Naoah Buyon, koordinator i kërkimeve për Evropën dhe Euroazinë për raportin Freedom in the World, deklaron për Zërin e Amerikës se të gjithë aktorët politikë në Shqipëri kanë një përgjegjësi për të ofruar qeverisjen më të mirë të mundshme për qytetarët e tyre, pavarësisht nëse janë në pushtet ose jo.
“Pra për partinë në pushtet, kjo do të thotë që të sigurojnë që ligjet të miratohen në mënyrë të drejtë, që të zbatohen në një mënyrë transparente, që opozitës po i dëgjohet zëri dhe që qytetarëve po u plotësohen nevojat. Për opozitën kjo do të thotë që të luajnë një rol aktiv në qeverisje, edhe pse nuk janë në pushtet, çka do të thotë ta sfidojnë qeverinë kur është e nevojshme dhe me mjetet e përshtatshme, në mënyrë që të mos vendoset një pushtet njëpartiak në vend”, deklaron ai.
Buyon thekson se “po ndjekim me shumë kujdes ecurinë e paketës së ligjeve të ashtuajtur anti-shpifje. Po ashtu po presim të shohim se si do të shkojë procedura e nisur për shkarkimin e presidentit. Ka shqetësime që kjo procedurë mund të bëhet në mënyrë të politizuar”. Ai ka folur dhe për korrupsionin në Shqipëri si një sfidë. Këto deklarata koordinator i kërkimeve për Evropën dhe Euroazinë për raportin Freedom in the World i bëri pas publikimit të Raportit të Freedom House për demokracitë e konsoliduara, ku Shqipëria ka humbur 1 pikë. Organizata Freedom House thotë se demokracitë e konsoliduara janë në rënie, ndërsa bota për të 14-in vit radhaz përjetoi përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive civile.
Raporti thotë se jemi në një botë pa udhëheqje demokratike. Freedom House e arrin këtë përfundim në raportin e përvitshëm për lirinë në vit që analizon zhvillimet në 195 vende. 83 vende apo 43 për qind, radhiten në mesin e vendeve të lira, 63 apo 32 për qind janë me liri të pjesshme dhe 49 apo 25 për qind radhiten në mesin e vendeve jo të lira.
Që nga shtypja e demonstruesve në Hong Kong, tek ajo turmave në Iran, raporti tregon se regjimet përdorin forcë brutale për të ruajtur kontollin.
Reporti vë në dukje edhe prirje shqetësuese në disa nga demokracitë e zhvilluara.
“Demokracia është në pozitë të vështirë. Këtë vit kemi parë, sulme ndaj të drejtave të barabarta dhe të drejtave të grupeve të brishta si nën demokraci, ashtu edhe nën regjime brutale”, thotë Sarah Repucci, zëvendës presidente për studime dhe analizë në Freedom House.
Ajo thotë se më shumë qeveri kanë vënë në shënjestër pakicat fetare dhe etnike. Në raport vihet re se hendeku mes përkeqësimeve dhe përmirësimeve është thelluar.
Duke vënë në dukje rolin tradicional të Shteteve të Bashkuara si frymëzim dhe mbështetje për demokracinë, raporti thotë se Kongresi ka vazhduar të financojë programe për këtë qëllim. “Megjithatë deri sot, administrata e presidentit Trump nuk ka treguar një angazhim të vazhdueshëm ndaj një politike të jashtme që mbështetet në parimet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, thotë raporti. 25 nga 41 demokracitë e konsoliduara pësuan rënie, vitin e kaluar. Raporti thotë se është tashmë një botë pa udhëheqje demokratike.
Ballkani Perëndimor
Ballkani Perëndimor sjell një tablo të përzier.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut, patën përmirësime vitin e kaluar. Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia, shënuan rënie, Bosnja mbeti në të njëjtin vend”, i tha Zërit të Amerikës Noah Buyon, koordinator i kërkimeve për Evropën dhe Euroazinë për raportin Freedom in the World.
Për Kosovën përmirësimi me dy pikë (duke e çuar numrin e pikëve në 56 nga 54 vitin e kaluar) është kryesisht falë zgjedhjeve ku fitoi Vetëvendosja dhe LDK-ja pas saj.
“Votimet në Kosovë sollën partinë nacionaliste të opozitës Vetëvendosje, e cila ka një shans të ndryshojë kulturën e korrupsionit në vend”, thotë raporti.
Maqedonia Perëndimore kanë shënuar një rritje prej katër pikësh nga 59 në 63, falë zgjedhjeve presidenciale, përmirësimit të gjendjes së medias, dhe përmirësimit të situatës së sigurisë. Shqipëria ka humbur një pikë, duke kaluar në një vlerësim nga 68 në 67. “Kjo i atribuohet në pjesën më të madhe përplasjeve të fuqishme politike që ndodhën gjatë vitit në vend”, thotë zoti Buyon. Në përgjithësi thotë ai për rajonin, nuk mund të thuhet “as se gjendja po përkeqësohet, por as po përmirësohet.”
Gazetarja Keida Kostreci intervistoi Naoah Buyon, koordinator i kërkimeve për Evropën dhe Euroazinë për raportin Freedom in the World, për përfundimet e raportit për Ballkanin.
Zëri i Amerikës: Cilat janë përfundimet e raportit të fundit të Freedom House për gjendjen e demokracisë në Shqipëri dhe si radhitet në krahasim me një vit më parë?
Noah Buyon: Ne regjistruam një rënie të lehtë në cilësinë e qeverisjes demokratike në Shqipëri në vitin 2019. Kjo i atribuohet në pjesën më të madhe përplasjeve të fuqishme politike që ndodhën gjatë vitit në vend. Opozita doli nga parlamenti, e bojkotoi dhe dorëzoi mandatet. Në këto kushte zgjedhjet lokale u mbajtën nën hijen e këtij zhvillimi në qershor, të cilat opozita i bojkotoi duke sjellë si rezultat fitoren e partisë në pushtet në një numër bashkish dhe komunash në gjithë vendin. Si rezultat i këtyre prirjeve, efektivisht është vetëm një parti politike që drejton vendin dhe ne jemi të shqetësuar se kjo do të kufizojë aftësinë që legjislacione të debatueshme, si paketa anti-shpifje që të shqyrtohen dhe sfidohen ashtu siç duhet.
Si ndahet përgjegjësia mes dy forcave kryesore politike, për situatën e krijuar?
Mendoj se të gjithë aktorët politikë në Shqipëri kanë një përgjegjësi për të ofruar qeverisjen më të mirë të mundshme për qytetarët e tyre, pavarësisht nëse janë në pushtet ose jo. Pra për partinë në pushtet, kjo do të thotë që të sigurojnë që ligjet të miratohen në mënyrë të drejtë, që të zbatohen në një mënyrë transparente, që opozitës po i dëgjohet zëri dhe që qytetarëve po u plotësohen nevojat. Për opozitën kjo do të thotë që të luajnë një rol aktiv në qeverisje, edhe pse nuk janë në pushtet, çka do të thotë ta sfidojnë qeverinë kur është e nevojshme dhe me mjetet e përshtatshme, në mënyrë që të mos vendoset një pushtet njëpartiak në vend. Pavarësisht nga përkatësia partiake në Shqipëri, është e qartë që vitin e kaluar pati një paralizë politike dhe në fund të fundit kjo nuk u shërben qytetarëve të Shqipërisë.
A pati shqetësime të tjera që vutë re në raport, lidhur me median ose çështje të tjera?
Shifrat në kategoritë e tjera nuk pësuan rënie, por kjo nuk do të thotë që nuk kemi shqetësime lidhur me zhvillimet në vend. Po ndjekim me shumë kujdes ecurinë e paketës së ligjeve të ashtuajtur anti-shpifje. Po ashtu po presim të shohim se si do të shkojë procedura e nisur për shkarkimin e presidentit. Ka shqetësime që kjo procedurë mund të bëhet në mënyrë të politizuar.
Një nga problemet kryesore që ka qenë i pranishëm pë vite në Shqipëri, përsa i takon korrupsionit, ka qenë pandëshkueshmëria. Në një situate ku ka shumë probleme me korrupsionin dhe paratë e papastra, shtrohet pyetja e mund të lulëzojnë ato pa mbështetje politike. Cili është mendimi juaj?
Shumë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, kanë pasur probleme në këtë drejtim. Ne jemi veçanërisht të përqendruar tek masat për të luftuar korrupsionin, të cilat në Shqipëri dhe vende të tjera kanë munguar. Shpesh ato gjyqe që bëhen për raste korrupsioni të profilit të lartë, bëhen për arsye politike dhe jo për të vënë drejtësinë në vend. Korrupsioni si në nivele të larta, edhe të ulëta shpesh nuk hetohet dhe nuk ndiqet penalisht. Krimi i organizuar vazhdon të jetë një sfidë e përhapur, pra nuk po shohim atë nivel përparimi që duam të shohim për këto çështje. Kjo vazhdon të mbetet një pike kyçe në përpjekjet e disa prej këtyre vendeve për të hapur bisedimet me Bashkimin Evropian. Ne besojmë se stimujt nga jashtë ekzistojnë, besojmë se qytetarët e meritojnë një klasë politike dhe një qeveri që të mos jetë e përzierë me interesa të veçanta, korrupsion apo kapje shteti. Prandaj jemi thellësisht të shkurajuar që kjo sfidë vazhdon të mbetet në pjesën më të madhe e pazgjidhur në disa drejtime në gjithë rajonin. Rezultati për shumë nga këto vende në këtë kategori, lë shumë për të dëshiruar dhe ka shumë hapësirë për të rënë edhe më shumë.
Kosova ka shënuar përmirësim, falë zgjedhjeve që sollën ndryshimin e qeverisë, me fitoren e Vetëvendosjes. Mund të flisni më hollësisht?
Kosova ishte një nga dy vendet e rajonit, që shënoi përmirësim në radhitje, falë faktit që dy parti opozitare – Vetëvendosja dhe LDK-ja – fituan zgjedhjet dhe ato rrjedimisht formuan qeverinë, megjithëse u desh një farë kohe. Gjithashtu ne përmirësuam vlerësimin për lirinë e lëvizjes brenda vendit, sepse sipas analizës sonë skema e integruar e dokumentave të identifikimit, fakti që Serbët e Kosovës po përdorin targa të vendit, janë proba për një nivel të caktuar lirie lëvizjeje në vend. Kufijtë ndërkombëtarë vazhdojnë të kenë më pak qasje për qytetarët.
Si parashikoni që çështjet lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, të ndikojnë tek niveli i lirisë dhe demokracisë në vend?
Indeksi ynë nuk lidhet domdosdoshmërisht me procese të tilla. Ne sigurisht që jemi për dialog për zgjidhjen e çështjeve që e vështirësojnë jetën e qytetarëve. Nëse bisedimet rezultojnë në përmirësim lidhjesh, që qytetarët të qarkullojnë më lehtësisht përtej kufijve, ose përmirësime të tjera të cilësisë së jetës që të dalin nga bsiedimet, atëherë ka gjasa që vlerësimi të përmirësohet për të dyja vendet, por dialogu në vetvete nuk është i mjaftueshëm për të ndryshuar vlerësimin.
Maqedonia e Veriut shënoi përmirësime. Cilat ishin ato?
Ishim të inkurajuar nga Maqedonia e Veriut vitin e kaluar, me një vlerësim katër pikë më të lartë se sa vitin e mëparshëm. Së pari kjo ishte falë zgjedhjes së Presidentit të ri, në votime që ishin përgjithësisht të lira dhe të drejta, në kontrast me votimin e mëparshëm për këtë pozicion. Po ashtu në vitin 2019 pati një zbutje të tensioneve politike. Po ashtu vlerësuam se situata e medias u përmirësua. Është bërë një gazetari e lëvdueshme investigative për të ekspozuar abuzimin me pushtetin. Po ashtu gjendja e sigurisë, stabiliteti është përmirësuar që nga sulmi i përgjakshëm në parlament në vitin 2017.
Cilat janë në përgjithësi prirjet që patë për Ballkanin Perëndimor?
Është e vështirë të përgjithësohet. Kosova dhe Maqedonia e Veriut, patën përmirësime vitin e kaluar. Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia, shënuan rënie, Bosnja mbeti në të njëjtin vend. Nuk mund të thuhet se në përgjithësi gjendja po përkeqësohet, por as po përmirësohet. Mendoj se qeverisja demokratike vazhdon të mbetet një ideal i debatueshëm në këto vende. Ka forca politike në parlament, ose jashtë tij, disa që po punojnë për t’i bërë këto vende më të lira dhe disa për t’i bërë më pak të lira. Pra gjendja mbetet pezull për momentin. Dhe nuk është ende e qartë nëse viti 2020 do të sjellë më shumë qartësi. Por fakti që politika vazhdon të jetë aq dinamike, është burim inkurajimi për ne. Ne përmendëm veçanërisht protestat e shumta në këtë rajon vitin e kaluar, që ne mendojmë se tregojnë dëshirën universale dhe të thellë për qeverisje të mirë.
Raporti vë në dukje rënien e demokracisë në përgjithësi, përfshirë vendet perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara. Si ndikon kjo tek aftësia për të pasur një autoritet moral për të nxitur përmirësime demokratike në vende si ato të Ballkanit Perëndimor?
U takon demokracive perëndimore të udhëheqin me shembullin e tyre. Kur këto demokraci të konsoliduara nuk e ruajnë standardin e tyre, kjo përcjell sinjalin tek ato vende që nuk e kanë arritur atë nivel, se ndoshta ky mund të mos jetë sistemi më i mirë. Kështu dobësohet autoriteti moral i vendeve të perëndimit dhe kjo e bën demokracinë më pak tërheqëse dhe më pak të besueshme për njerëzit në gjithë botën. Së dyti, kur demokracitë e konsoliduara tërhiqen nga roli i tyre tradicional udhëheqës, shpesh kjo përkthehet në ndryshime politike në terren, me fjalë të tjera diplomatët dhe udhëheqësit e këtyre vendeve nuk bëjnë aq shumë përpjekje për të ndihmuar vendet në Ballkanin Perëndimor dhe rajone të tjera, në mënyrë që ata të bëjnë përmirësimet e duhura që qytetarët të kenë zërin e tyre në qeverisje. Pra ka shqetësime konkrete, përveç shqetësimeve morale kur bëhet fjalë për degradimin e demokracisë në shumë vende ku ka qenë tradicionalisht shumë e fortë. /VOA/