19.04.2020 - 12:33
Një recetë pak ndryshe nga pancake original për të gjithë ata që dëshirojnë ta provojnë në një shije tjetër. Mund të përdorni qepë ose anën e gjelbërt të preshit.
Përbërësit
- 200 gr miell
- pak kripë
- 50 gr gjalpë
- 2 grushte qepë e njomë (të grirë)
- 150 ml ujë (i vakët)
Përgatitja
- Hidhni miellin në një tas dhe shtoni pak kipë. Përziejini mirë
- Hidheni ujin e vakët njëherësh dhe përziejeni brumin me ndihmën e një luge druri.
- Më pas punoni dhe me duar një brumë shumë të butë, por që nuk ngjitet në gishta. Brumi duhet të jetë akoma i ngrohtë.
- Vëreni brumin në një vend pune me miell. Masa duhet të jetë e butë. Formoni një top dhe rrafshojeni pak.
- Me ndihmën e një shkopi brumi hapeni brumin shumë hollë në formën e një drejtkëndëshi.
- Përmbi brumin e hapur, shtroni një shtresë gjalpi shumë të hollë. Mund të përdorni dhe vaj ulliri nëse preferoni.
- Shpërndani mbi brumin e hapur qepët e grira, mund të përdorni dhe anën e gjelbërt të preshit nëse dëshironi.
- Rrotullojeni mirë brumin në mënyrë që qepa të mbetet brenda.
- Nëse brumi në anë mbetet jashtë, futini nga brenda copat e tepërta dhe vazhdoni ta rrotulloni deri sa të bëni një brumë të mbështjellë në formë gjarpri.
- Ndajeni këtë në 4 pjesë të njëjta.
- Mbyllini fundet e 4 pjesëve që formuat. Shtypini lehtë me pëllëmbën e duarve duke krijuar një tip tjetër drejtkëndëshi. Nisni sërish të rrotulloni nga brinja më e shkurtër.
- Shtypni sërish me pëllëmbën e duarve. Më pas me shkop hapeni dhe pak brumin në një trashësi 5 mm.
- Bëjeni këtë veprim me të 4 pjesët që krijuat.
- Ngrohni një tigan wok ose një tigan me anë të larta që nuk ngjit.
- Hidhni pak vaj dhe shtoni në tigan një ose 2 pancake dhe gatuajini në flakë të lartë. Mbulojini me kapak.
- Pas 3-5 minutash, kur pancake të jetë fryrë dhe të ketë marrë ngjyrë të artë, kthejeni. Vendosin kapakun. Pas 3-5 minutave hiqini dhe shërbejini.