Dhjetorin e kaluar, NATO përkujtoi 70-vjetorin e mbështetjes së paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në të dy anët e Atlantikut. Por çarjet në Aleancë po thellohen, duke ngritur dyshime serioze nëse ajo do ta arrijë dot 75-vjetorin e saj. Tani është momenti i duhur që Europa të zhvillojë mbrojtjen dhe aftësitë e saj.
Nga Ana Palacio
NATO mund të jetë “aleanca më e suksesshme në histori” – siç pretendon sekretari i përgjithshëm i saj, Jens Stoltenberg – por gjithashtu mund të jetë në prag të dështimit. Pas disa vitesh të trazuara, gjatë të cilave presidenti amerikan Donald Trump ka bërë që Amerika t’i kthejë gjithnjë e më shumë shpinën NATO-s, tensionet midis Francës dhe Turqisë janë përshkallëzuar ndjeshëm, duke treguar se sa e brishtë është bërë Aleanca.
Mosmarrëveshjet midis Francës dhe Turqisë filluan në mes të qershorit, kur një fregatë e marinës franceze nën komandën e NATO-s në Mesdhe u përpoq të inspektonte një anije mallrash të dyshuar për shkeljen e një embargoje armësh të Kombeve të Bashkuara në Libi. Franca pretendon se tre anije turke që shoqëronin anijen e mallrave ishin “jashtëzakonisht agresive” ndaj fregatës së saj, duke ndezur dritat e radarit të tyre tre herë – një sinjal që tregon përgjigjen e saj të afërt. Turqia e mohoi këtë pretendim të Francës, duke u shprehur se fregata franceze po ngacmonte anijet e saj.
Sido që të jenë detajet, fakti është se dy aleatë të NATO-s iu afruan shumë një konflikti të mundshëm në kontekstin e një misioni të NATO-s. Kjo është një ulje e re për Aleancën, e cila mund të paralajmërojë shkatërrimin e saj.
Lord Hastings Ismay, sekretari i parë i përgjithshëm i NATO-s, tha se misioni i Aleancës ishte “të mbajë rusët jashtë, amerikanët brenda dhe gjermanët poshtë”. Dinamika padyshim ndryshoi gjatë dekadave pasuese, sidomos marrëdhënia me Gjermaninë. Por baza e gjerë e bashkëpunimit mbeti e njëjtë.
Pa lidershipin amerikan, e gjithë struktura rrezikon të shkatërrohet. Nuk është rastësi që herën e fundit dy aleatë të NATO-s iu afruan kaq shumë një përballjeje – gjatë pushtimit turk të Qipros në vitin 1974 – SHBA-ja ishte e zënë me Luftën e Vietnamit. Në fakt, mosmarrëveshja midis Turqisë dhe Francës ndodhi vetëm disa ditë pasi u zbulua se Trump kishte vendosur, pa asnjë konsultim paraprak me aleatët e Amerikës në NATO, të tërhiqte mijëra trupa amerikane nga Gjermania.
Gjermania mund të mos jetë më në vijën e parë, siç ishte gjatë Luftës së Ftohtë, por forcat amerikane atje shërbejnë ende si një frenues i fuqishëm për agresionin rus përgjatë krahut lindor të NATO-s. Duke tërhequr ato forca, Trump ka dërguar një mesazh të rëndësishëm: garantimi i sigurisë europiane nuk është më një përparësi kryesore për SHBA-në.
Ndërkohë që distancimi i Amerikës nga Europa është përshpejtuar nën drejtimin e Trump, ai nisi rreth një dekade më parë. Në vitin 2011, kur paraardhësi i Trump, Barack Obama, po kërkonte “aksin e tij drejt Azisë”, Sekretari i atëhershëm Amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, paralajmëroi se, nëse NATO-ja nuk tregonte se ishte e rëndësishme, atëherë SHBA-ja mund të humbte interesin. NATO nuk e bëri diçka të tillë: deri në dhjetorin e kaluar, deklaratat e saj të samitit nuk arritën të pranonin sfidat që parashtroheshin me rritjen e Kinës. Deri atëherë, SHBA-ja e kishte humbur interesin. Dhe tani, nën drejtimin e Trump, ai mosinteresim është shndërruar në një armiqësi të hapur.
Pa SHBA-në si një timon, aleatët e NATO-s kanë filluar të marrin drejtime të ndryshme. Turqia është shembulli më i qartë. Para mosmarrëveshjes së fundit me Francën, Turqia bleu një sistem rus mbrojtjeje raketash S-400, pavarësisht kundërshtimeve të SHBA-së. Për më tepër, ajo ka ndërhyrë me guxim në Libi, duke siguruar mbështetje ajrore, armë dhe luftëtarë për Qeverinë e Akordit Kombëtar me qendër në Tripoli.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duket i sigurt se marrëdhënia e tij e drejtpërdrejtë me Trump do ta mbrojë atë nga pasojat e sjelljes së tij. Vendimi i Trump për të mos vendosur sanksione për blerjen e raketave, duket se e shfajëson arsyetimin e Erdoganit.
Por Turqia nuk është e vetme. Edhe Franca ka bërë të njëjtën gjë, përfshirë edhe në Libi. Duke ofruar mbështetje ushtarake për gjeneralin e mbështetur nga Rusia Khalifa Haftar, i cili kontrollon Libinë lindore, për të luftuar militantët islamikë, Franca ka dalë kundër aleatëve të saj të NATO-s. Ndërkohë që presidenti francez Emmanuel Macron nuk e pranon që mbështet anën e Haftarit në luftën civile, ai kohët e fundit shprehu mbështetje për zotimin e Egjiptit për të ndërhyrë ushtarakisht kundër Turqisë, për të cilën ai thotë se ka një “përgjegjësi penale” në vend.
Ndërsa tensionet me Turqinë rriten, Franca është më këmbëngulëse se kurrë se një qasje europiane për sigurinë dhe mbrojtjen – një qasje që do të drejtohej de facto nga Franca – është jetike. Fakti që mbështetja popullore për Macron brenda Francës po zbehet thjesht e shton ndenjën e urgjencës.
Duke lënë mënjanë arsyet politike, Macron ka thënë me zë të lartë atë që disa të tjerë e kanë pranuar: NATO po përjeton një “vdekje truri”, për shkak të angazhimit të dyshimtë të Trump për të mbrojtur aleatët e Amerikës. Duke pasur parasysh që largimi i SHBA-së nga NATO filloi shumë përpara ardhjes së Trump në pushtet, ka shumë pak arsye për të besuar se ky trend do të ndryshojë, edhe pse mund të ngadalësohet nëse ai humbet zgjedhjet e nëntorit. Nëse Europa nuk fillon të mendojë për veten si një fuqi gjeopolitike dhe të marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj, argumenton Macron, ajo “nuk do të jetë më kurrë nën kontroll të fatit të saj”.
Dhjetorin e kaluar, NATO përkujtoi 70-vjetorin e mbështetjes së paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në të dy anët e Atlantikut. Por çarjet në Aleancë po thellohen, duke ngritur dyshime serioze nëse ajo do ta arrijë dot 75-vjetorin e saj. Tani është momenti i duhur që Europa të zhvillojë mbrojtjen dhe aftësitë e saj.