Pasi fitoi gjithçka si futbollist, planet e David Beckam po shkojnë si mos më mirë. Puna si model dhe president i klubit amerikan të Inter Miami nuk e kanë penguar ish mesfushorin e kombëtares angleze që të shfrytëzojë në maksimum pasionet e tij.
Shpesh e kemi parë teksa gatuan, ndërkohë që tashmë, kohën e lirë duket se ia ka dedikuar totalisht fshatit. Këtë e tregojnë postimet e tij më të fundit në rrjetin social “Instagram”, ku shihet i veshur si një bujk dhe me lopatë në dorë. Jo vetëm kaq. Ai ka menduar të ndërtojë një parajsë së vërtetë për bletët, ku shihet teksa i rregullon kosheret e tyre.
I pajisur me një çekiç dhe me manualin e ndërtimit përpara, Beckham përfundoi projektin e tij të ri. “Është projekti im i ri dhe do të jeni shumë të lumtur kur të kemi mjaltin tonë,” – tha ish-futbollisti.
Beckham ka zgjedhur shtëpinë e tij në Cotswolds për të kaluar 3 muajt e fundit, duke u ruajtur nga kontaktet me persona të tjerë për shkak të frikës së infektimit nga virusi Covid-19.