Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për rifillimin e dialogut.
“Jam në kontakt të rregullt me përfaqësuesin e BE-së. Natyrisht që ai tash është duke përgatitur fillimin e dialogut. Ne kërkojmë që ky dialog të jetë me parime dhe i përgatitur mirë. Jemi gati, kemi përvojë dhe do ta përfaqësojmë Republikën tonë ashtu siç e thotë Kushtetuta dhe ligji. Pra, varet nga Brukseli, kalendari i dialogut”, tha Kurti.
Lajçak ka deklaruar se të gjitha palët janë të gatshme për vazhdimin e dialogut dhe se vetëm po pritet që gjendja epidemiologjike ta mundësojë takimin fizik dhe vazhdimin e bisedimeve.
Ai ka paralajmëruar se qysh prej javës së ardhshme do të zhvendoset nga Bratisllava, ku ka qenë deri më tani shkaku i kufizimit të lëvizjeve, në Bruksel, duke qenë edhe fizikisht i pranishëm në zyren e tij të përfaqësuesit special për dialogun.