Shkatërrimi i zyrës ndërlidhëse nga Koreja e Veriut ka shkaktuar alarm në rajon dhe jo vetëm.
Sipas mediave të huaja, themelimi i zyrës ishte pjesë e një varg lëvizjesh pajtuese në vitin 2018 – kjo pasi drejtuesit e dy vendeve, Koresë së Veriut dhe të Jugut, u takuan për të biseduar për përmirësimin e marrëdhënieve.
Nga takimi në vitin 2019, mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, kishte shpresë se Veriu do të hiqte dorë nga programi i tij për armët bërthamore. Por asgjë nuk ndodhi që nga ato samite. Ndërkohë në muajt e fundit ka pasur spekulime të mëdha rreth realitetit të situatës nga coronavirusi në Veri – për sa i përket rasteve që sipas tyre nuk ka pasur asnjë – dhe gjendjes ekonomike të vendit.
Spekulimet u ngritën edhe rreth shëndetit të Kim Jong-un dhe nëse vendi po përgatitej që motra e tij të vie në udhëheqje.
Atëherë, pse Veriu e ndërmori këtë hap dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhmen?
BBC, përmbledh deklarata nga analistë të ndryshëm rreth situatës në Korenë e Veriut.
Ankit Panda, shkrimtar dhe analist
Shkatërrimi i zyrës ndërlidhëse koreane është padyshim një kujtesë që bashkëpunimi mes dy Koreve ka shkuar keq në të kaluarën, si dhe progresi i bërë në vitin 2018 nuk ka pasur sukses, pasi u “shemb” shpejt.
Pala e Koresë së Veriut e bëri të ditur këtë vendim ditë më parë, duke përmendur edhe aktivitetet e fundit nga grupet civile të Koresë së Jugut, si dhe shkakun e këtij vendimi.
Në ditët në vijim, Koreja e Veriut mund të ndërmerr edhe hapa të tjerë, të cilët mund të shkojnë nga veprime provokuese ushtarake, gjuajtje të drejtpërdrejta të predhave të artilerisë në drejtim të Koresë së Jugut, dhe prishjen e arritjeve të “Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse Ushtarake ndër-Koreane të Shtatorit 2018”.
Mirëpo ende nuk dihet se çfarë fshihet brenda këtyre provokimeve, si dhe qëllimi strategjik i Koresë së Veriut. Pyongyang ndoshta po kërkon të krijojë një krizë.
Ky provokim dhe të tjerat që do të vijnë më vonë, mund të lidhen me një përpjekje të brendshme të Koresë së Veriut për të ndërtuar një legjitimitet të mëtejshëm për Kim Yo-jong, motra e liderit suprem.
Mbi të gjitha ajo veçse njoftoi për shkatërrimin e zyrës ndërlidhës mes dy vendeve.
Andray Abrahamian, profesor në Universitetin George Mason Korea
Andray Abrahamian sugjeron që Koreja e Veriut dëshiron të krijojë një prelud për të justifikuar bisedimet mes vendeve.
Shumë nga vendimet e jashtme të Koresë së Veriut kanë të bëjnë me politikën e brendshme dhe kurrë nuk mund ta dimë me saktësi se çfarë po ndodh.
Fakti që motra e Kim Jong-un, ka qenë “qendra” e këtij tensioni, sugjeron se kjo ka të bëjë me djegien e kredencialeve të saj.
Ajo në fund të fundit ishte e lidhur me afrimin e dy vendeve në vitin 2018.
Nëse Pyongyang me të vërtetë ka hequr dorë nga bashkëpunimi me Korenë e Jugut dhe nga SHBA, tregon se vendi po ndjek projekte të brendshme bashkëpunimi, dhe mendojnë se nuk kanë asgjë për të humbur.
“Koreja e Veriut ndihet e tradhtuar nga Trump” – Van Jackson, ekspert për siguri koreane
Motivi për sulmin mund të rezultojë në tre çështje të ndryshme.
E para mund të jetë ndjenja e Kim Jong-un që mund të jetë tradhtuar, pas samiteve të dështuara me Presidentin Trump. Kim hyri në ato samite për të siguruar një lehtësim nga një regjim ndëshkues i sanksioneve ekonomike, por që nuk e mori asnjë.
Së dyti, vlerëson Jackson, përcjell Telegrafi, ekonomia e Koresë së Veriut është nën tendosje për shkak të tregtisë së kufizuar me Kinën, e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 dhe fushatës së SHBA-së për presionin maksimal të sanksioneve.
Së treti, motra e Kim Jong-un, po kalon në procesin e fitimit të besimit nga njerëzit, si një person me autoritet, dhe duhet të tregojë forcë dhe kompetencë për të dy elitat dhe gjeneratën e vjetër militariste të Koresë së Veriut.
Nuk dihet ende nëse po punon për të rritur suksesin e Kim Jong-un, duke marrë parasysh shëndetin e tij.
Qëllimi i shënjestrimit drejt Koresë së Jugut është strategjik – Koreja e Veriut rrezikon eskalimin e konfliktit nëse sulmon drejtpërdrejt SHBA-në, kështu që ka marrë në shënjestër Korenë e Jugut, si një objektiv që ka pak gjasa të shkaktojë një luftë.