10.03.2020 - 15:44
Receta për: 4 persona
Nëse ende se ke menduar çfarë të gatuash për drekë, ja tek e ke një opsion fantastik!
INGREDIENTËT
- 100 ml lëng pule
- 200 ml krem pana
- 3 lugë gjelle parmigiano i grirë
- 2 lugë gjelle majdanoz i grirë
- 320 gram makarona penne
- 500 gram fileto pule
- Kripë dhe piper i zi
- 2 lugë gjelle vaj ulliri
- 1 qepë e vogël
- 2 lugë gjelle lëng limoni
- 1 lugë çaji lëkurë limoni
- djathë mozzarella
UDHËZIMET
- Vendosim 2 lugë gjelle vaj në tigan dhe sa të ngrohet shtojmë fileton e pulës të prerë në shirita.
- Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi. Kaurdisim mishin derisa të zverdhet. Largojmë mishin nga tigani.
- Shtojmë në tigan dhe 1 lugë gjelle vaj, shtojmë qepën të grirë shumë imët, e kaurdisim derisa të zbutet.
- E shuajmë me 2 lugë gjelle lëng limoni, 1 lugë kafe lëkurë limoni, 1 filxhan kafe lëng pule, panën dhe e lëmë të valojë duke shtuar 3 lugë gjelle parmigiano të grirë dhe kripë e piper të zi, majdanozin e grirë hollë dhe mishin e pulës të skuqur. I përziejmë mirë të gjitha.
- Shtojmë makaronat gjysmë të ziera, i shtrojmë në një tavë dhe mbi makaronat hedhim mozzarellën e copëtuar dhe pak parmigiano.
- E vendosim tavën në furrë në temperaturë 180 gradë Celsius, për 15 minuta.
- Në fund shtojmë sërish pak majdanoz dhe e servirim. Ju bëftë mirë!