e pasurisë së tij ishte deklaruar saktësisht.

Ardit Mustafaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996. Prej vitit 2003, ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në dhjetor 2019, Mustafaj u emërua përkohësisht gjyqtar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.