Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg të hënën u kërkoi 30 anëtarëve të aleancës më të madhe ushtarake në botë të mbrojnë rendin global të bazuar në rregulla dhe të mbrojnë demokracinë nga sfida që vijnë nga Rusia dhe Kina.
Në një fjalim duke parashtruar vizionin e tij për NATO-n për vitin 2030, Stoltenberg tha se organizata e udhëhequr nga SHBA duhet të bëhet më politike, veçanërisht në vazhdën e pandemisë së koronavirusit, e cila ekspozoi mungesë të gatishmërisë në shumë vende dhe dobësi të rënda në sistemin e tyre shëndetësor .
“Ne duhet të punojmë edhe më ngushtë me vendet me mendje të njëjta, si Australia, Japonia, Zelanda e Re, Koreja e Jugut, për të mbrojtur rregullat globale dhe institucionet që na kanë mbajtur të sigurt për dekada të tëra,” tha Stoltenberg gjatë një ngjarje në internet.
Shtëpia e Bardhë thuhet se ka urdhëruar që nivelet e trupave në Gjermani të zvogëlohen nga rreth 34.500 sot në 25,000.
Presidenti Donald Trump ka sulmuar vazhdimisht aleatët amerikanë në Evropë dhe Kanada për ato që ai konsideron se janë shpenzime të pamjaftueshme të mbrojtjes.
Trump gjithashtu ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja klimaterike e Parisit dhe marrëveshja bërthamore e Iranit dhe ka kërcënuar se do të shkurtojë fondet për Organizatën Botërore të Shëndetit, duke e akuzuar atë se kontrollohet në mënyrë efektive nga Kina dhe mashtron botën për virusin.
Stoltenberg tha se “sfidat me të cilat përballemi gjatë dekadës së ardhshme janë më të mëdha se sa secili mund të përballojë vetëm.
Ai shtoi se aleatët “duhet të përputhen me vlerat tona, lirinë, demokracinë dhe shtetin e ligjit”.
Stoltenberg tha se Rusia vazhdon të zhvillojë armë të reja, përfshirë së fundmi një raketë me rreze të mesme, ndërsa “ngritja e Kinës po ndryshon rrënjësisht ekuilibrin global të fuqisë”, dhe se përhapja e koronavirusit ka shtuar tensionet.
Sëmundja shpesh është konsideruar si një armik i heshtur dhe ka vrarë qindra mijëra njerëz në të dy anët e Atlantikut, por aleanca ushtarake ka arritur vetëm të luajë një rol të kufizuar në luftimin e saj, krahasuar me institucionet e tjera shumëkombëshe si Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Stoltenberg tha që aleatët “duhet ta përdorin NATO-n më politikisht”, me burime ushtarake, ekonomike dhe diplomatike për të ndihmuar në forcimin e shoqërive dhe për të zvogëluar ndjeshmërinë e tyre ndaj kërcënimeve si koronavirusi ose sulmet kibernetike.
Përkthyer dhe përshtatur nga Associated Press/ konica.al