Presidenti Donald Trump tha se në asnjë rast nuk e ka pyetur udhëheqësin rus Vladimir Putin rreth informacioneve të inteligjencës amerikane se Moska ka paguar talebanët për të vrarë ushtarë amerikane në Afganistan, duke hedhur dyshime rreth këtyre raporteve. Presidenti i bëri komentet në një intervistë me “Axios on HBO” që transmetohet e plotë të hënën.
Presidenti Trump, i cili është përpjekur të kultivojë marrëdhënie më të ngrohta me Moskën, ka thënë se ai nuk ka qenë informuar për këtë çështje përpara se ajo të shfaqej në media nga fundi i qershorit. Ai i ka quajtur raportet në fjalë një mashtrim dhe ka hedhur dyshime mbi vërtetësinë e tyre.
“Kurrë nuk e kam diskutuar me të,” tha Presidenti në intervistë.
Rusia i ka hedhur poshtë njoftimet.
I pyetur se përse nuk ia shtroi zotit Putin këtë çështje në telefonatën e tyre të enjten e kaluar, Presidenti Trump tha: “Kjo ishte një telefonatë për të diskutuar mbi gjëra të tjera, dhe sinqerisht fjala është për një çështje që shumë njerëz thanë se ishte lajm i rremë”.
Ai tha se me presidentin rus diskutuan mbi mospërhapjen e amëve bërthamore gjatë telefonatës.
Të mërkurën, ndërsa po dilte nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Trump sqaroi se ai nuk i besonte informacione të tilla.
“Nëse do të ishte e vërtetë, do të isha zemëruar shumë. Por nëse do të më thoshin se (rusët) po e bëjnë, sigurisht që do ta merrja në konsideratë,” tha ai. “Do të kundërpërgjigjesha në mënyrën e duhur”.
Demokratët në Kongres e kanë akuzuar Presidentin Trump se nuk i ka marrë me seriozitetin e duhur informacionet e inteligjencës në lidhje me vdekjen e ushtarëve amerikanë. Ata kanë kërkuar më shumë informacione nga komuniteti i inteligjencës dhe nga Shtëpia e Bardhë.
Këshilltari i sigurisë kombëtare Robert O’Brien ka thënë se Presidenti Trump nuk u informua gojarisht rreth raporteve për pagesa ndaj talebanëve, sepse personi i CIA-s i ngarkuar për ta informuar konkludoi se raportet ishin të paverifikuara.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk kanë mohuar se informacioni në fjalë nuk ishte përfshirë në informacionin sekret për sigurinë kombëtare që i shkon çdo ditë presidentit.
Disa media kanë njoftuar se kjo çështje ka qenë përfshirë në raportin e përditshëm në muajin shkurt por se Presidenti Trump mund të mos e ketë lexuar.
“Asnjëherë nuk arriti në tryezën time. E dini pse? Sepse njerëzit e inteligjencës nuk menduan që kjo të ishte diçka e vërtetë,” tha Presidenti Trump në intervistën për AXIOS. “Nëse do të kishte arritur në tryezën time, nuk do ta kisha patur problem për të bërë diçka,” u shpreh ai.
Senatori i pavarur Angus King, i cili bën pjesë në komisionin e senatit për inteligjencën, tha se i dukeshin të habitshme komentet e Presidentit Trump. Ai tha se ishte i bindur që raportet për pagesat ruse ndaj talebanëve për të vrarë ushtarë amerikanë nuk ishin “lajme të rreme”./VOA