MENU
klinika

Post-izolimi

Ekipet me ecurinë më të mirë pas rifillimit

14.07.2020 - 15:11

Rifillimi i futbollit në Europë pas ndërprerjes ka rezultuar me fat për disa skuadra. Vetëm dy ekipe kanë regjistruar vetëm fitore: Bayern Munchen dhe Real Madrid. Bavarezët kanë mbyllur punën me ndeshjet sa i përket kampionatit dhe Kupës, duke triumfuar në të dyja kompeticionet dhe tashmë presin sfidat e Champions.

Pas rikthimit, të besuarit e trajnerit Flick kanë arritur të fitojnë në 9 nga 9 ndeshjet që kishin mbetur në Bundesligë. Po të shtosh edhe dy ndeshjet e kupës, të cilat gjithashtu i fituan, atëherë Bayern Munchen shkon në 11 ndeshje radhazi me fitore që nga 17 maji deri më 4 korrik.

Në fakt, Bayern Munchen mori 17 fitore rresht në të gjitha kompeticionet që nga 16 shkurti e këtej. Ndërsa nuk u mund që nga 7 dhjetori i vitit të kaluar, me 25 fitore dhe vetëm 1 barazim. Një ecuri gati për rekord e bavarezëve, që tashmë kërkojnë “tripletën”.

Skuadra e dytë me ecurinë më të mirë pas ndërprerjes është Real Madrid me 9 nëntë fitore radhazi në La Liga. Kjo ecuri i ka mjaftuar madrilenëve të jenë katër pikë para Barcelonës në klasifikim, teksa para ndërprerjes ishin dy pikë pas.

 

Titulli është vetëm një fitore larg për Los Blancos, kur mbeten edhe 2 javë nga fundi i La Liga-s. Nëse i fitojnë të dyja ndeshjet, atëherë të besuarit e Zidane do të barazonin Bayern Munchen në ecurinë e tyre të mirë në periudhën post-karantinë.

Surpriza në listën e skuadrave që nuk janë mposhtur është Atalanta. Bergamaskët u ndalën vetëm në fund nga Juventus (2-2), duke regjistruar 6 fitore radhazi dhe 1 barazim. Shtatë ndeshje pa humbur. Po të shtosh edhe ndeshjet para izolimit, Atalanta nuk mposhtet prej 14 ndeshjesh, me 12 fitore dhe 2 barazime. Fantastike për Gjimshiti & Co.

Shtatë ndeshje pa humbur radhazi ka regjistruar edhe Manchester United në Angli duke nisur nga 19 qershori, me 5 fitore dhe 2 barazime (i fundit i mohoi vendin e tretë). Në fakt, United nuk mposhtet nga 22 janari i këtij viti, në 18 ndeshje radhazi, me 13 fitore dhe 5 barazime.