MENU
klinika

Yuri Kim: Ata që s’e duan Reformën në Drejtësi po përpiqen të…

“Nuk heq dorë kollaj”- Paralajmërimi i ambasadores amerikane

20.06.2020 - 13:20

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim thotë se ka vënë re që “disa do të donin që reforma në drejtësi të sillej rrotull e rrotull në një rreth, si kali në lëmë”.

“Mendoj se ata që nuk e duan reformën në drejtësi po përpiqen t’i vendosin të gjithë në një skuadër pushkatimi rrethore në mënyrë që të qëllojnë njëri-tjetrin në vend që të përqendrohen tek shënjestra reale”, tha ambasadorja në një intervistë për një nga emisionet shqiptare.

E pyetur për ndëshkiimin e zyrtarëve të korruptuar, ambasadorja tha se Shqipëria nuk duhet të ketë pritshmëri se “do shkojmë nga mungesa e sundimit të ligjit në sundim të ligjit, nga mungesa e drejtësisë në drejtësi, nga e korruptuar në jo të korruptuar, kjo nuk është e mundur. Do të jetë një proces”.

“Jemi në një fazë kritike. Është bërë mjaftueshëm përparim… Institucionet janë ngritur. Thuajse të gjitha janë ngritur dhe funksionojnë, përveç BKH-së, ku presim përzgjedhjen e drejtorit të parë, dhe sigurisht, Gjykata Kushtetuese. Këto institucione duhet të bëhen funksionale dhe çështja e Gjykatës Kushtetuese ka ngecur për një kohë të caktuar. Një pjesë është ligjore, e mirëfilltë. Një pjesë është politike. Ekziston vërtet në themel një çështje e vullnetit politik”, tha ambasadorja Kim.

“Disa do të donin që reforma në drejtësi të sillej rrotull e rrotull në një rreth, si kali në lëmë. Ajo që na duhet është që reforma në drejtësi të ecë përpara dhe, siç e kam thënë më parë, është diçka që nuk do të jetë e përsosur menjëherë. Nuk do të jetë e lehtë, nuk do të jetë e shpejtë, por e dini çfarë? Është e rëndësishme, është e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj njerëzit duhet të mbeten vigjilentë, duhet të vazhdojnë të kërkojnë ndryshim dhe shpresoj që nuk do të dorëzohen sepse kemi bërë kaq shumë rrugë dhe do të ishte tragjike të hiqej dorë tani. Unë nuk do të heq dorë, patjetër. Nuk heq dorë kollaj, mund ta them kaq”, shtoi ambasadorja amerikane.

Le ta fillojmë duke folur për reformën në drejtësi, një investim i madh i SHBA, jo vetëm nga pikëpamja financiare por edhe ajo njerëzore. Tek ajo është investuar shumë besim, a jeni e kënaqur me rezultatet deri tani?

Ajo që do thosha është se reforma në drejtësi është qartësisht diçka që e do populli shqiptar dhe është diçka në të cilën kanë investuar shumë Shtetet e Bashkuara dhe shumë nga miqtë e tjerë të Shqipërisë. Dhe tani jemi në një pikë kritike. Reforma në drejtësi ka bërë përparim që mjafton për të trembur ata që nuk e duan atë por ende jo aq sa të kënaqë popullin shqiptar. Mendoj se është vërtet e rëndësishme që ne që e mbështesim reformën në drejtësi, populli shqiptar, Shtetet e Bashkuara, të mos dorëzohemi, të mos çorientohemi, dhe të mos shpërqendrohemi në këtë pikë kritike. Duhet të shtyjmë përpara.

Dhe si e bëjmë këtë?

Mendoj se mënyra për ta bërë këtë është që populli shqiptar duhet të vazhdojë të ngrejë zërin për të shprehur pakënaqësinë, për të shprehur kërkesën e tyre për më shumë transparencë, më shumë sundim të ligjit. Për sa i përket Shteteve të Bashkuara, unë kam udhëzime të qarta nga Uashingtoni që kjo çështje mbetet prioritet dhe unë kam në plan t’i zbatoj ato.

Dua t’ju pyes për një cicërimë që nxorët në Twitter jo shumë kohë më parë. Folët për thashetheme mbi një kërcënim për ta vrarë reformën në drejtësi. A dolën të vërteta ato thashetheme dhe a jeni të përgatitur ta mbroni reformën në drejtësi nga cilido që përpiqet ta vrasë atë?

Mendoj se mund të ketë pasur njëfarë të vërtete tek ato thashetheme dhe, siç thashë në cicërimë, në fakt jam mjaft e drejtpërdrejtë, nuk jam diplomate shumë e mirë, them atë që synoj të them. Shpresoj vërtet që nuk ka pasur të vërtetë në ato thashetheme dhe, pasi unë shpreha këtë pikëpamje, shumë aktorë të rëndësishëm dolën publikisht dhe afirmuan se nuk kishte të vërtetë në ato thashetheme. Ndaj jam shumë e lumtur të dëgjoj që është ashtu.

Dakord, kjo më çon në një pyetje tjetër. Shumë nga personat me të cilët punoni shihen në publik si të dyshimtë. Nuk kanë gjithmonë reputacionin më të mirë. Si e trajtoni këtë gjë?

Si diplomatë, ne merremi me një gamë të gjerë njerëzish dhe dua të theksoj përsëri që jam diplomate. Nuk jam prift. Nuk jam polic. Jam vetëm një diplomate dhe detyra ime këtu është të forcoj marrëdhënien midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan, pavarësisht se kush është në pozita pushteti në Uashington apo në Tiranë. Detyra ime është të ndërtoj marrëdhënie midis dy vendeve dhe është kënaqësi e madhe që jam në gjendje ta bëj këtë.

Por duhet ta pranoni që ky është një vend i veçantë në botë…

Po…

Marrëdhënia, niveli i dashurisë, besimit, respektit si dhe pritshmëritë janë shumë të larta. A e bën kjo punën tuaj më të lehtë apo më të vështirë?

Mendoj të dyja. Është pyetje me vend. Është më e lehtë në kuptimin që pika e nisjes është shumë në avantazhin tonë. Jam e nderuar të jem në Shqipëri, ku njerëzit vërtet besojnë tek marrëdhënia dhe vërtet besojnë tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj nuk mund të kërkoja më shumë. Por, siç thoni ju, do të thotë edhe që pritshmëritë janë të larta kështu kostoja do të ishte e madhe nëse nuk i përmbushim ato pritshmëri.

Po. Lidhur me reformën zgjedhore, numërova që për dy ditë, ishit në rezidencën tuaj rreth 18 orë në diskutime. Kishte më shumë shpresë mes qytetarëve për ndryshim më të thellë, ndryshim në sistem nga reforma zgjedhore. A jeni e kënaqur me atë që u arrit?

Synimi për ne, për Shtetet e Bashkuara, në mbështetjen e reformës zgjedhore ishte shumë i qartë. Ka një synim imediat, i cili është të mbështesim Shqipërinë të përmbushë kërkesat për anëtarësim në BE. Pra, një synim shumë specifik…

…teknik…

…po, është teknik, por është absolutisht i domosdoshëm. Dhe kishte një lloj urgjence. Sepse bota në Shqipëri përpara 25 marsit është ndryshe nga bota pas 25 marsit. Tani është diçka reale, me kërkesa reale, me afate reale. Dhe, kur disa nga ne pamë që negociatorëve do t’iu hynte në punë pak mbështetje ekstra, shkuam ta ofronim atë dhe u prodhua diçka. E di nga të lexuarit në median sociale dhe nga bisedat me njerëzit që ka dëshirë për ndryshim më të madh dhe mendoj se kjo nuk është diçka që më takon mua ta vendos. Është diçka që i takon popullit shqiptar ta vendosë dhe i takon parlamentit.

Por jeni dakord që në këtë drejtim, ka nevojë për më shumë ndryshim?

Nuk mendoj se më takon të them nëse ka nevojë apo jo për më shumë ndryshim. Detyra ime është të ndihmoj Shqipërinë të hyjë në BE dhe, në këtë kuptim, marrëveshja që doli më 5 qershor e përmbush atë synim ndaj aty jam e përqendruar. Nëse ka dëshirë për më shumë, mendoj që siç thashë në Twitter për takimin me Rudina Hajdarin, e respektoj atë. Nuk do të thotë që jam në ballë, nuk do të thotë që jam në fund fare, por do të thotë në mënyrë të mirëfilltë që e respektoj dëshirën e popullit shqiptar për më shumë.

Ajo ishte në këtë studio të hënën, më falni të martën, kur tha se nuk do ta votonte marrëveshjen nëse nuk arrihej më shumë, nëse nuk shtoheshin të tjera gjëra, si listat e hapura, u përmend modeli danez. Hapja e listave është e rëndësishme. A ju zhgënjen kjo, pretendimi se mund të mos e votojë?

Mendoj se Rudina dhe disa persona të tjerë kanë një detyrë shumë të vështirë. Ata që qëndruan në parlament bënë gjënë e duhur. Siguruan që demokracia të vazhdonte të funksiononte në Shqipëri. Mendoj se është diçka e mrekullueshme që janë ambiciozë për popullin shqiptar, që duan më shumë e më shumë. Në një pikë të caktuar, do t’iu duhet të marrin disa vendime strategjike lidhur me çfarë është e rëndësishme tani dhe çfarë mund të arrihet më vonë. Kaq kam për të thënë për këtë.

Nga ana tjetër, Z. Rama tha se do të ishte marrëveshja e fundit ku do të ishte pjesë, në një ambasadë. Si e komentoni këtë?

E di mirë se çfarë do të thotë. Mendoj se ka të drejtë. Pse duhet që politikanët shqiptarë të mblidhen në një ambasadë të huaj, qoftë edhe ajo amerikane…

…sepse janë më të besueshëm …

…për ta bërë këtë? Mendoj është një problem ky. Mendoj që si aleate në NATO dhe si vend aspirant për në BE, udhëheqësit shqiptarë duhet të mësohen të flasin me njëri-tjetrin dhe të bëjnë kompromise apo jo? Siç po zbuloj, kompromis është një fjalë e pisët në Shqipëri, por në fakt është kyçe për demokracinë. Është përbërësi magjik që i duhet çdo demokracie. Nëse do 100% të asaj që do ti dhe i mohon tjetrit çdo plus të mundshëm, atëherë nuk është demokraci, është diçka tjetër. Duhet të jetë një proces ku merr dhe jep dhe do të thotë që ndonjëherë të duhet të kënaqesh me diçka që është mjaftueshëm e mirë dhe jo plotësisht e përsosur.

Pra, e përsosura s’ka pse bëhet armik i diçkaje që është e mirë…

Pikërisht ashtu. Po.

Ok, flasim për krimin dhe korrupsionin, një temë e madhe këtu, me shpresa të mëdha në Shqipëri. SHBA kanë folur shumë haptas për të, investimi i madh në SPAK, BKH, të gjitha institucionet e reformës në drejtësi, megjithatë, katër vjet pas saj, gjykatat ende nuk po japin drejtësi për zyrtarët e korruptuar. Nuk kemi parë ndonjërin të përfundojë në burg. Ç’koment keni për këtë?

Do të thosha, siç e thashë në fillim, që jemi në një fazë kritike. Është bërë mjaftueshëm përparim… Institucionet janë ngritur. Thuajse të gjitha janë ngritur dhe funksionojnë, përveç BKH-së, ku presim përzgjedhjen e drejtorit të parë, dhe sigurisht, Gjykata Kushtetuese. Këto institucione duhet të bëhen funksionale dhe çështja e Gjykatës Kushtetuese ka ngecur për një kohë të caktuar. Një pjesë është ligjore, e mirëfilltë. Një pjesë është politike. Ekziston vërtet në themel një çështje e vullnetit politik dhe në kohën që do transmetohet kjo intervistë, Komisioni i Venecias mund të ketë nxjerrë opinionin përfundimtar. Me aq sa jam në dijeni për opinionin, ai ofron mundësinë që jo të festohet se kush fitoi a kush humbi, por të shihet si një mundësi për të ecur përpara. Sepse ajo që shoh tani është disa do të donin që reforma në drejtësi të sillej rrotull e rrotull në një rreth, si kali në lëmë. Ajo që na duhet është që reforma në drejtësi të ecë përpara dhe, siç e kam thënë më parë, është diçka që nuk do të jetë e përsosur menjëherë. Nuk do të jetë e lehtë, nuk do të jetë e shpejtë, por e dini çfarë? Është e rëndësishme, është e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj njerëzit duhet të mbeten vigjilentë, duhet të vazhdojnë të kërkojnë ndryshim dhe shpresoj që nuk do të dorëzohen sepse kemi bërë kaq shumë rrugë dhe do të ishte tragjike të hiqej dorë tani.

Ju nuk do të hiqni dorë?

Nuk do të heq dorë, patjetër.

Më vjen mirë.

Nuk heq dorë kollaj, mund ta them kaq.

Mrekulli sepse pikërisht kjo na duhet. Po ndaloj këtu për një çast. Reforma në drejtësi supozohej ta hiqte drejtësinë nga duart e ndikimit politik, por shohim një betejë, cilido përpiqet të emërojë gjyqtarë. A ju shqetëson kjo ndopak?

Po, e vërtetë, por diçka kaq madhore si reforma në drejtësi nuk është një çelës. Është një spektër. Kërkon këmbëngulje dhe kërkon që në spektër të lëvizet nga një krah në tjetrin. Do të jetë një proces i gjatë, i dhimbshëm, i ngadaltë dhe kushdo që thotë ndryshe nuk ju thotë të vërtetën. Nëse pritshmëria është që në Shqipëri do shkojmë nga mungesa e sundimit të ligjit në sundim të ligjit, nga mungesa e drejtësisë në drejtësi, nga e korruptuar në jo të korruptuar, kjo nuk është e mundur. Do të jetë një proces.

Një tranzicion…

Ndaj, kur të shihni të bëhen gabime, nuk mendoj se është arsye për të hequr dorë. Kur shihni se ka problem me vetingun, për shembull, nuk mendoj se është arsye për të hequr dorë. Është arsye për të qenë më vigjilentë por ajo që më shqetëson është që, në vend që fokusi të jetë tek e përgjithshmja, pra që Shqipëria të çlirohet nga korrupsioni dhe të zbatohet vendosmërisht sundimi i ligjit, në fakt po shkaktohen shpërqendrime për shkak të problemeve të ndryshme. Dhe thuhet, ky person, ky gjyqtar nuk është i përsosur prandaj i gjithë procesi i vetingut duhet…

Të rrëzohet…

Duhet të rrëzohet.

S’ka kuptim…

Nga koha juaj në Shtetet e Bashkuara, e dini shprehjen që përdorim: një skuadër pushkatimi vendosur në formë rrethi. Mendoj se ata që nuk e duan reformën në drejtësi po përpiqen t’i vendosin të gjithë në një skuadër pushkatimi rrethore në mënyrë që të qëllojnë njëri-tjetrin në vend që të përqendrohen tek shënjestra reale.

Mirë. Dua të flas pak për qytetarët dhe shoqërinë tani në fund sepse, siç e përmendët, janë pjesë e pazëvendësueshme e këtij rebusi për Shqipërinë. Si e keni parë shoqërinë civile në Shqipëri dhe veçanërisht rininë?

Mendoj se të rinjtë në Shqipëri janë të jashtëzakonshëm dhe çdo herë që kam mundësinë të flas me të rinjtë, ndahem nga ta e frymëzuar. E dini çfarë tjetër vë re? Vë re që njerëzit në Shqipëri nuk e pranojnë se sa shumë fuqi kanë.

E vërtetë kjo.

Kjo do të thotë të jesh në një demokraci. Fuqia juaj nuk është vetëm në çastin kur shkon të votosh. Fuqia është të kërkosh transparencë, të kërkosh llogari midis votimeve. Ndaj shpresoj që shqiptarët ta pranojnë sa të fuqishëm janë dhe ta përdorin këtë për të bërë ndryshimet që do të donin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN